Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Integrim pa anëtarësim dhe pa Kosovën

Pas dështimit të “Ballkanit të Hapur”, dyshja Rama-Vuçiq u ringjall befas këto ditë përmes një shkrimi në të përditshmen gjermane FAZ. Aty ata paraqesin një vizion të ri për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Mesazhi është i butë dhe pajtues: rajoni duhet të afrohet gradualisht me Bashkimin Evropian, të integrohet në tregun dhe sistemet e tij dhe të bëhet pjesë e stabilitetit dhe prosperitetit evropian. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë gradualisht në tregun e përbashkët dhe në hapësirën Shengen. Kështu përshpejtohet integrimi ekonomik dhe thellohet përshtatja me rregullat evropiane. Ndërsa anëtarësimi i plotë, barazia politike dhe çështjet më të vështira shtyhen për më vonë. Në këtë formulë, Bashkimi Evropian fiton integrim pa zgjerim, ndërsa vendet e rajonit përfitojnë qasje pa fuqi vendimmarrëse. Për një Evropë të lodhur nga zgjerimi, kjo është një zgjidhje komode.

Shqipëria dhe Serbia si të (pa)barabarta

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Perceptimi që krijon shkrimi është se Shqipëria dhe Serbia janë dy vende me progres dhe përkushtim të barabartë në të njëjtën rrugë drejt BE-së. Kështu, shkrimi zhduk asimetrinë reale dhe mjegullon realitetin. Në fakt, Shqipëria është dukshëm më përpara në integrim. Reformat i ka shumë më të avancuara. Është anëtare e NATO-s dhe shoqëria e saj është qartë properëndimore. Në Bruksel flitet seriozisht për një horizont anëtarësimi rreth vitit 2030.

Serbia, në anën tjetër, prej vitesh nuk ka bërë hapa realë drejt BE-së. Ajo vazhdon të balancojë midis Brukselit, Moskës dhe Pekinit. Politika e saj e jashtme shkon në drejtim krejtësisht të kundërt me BE-në, është burim pasigurie në rajon dhe kërcënim i vazhdueshëm për fqinjët. Vuçiqi e ka harmonizuar me marrëveshje të shkruar politikën e jashtme me Rusinë, refuzon ta sanksionojë atë për agresionin në Ukrainë, solidarizohet me regjime autoritare si në Siri, Venezuelë e Iran, kërcënon hapur Kosovën, Bosnjën e Malin e Zi dhe ndërhyn në stabilitetin rajonal kur i leverdis. Armatosja masive, retorika agresive, sulmet ushtarake si ai i Banjskës më 2023, dhe propaganda mediale për të mbuluar akuzat si ato për “safarin e Sarajevës” janë pjesë e modelit të tij veprues.

Rama si avokat i Vuçiqit?

Megjithatë, në rrëfimin e përbashkët me Ramën këto dallime treten. Serbia paraqitet si e barabartë në progres, me orientim të qartë perëndimor dhe miqësor ndaj fqinjëve. Kjo nuk është zbutje retorike, por rehabilitim politik. Sa herë që Vuçiqi gjendet nën, Rama del si zë balancues që relativizon problemet dhe e paraqet Serbinë si partner konstruktiv. Kjo i shërben drejtpërdrejt narrativës së Beogradit në Evropë, se Serbia është pjesë e zgjidhjes, jo e problemit. Pse Rama zgjedh të luajë këtë rol, mbetet çështje e tij politike. Por efekti është i qartë: Vuçiqi fiton legjitimitet, ndërsa realiteti i politikës së tij zbutet në perceptimin evropian.

Kjo qasje e Ramës krijon kontradikta edhe brenda vetë Shqipërisë. Ai fitoi zgjedhjet me premtimin se anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në BE është i sigurt dhe do të ndodhë deri më 2030. Anëtarësimi nuk ishte më aspiratë, por çështje kohe. Sot ai promovon një kornizë rajonale ku anëtarësimi zëvendësohet me integrim të përbashkët rajonal. Nëse hyrja ishte kaq e afërt, pse zhvendoset fokusi nga Shqipëria te rajoni? Pse kalohet nga anëtarësimi i plotë tek integrimi pa anëtarësim?

Injorimi i Kosovës

Një boshllëk tjetër në shkrimin e Ramës e Vuçiqit bie po ashtu menjëherë në sy. Kosova nuk përmendet. Një çështje që nuk përmendet, nuk ekziston. Mungesa e Kosovës nuk mund të justifikohet me faktin se nuk përmenden edhe vende të tjera. Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja janë kandidatë zyrtarë për BE. Kosova është vetëm kandidate potenciale dhe ende nuk njihet nga pesë shtete të BE-së. Kjo e bën Kosovën sfidë qendrore të anëtarësimit të plotë të rajonit në BE. Mosnjohja e Kosovës nuk është një mosmarrëveshje e thjeshtë diplomatike. Ajo cenon vetë të drejtën e Kosovës për të ekzistuar si shtet.

Në këto rrethana, ideja që Serbia të afrohet me BE-në, ndërsa Kosova as nuk përmendet, hap çështje serioze. A mund të avancojë drejt Evropës një shtet autokrat, që nuk dëshiron të shkëputet nga e kaluara kriminale dhe vazhdon të sfidojë sovranitetin e fqinjit? A mund të anashkalohet mosnjohja e Kosovës përmes rajonalizimit të integrimit? A mund të quhet normalizim një proces ku ekzistenca e një shteti mbetet e mohuar, aq më shumë kur politikë e BE-së dhe SHBA-së mbetet “normalizimi përmes njohjes së ndërsjellë?”

Pikërisht këtu qëndron funksioni i konceptit  “rajon” të propaganduar nga dyshja Rama-Vuçiq. Kur integrimi trajtohet si proces kolektiv, kushti kryesor zhduket. Serbia ecën përpara si pjesë e Ballkanit Perëndimor, pa u përballur drejtpërdrejt me detyrimin për njohjen e Kosovës. Kushti thjesht anashkalohet dhe anëtarësimi riformulohet si integrim i rajonit. 

Për Kosovën kjo nuk është procedurë, por çështje ekzistence. Ajo ka nevojë për dukshmëri si shtet, trajtim të barabartë, integrim në NATO dhe BE, si dhe presion të vazhdueshëm ndaj Serbisë dhe pesëshes mosnjohëse për njohje. Një kornizë që e afron Serbinë me BE-në pa e prekur këtë kusht e dobëson pikërisht këtë pozicion. Aq më shumë kur sovraniteti i Kosovës vazhdon të sfidohet edhe në terren.

Historia jep një mësim të qartë. Shqipëria dy herë mori përsipër të vendosë për fatin e Kosovës, në 1912 dhe në 1945. Rezultatet dihen. Në 1999 ndodhi ndryshe. Shqipëria u përmbajt, dëgjoi Kosovën dhe e la Kosovën të flasë për veten. Edhe ky rezultat dihet. Shqipëria bën më mirë dhe përfiton më shumë kur e dëgjon dhe koordinohet me Kosovën për Kosovën.

(Kujtim Dobruna është ekspert i ekonomisë, i cili jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë. Ai është bashkëthemelues dhe kryetar i organizatës “Nisma Ekonomike për Kosovën”).