Që nga Lufta e Dytë Botërore, bota nuk ka qenë kurrë më e trazuar, më e pasigurt dhe më e paparashikueshme se sot.
Lufta në Evropë ka hyrë në vitin e pestë, me rrezik real të zgjerimit në Baltik e më tej. Sot, bota numëron rreth 160 konflikte të armatosura, ku janë të përfshira mbi 60 shtete dhe shumë aktorë joshtetërorë. Ky është niveli më i lartë i konflikteve të armatosura që nga viti 1945.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë anën tjetër, dezinformimi, lufta hibride, lajmet e rreme dhe sulmet ndaj infrastrukturës kritike kanë arritur nivele që tejkalojnë edhe periudhën e Luftës së Ftohtë.
Konflikti në Gjirin Persik ka tronditur tregjet globale. Çmimet e naftës janë në rritje të vazhdueshme. Inflacioni është rikthyer si kërcënim serioz. Bashkë me të, po rritet edhe rreziku i recesionit, papunësisë dhe trazirave sociale, jo vetëm globalisht, por edhe në Evropë.
Për më tepër, Evropa ka hyrë në një fazë të re pasigurie energjetike, e cila mund të jetë shumë më e thellë dhe më e rrezikshme se ajo që nisi me luftën në Ukrainë. Në Bashkimin Evropian sot po diskutohen masa të forta, deri te kufizimi i furnizimit të tregut me naftë. Pasojat për ekonominë mund të jenë të rënda.
Në këtë realitet të ri, edhe siguria nuk duket më e garantuar si dikur. Debati për rolin dhe të ardhmen amerikane në NATO prek drejtpërdrejt sigurinë e Kosovës.
Këto janë ndër rrethanat më të vështira të jashtme me të cilat do të përballet Kosova në ditët në vijim.
Dhe pikërisht për këtë arsye, kërkohet diçka që në teori duket e lehtë, por në praktikë jo: uniteti.
Jo përçarje, retorikë e ashpër e beteja të brendshme që konsumojnë energji pa prodhuar zgjidhje.
Koha është për ulje tensionesh, bashkëpunim të sinqertë, depolarizim dhe fokus të plotë te sfidat reale.
Ashtu si në kohën e pandemisë, kërkohen masa dhe veprime të jashtëzakonshme. Duhet të sigurojmë furnizimin me energji për qytetarët dhe ekonominë, ndërkohë që përshpejtojmë projektet strategjike energjetike. Duhet të forcojmë ekonominë, sektorin privat dhe kapacitetet mbrojtëse.
Por gjithçka nis me tejkalimin e ngërçeve politike.
Kosovës nuk i duhen zgjedhje të reja, që edhe ashtu nuk do të sjellin ndryshim real. Buxheti duhet të shpenzohet për zhvillim, jo për kapriçot e politikanëve.
Kosovës i duhet një marrëveshje urgjente politike për zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe unifikues. Dhe pastaj, pa humbur kohë: punë, punë dhe vetëm punë.
Sepse realiteti është i pamëshirshëm: vazhdojmë të jemi ndër vendet më të varfra në Evropë, pas Ukrainës së shkatërruar nga lufta. Kemi papunësi të lartë, migrim masiv, një ekonomi jo konkurruese të mbështetur në burime nga jashtë dhe mungesë politikash e projektesh zhvillimore.
Prandaj, sot nuk është koha për kusuritje politike, por për marrjen e përgjegjësive të mëdha, për unitet, për veprim, për Kosovën.
(Autori është ekonomist dhe themelues i www.eciks.com)