Opinion

Kosova dhe siguria evropiane: Koha që Evropa ta lexojë realitetin

Vetëm anëtarësimi i plotë në NATO do ta mbyllte përfundimisht çështjen e sigurisë së kufijve të Kosovës, do ta vendoste sigurinë e saj jashtë çdo ambiguiteti diplomatik dhe do ta zhvendoste raportin Kosovë-Serbi nga logjika e presionit dhe e kërcënimit, në një raport ku agresioni bëhet i pamundur. Çdo formulim tjetër, garanci verbale, premtim politik apo mekanizma të paqartë sigurie, ka treguar se nuk ka peshë reale në terren. Prandaj, në realitetin aktual evropian, çdo implementim i një hapi madhor nga marrëveshjet e dialogut duhet të ndodhë vetëm paralelisht dhe kushtimisht me anëtarësimin e Kosovës në NATO; ndryshe, dialogu rrezikon të prodhojë jo normalizim, por një cenueshmëri të re strukturore për shtetin e Kosovës

Evropa po hyn në një fazë të rëndësishme për sigurinë dhe mbrojtjen e saj. Paralajmërimet për një përballje të mundshme me Rusinë nuk shihen më si skenarë hipotetikë, por si rreziqe reale që po trajtohen me seriozitet nga kryeqytetet evropiane. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, konflikti më i madh në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore e ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si Evropa e sheh sigurinë e saj, duke treguar se paqja dhe stabiliteti nuk mund të merren më si të garantuara.

Këtë realitet e konfirmoi qartë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili paralajmëroi nga Berlini se Rusia mund ta sulmojë një vend anëtar të Aleancës brenda pesë vjetëve të ardhshëm. Ai theksoi se Moska tashmë po e përshkallëzon fushatën e saj të fshehtë kundër shoqërive perëndimore dhe se Evropa duhet të përgatitet për një luftë që brezat e rinj nuk e kanë përjetuar. Të njëjtin shqetësim të madh e ngriti edhe ministri britanik i forcave të armatosura, Al Carns, i cili paralajmëroi se “hija e luftës po troket sërish në derën e Evropës”. Sipas tij, përgatitja për një krizë të tillë nuk lidhet vetëm me ushtrinë, por me shoqërinë në tërësi.

Pyetja, siç e tha ai, nuk është më nëse një konflikt i madh është i mundshëm, por se sa të përgatitura janë shtetet dhe qytetarët evropianë për t’i bërë ballë dhe për ta mbrojtur sigurinë e kontinentit. Presidenti rus, Vladimir Putin, mohon se Moska ka plane për luftë me Evropën, por paralajmëron se Rusia është “gati që tani” nëse Evropa e dëshiron apo e nxit një konflikt të tillë. Janë të njëjtat garanci që Kremlini i dha edhe në prag të pushtimit të Ukrainës më 2022, e që u rrëzuan kur Rusia e filloi pushtimin e plotë dhe të pajustifikueshëm kundër Ukrainës. Për Evropën, lufta dhe pushtimi rus i Ukrainës përbëjnë kërcënim ekzistencial. Si i tillë, ky rrezik po përgjigjet me veprime konkrete nga Bashkimi Evropian, që ofron mbështetje në fushën e zbulimit, financave, furnizimit me armë dhe pajisje ushtarake, për ta ndihmuar Ukrainën të qëndrojë e fortë përballë kësaj sfide. Ky ndryshim i thellë në diskursin e sigurisë evropiane ka pasoja të drejtpërdrejta për Ballkanin Perëndimor dhe, në mënyrë të veçantë, për marrëdhëniet Kosovë–Serbi, sidomos në raport me rreziqet konkrete të sigurisë siç janë sulmet sabotuese ndaj Kosovës, dezinformimi, mbështetja e grupeve ekstremiste e paramilitare, si dhe organizimi i sulmeve të armatosura ndaj institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare. Ndërkohë që në qendrat evropiane të vendimmarrjes sot flitet hapur për luftë, për parandalim dhe për mobilizim kundër kërcënimit që vjen nga Rusia, sfidat e sigurisë në Ballkan vazhdojnë të relativizohen dhe të trajtohen nga Bashkimi Evropian si çështje “lokale” apo si probleme të menaxhueshme përmes dialogut politik. Kjo diskrepancë në trajtim ka pasoja konkrete në terren, sepse e injoron faktin se shumica e këtyre sfidave burojnë nga veprimet shtetërore të Serbisë, si satelit i Rusisë, si dhe nga roli i saj si aktor destabilizues në rajon.

Në një Evropë ku supozimet tradicionale për sigurinë “nuk vlejnë më”, dialogu nuk mund të jetë zëvendësim i sigurisë; ai duhet të jetë i kushtëzuar me të. Evropa po kërkon rend të ri sigurie për veten; është jorealiste t’i kërkojë Kosovës që të operojë me një rend të vjetër sigurie që nuk ekziston më. Evropa sot pranon se “fault linë” i sigurisë është “frontline” – hapësirat më të ekspozuara ndaj provokimeve dhe agresionit. Në Ballkan, Kosova është pikërisht një nga këto hapësira ekspozimi.

Paralelja mes Ukrainës dhe Kosovës

Paralelja me Ukrainën nuk është retorike, por strukturore. Ashtu sikurse në rastin e Ukrainës pas 2014-tës, edhe në Ballkan po vërehet një hezitim evropian për ta identifikuar qartë burimin e problemit dhe për t’u pozicionuar qartë në aspektin politik e strategjik për ta ndëshkuar shkaktarin kryesor të krizave. Kosova është pjesë e një gjeografie ku përplasen interesa të sigurisë ballkanike dhe evropiane, ku sulmet dhe ndërhyrjet e fshehta, fushatat e dezinformimit dhe përdorimi i grupeve paramilitare për sulme të armatosura dhe sabotuese ndaj Kosovës janë instrumente të një logjike më të gjerë destabilizimi, në të cilën Rusia e

shfrytëzon Serbinë si mjet për ta sfiduar Perëndimin edhe në këtë rajon. Andaj pyetja thelbësore nuk lidhet vetëm me vazhdimin formal të dialogut Kosovë–Serbi, por me ndryshimin e paradigmës përballë një realiteti evropian ku siguria më nuk është e garantuar, por e kontestuar. Pa një qasje të sinqertë dhe më të vendosur nga BE-ja për ta identifikuar qartë shkaktarin dhe për ta sfiduar atë, në Ballkan ka rrezik se do të përsëritet i njëjti skenar sikurse në Ukrainë: tolerim gradual i sjelljeve destabilizuese, deri në momentin kur kostoja e mosveprimit bëhet shumë më e lartë se ajo e reagimit të hershëm.

Serbia ka demonstruar, në disa raste të dokumentuara, gatishmëri për përshkallëzim ushtarak nëpërmjet grumbullimit të trupave dhe pajisjeve të rënda luftarake përgjatë kufirit me Kosovën. Rasti më i madh ndodhi në shtator të 2023-tës, menjëherë pas sulmit terrorist në Banjskë. Në javët që pasuan, Serbia dislokoi një numër të madh trupash ushtarake, njësi të mekanizuara, artileri dhe tanke pranë vijës kufitare me Kosovën. NATO-ja dhe SHBA-ja e cilësuan këtë si përqendrim “të pazakontë dhe destabilizues”. Më 1 tetor 2023, administrata amerikane deklaroi publikisht se kishte kërkuar nga Serbia që t’i tërheqë forcat, ndërsa sekretari amerikan i Mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë të lartë konfirmuan se trysnia amerikane e detyroi tërheqjen graduale të forcave ushtarake serbe nga kufiri.

Një situatë e ngjashme ishte regjistruar edhe më herët, në maj–qershor 2023, pas përplasjeve të dhunshme në veri të Kosovës dhe sulmeve ndaj trupave të KFOR-it. Në atë periudhë, Serbia e rriti nivelin e gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe grumbulloi forca pranë kufirit. Sipas deklaratave të zyrtarëve të lartë amerikanë, duke përfshirë presidentin e SHBA-së, Donald Trump, konfirmuan publikisht se Shtetet e Bashkuara kishin luajtur rol vendimtar në parandalimin e një konflikti të armatosur të drejtpërdrejtë mes Kosovës dhe Serbisë. Ky rast dëshmon edhe njëherë se Serbia, nëpërmjet Rusisë, ka zbatuar plane konkrete për të destabilizuar dhe për të nxitur konflikt të madh në Kosovë e rajon. Për më shumë, pjesë e këtyre veprimeve janë edhe sulmet terroriste dhe sabotuese që ndodhën në Kosovë - në shtator 2023 në Banjskë dhe sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në nëntor të 2024-tës. Sipas autoriteteve të Kosovës, njëri prej të akuzuarve për sulmin në Ibër-Lepenc është Jovan Viçentijeviq, i cili përveç terrorizmit dhe armëmbajtjes pa leje, akuzohet edhe për spiunazh për Shërbimin Informativ Ushtarak (KOS) të Serbisë. Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, lidhjet e Jovan Viçentijeviqit me planifikimin e sulmit u konfirmuan edhe nga ekspertiza e FBI-së, që i lidh tre të dyshuarit me organizimin e sulmit ndaj infrastrukturës kritike.

Sulmet në Banjskë dhe në Ibër-Lepenc janë dëshmi e një modeli të përsëritur të sulmeve ndaj infrastrukturës kritike që përputhen me taktikat e përdorura nga Rusia në Ukrainë, ku shënjestër janë sistemet kritike shtetërore dhe qytetarët.

Ndryshimet në arkitekturën e sigurisë evropiane dhe ndikimi në dialogun Kosovë-Serbi

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërtua mbi bindjen se stabiliteti dhe siguria prodhohen nëpërmjet dialogut politik, ndërsa siguria garantohet nga arkitektura e pasluftës së vitit 1999. Sot, kjo siguri evropiane nuk ekziston më. Agresioni rus ndaj Ukrainës i ka përmbysur themelet e rendit evropian të sigurisë dhe e ka rikthyer luftën si instrument politik. Në këtë realitet të ri, pyetja nuk është nëse dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë por nëse ai mund të vazhdojë njëjtë siç ishte, duke e marrë parasysh faktin se situata dhe arkitektura e sigurisë evropiane si dhe e rreziqeve dhe kërcënimeve kanë ndryshuar tërësisht.

Edhe pse konflikti mes Ukrainës e Rusisë është i një shkalle shumë më të gjerë dhe përfshin një fuqi bërthamore, siç është Rusia që e ka sjellë luftën në kufijtë e Evropës, ngjashmëritë mes zhvillimeve në aspektin e sigurisë në Ukrainë dhe atyre në Kosovë nuk janë të drejtpërdrejta por janë strukturore. Bëhet fjalë për mënyrën se si përdoret trysnia, forca dhe destabilizimi për të minuar shtetet më të dobëta dhe për të testuar reagimin e Perëndimit.

Rusia përdor agresion të hapur por edhe grupe të armatosura dhe paramilitare për ta dobësuar Ukrainën, për t’i kërcënuar shtetet fqinje dhe për ta vënë në provë vendosmërinë e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Serbia, në një kontekst tjetër, e ndjek një model të ngjashëm. Ajo ushtron trysni ushtarake, duke e grumbulluar ushtrinë në kufi me Kosovën, ndërkohë që i stërvit, i financon dhe i armatos grupet kriminale dhe paramilitare, si dhe mban struktura paralele brenda territorit të Kosovës për ta penguar funksionimin e shtetit dhe shtrirjen e sovranitetit.

Nëse për BE-në, agresioni rus konsiderohet kërcënim ekzistencial për Evropën, atëherë agresioni i Serbisë ndaj Kosovës, drejtpërdrejt i mbështetur politikisht e strategjikisht nga Rusia, nuk mund të relativizohet si “problem lokal” apo si “keqkuptim bilateral” mes dy palëve. Përkundrazi, ai duhet të trajtohet si kërcënim serioz për stabilitetin rajonal dhe evropian, si dhe agresori duhet të identifikohet dhe të mbahet përgjegjës.

“The Finnish Institute of International Affairs” argumenton se “frontline” (vija e ekspozuar) është prerja strategjike e sigurisë euroatlantike dhe se shtetet e ekspozuara janë më të cenueshme ndaj provokimeve/agresionit. Ky koncept është i aplikueshëm edhe në Ballkan: nëse Evropa sot e mendon sigurinë si “frontline”, Kosova nuk mund të trajtohet si “problem lokal”. Në Ballkan, Kosova është pikërisht një nga këto hapësira ekspozimi. Në këtë kontekst, po bëhet gjithnjë e më i dukshëm standardi i dyfishtë evropian. Ukrainës i ofrohen garanci sigurie, mbështetje ushtarake dhe trajtim strategjik si vijë mbrojtëse e

Evropës. Kosovës, në anën tjetër, i kërkohet përmbajtje, durim dhe vazhdim dialogu, edhe kur përballet me agresion të organizuar dhe me kërcënime të drejtpërdrejta ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues. Kur siguria euroatlantike fillon dhe mbrohet në vijën e parë, atëherë Ballkani, dhe veçanërisht Kosova, nuk mund të mbetet “jashtë projektit të parandalimit”.

Raporti i Kosovës me Serbinë pa parandalim nuk është paqe. Është menaxhim i rrezikut mbi shpatullat e palës më të ekspozuar. Evropa po përballet me një mjedis, ku roli amerikan mund të jetë më i kushtëzuar/transaksional; prandaj shtetet po mendojnë “hedge/Plan B”.

Në këtë botë, Kosova nuk mund të presë që siguria e saj të mbetet “default” e viteve 1999–2019; ajo duhet të futet në arkitekturë me garanci të shkruara dhe me një marrëveshje të qartë: implementim dialogu në këmbim të integrimit të sigurisë.

Problemi themelor i procesit aktual të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qëndron në supozimin se siguria është konstante dhe e garantuar nga realiteti i pasvitit 1999. Zhvillime si Banjska dhe sulmet ndaj infrastrukturës kritike, përfshirë Ibër-Lepencin, tregojnë qartë se kjo premisë nuk qëndron më. Normalizimi pa siguri reale nuk është vetëm i paqëndrueshëm, por edhe i rrezikshëm, sepse e krijon një proces të pabalancuar, në të cilin Kosova përballet me presion të vazhdueshëm pa pasur garanci të mjaftueshme për sigurinë dhe mbrojtjen e saj. Në këto rrethana, dialogu nuk mund të mbetet vetëm politik. Ai duhet të trajtohet edhe si dialog sigurie, dialog për parandalim dhe dialog për arkitekturë mbrojtëse.

Në strategjinë amerikane të sigurisë, një interes bazë është mbështetja e aleatëve për sigurinë e Evropës. Ballkani është pjesë e kësaj sigurie, jo fusnotë. Nëse Washingtoni kërkon që aleatët të mos e “offload” koston e mbrojtjes, atëherë zgjidhja është integrimi: Kosova si kontribuues në arkitekturë, jo si zonë gri.

Ky narracion i ri i jep Kosovës bazë të fortë dhe legjitime për të kërkuar garanci shtesë sigurie, lobim për njohje të reja nga vendet e BE-së dhe NATO-s që nuk e njohin Kosovën, për forcim të pranisë së NATO-s në Kosovë, rishikim të arkitekturës së sigurisë së vitit 1999 dhe zonës kufitare të sigurisë, si dhe mekanizmave parandalues që shkojnë përtej menaxhimit të krizave pasi dëmi të ketë ndodhur.

Në realitetin e ri evropian të sigurisë, dialogu Kosovë–Serbi nuk mund të vazhdojë më si proces i shkëputur nga garancitë reale të mbrojtjes. Nëse vetë NATO-ja dhe Evropa po e konceptojnë sigurinë nëpërmjet logjikës së “frontline” dhe “aggregated deterrence”, atëherë dialogu duhet të riformulohet mbi një kushtëzim real dhe kontribuues për paqe: implementim politik në këmbim të sigurisë së matshme. Kjo nënkupton një “Security-for-Implementation Deal”, ku çdo fazë e zbatimit të marrëveshjeve shoqërohet paralelisht me hapa konkretë sigurie për Kosovën, së pari, një perspektivë e shkruar dhe e formalizuar e anëtarësimit në NATO, ose të paktën një rrugë e qartë politike (MAP apo Partnership i avancuar me kalendar), sepse asnjë hapësirë “frontline” nuk mund të lihet pa mbulim strategjik. Së dyti, kërkohet forcim i mandatit parandalues dhe i kapaciteteve të reagimit të shpejtë të KFOR-it, në koordinim më të thelluar me institucionet e Kosovës, pasi parandalimi funksionon vetëm kur barra ndahet drejt mes palëve të ekspozuara dhe aleatëve të “rear-

area”. Së treti, Kosova duhet të integrohet operacionalisht në arkitekturën e parandalimit të NATO-s në Ballkan nëpërmjet stërvitjeve të përbashkëta, kapaciteteve ISR, mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe kundërveprimit ndaj kërcënimeve hibride, si pjesë e një nënhapësire funksionale të “aggregated deterrence”. Në këtë kontekst, vazhdimi i masave ndëshkuese ndaj Kosovës në momente të rrezikut të shtuar është jo vetëm politikisht i gabuar, por edhe strategjikisht kundërproduktiv, sepse doktrina e frontline nuk ndëshkon

palën e ekspozuar teksa kërkon që vija të mbajë. Nëse Evropa sot thotë se po hyn në epokën e parandalimit, atëherë Ballkani nuk mund të mbetet epokë e dialogut pa siguri, sepse dialogu pa garanci nuk është paqe, por ftesë për testim.

Siguria, sovraniteti dhe Asociacioni

Kosova, në vitet e fundit, ka ndërmarrë një sërë veprimesh në fushën e rendit dhe ligjit, të cilat, ndonëse të bazuara në ushtrimin e sovranitetit shtetëror, në disa raste i kanë irrituar partnerët e saj strategjikë - SHBA-në, BE-në, dhe NATO-n – prej të cilëve varet drejtpërdrejt siguria e vendit. Problemi nuk ka qenë domosdoshmërish vetë përmbajtja e veprimeve, por mënyra se si ato janë ndërmarrë - sipas partnerëve tanë, në disa raste pa koordinim të mjaftueshëm dhe pa komunikim të qartë politik me aleatët kryesorë. Kjo e ka krijuar perceptimin në mesin e aleatëve se Kosova vepron në mënyrë të njëanshme në një ambient sigurie të brishtë, ku çdo vendim i brendshëm mund të sjellë pasoja rajonale dhe ndërkombëtare.

Në rrethanat aktuale, duke filluar nga përkeqësimi i mjedisit të sigurisë në Evropë, pozicionimi i Kosovës kërkon rishikim substancial dhe real të pozicionit dhe të rolit të saj karshi zhvillimeve diplomatike dhe ndërkombëtare të sigurisë. Kosova nuk mund të vazhdojë të trajtohet, as nga jashtë dhe as nga brenda, si një çështje periferike e Ballkanit, por si pjesë funksionale e arkitekturës euroatlantike të sigurisë. Kjo nënkupton që Kosova duhet të vazhdojë dhe t’i thellojë investimet e qëndrueshme dhe të planifikuara në kapacitetet mbrojtëse, në përputhje me hapat që tashmë janë ndërmarrë nga Qeveria aktuale, në drejtim të forcimit të FSK-së, rritjes së buxhetit të mbrojtjes dhe harmonizimit gradual me standardet e NATO-s.

Sfidë do të mbetet themelimi dhe implementimi i Asociacionit. Implementimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë në asnjë rrethanë pa anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO. Për më shumë se një dekadë, dialogu Kosovë–Serbi është ndërtuar mbi premisën e një rendi liberal evropian që supozohej se do të garantonte siguri, stabilitet dhe përmirësim gradual të marrëdhënieve nëpërmjet kompromiseve politike. Ky eksperiment ka dështuar.

Pavarësisht lëshimeve dhe kompromiseve të njëanshme të Kosovës, marrëdhënia me Serbinë jo vetëm që nuk është normalizuar, por është përkeqësuar ndjeshëm, duke u shoqëruar me kërcënime të hapura ushtarake, sulme terroriste dhe sabotuese ndaj institucioneve dhe infrastrukturës kritike të Kosovës, si dhe me një strategji të qëndrueshme destabilizimi nga ana e Serbisë. Reagimi i Perëndimit ndaj këtij përkeqësimi ka qenë shpesh i pabalancuar, duke ushtruar trysni disproporcionale mbi Kosovën, ndërkohë që agresioni dhe sjellja revizioniste e Serbisë relativizohet ose trajtohet si “menaxhim krize”. Në këtë kontekst, kërkesa që Kosova ta ndërmarrë një hap kaq të madh dhe struktural si Asociacioni, i cili prek drejtpërdrejt rendin kushtetues, funksionalitetin e shtetit dhe sovranitetin e brendshëm, pa pasur garanci të forta dhe të pakthyeshme sigurie, është politikisht e papërgjegjshme dhe strategjikisht e rrezikshme.

Vetëm anëtarësimi i plotë në NATO do ta mbyllte përfundimisht çështjen e sigurisë së kufijve të Kosovës, do ta vendoste sigurinë e saj jashtë çdo ambiguiteti diplomatik dhe do ta zhvendoste raportin Kosovë-Serbi nga logjika e presionit dhe e kërcënimit, në një raport ku agresioni bëhet i pamundur. Çdo formulim tjetër, garanci

verbale, premtim politik apo mekanizma të paqarta sigurie, ka treguar se nuk ka peshë reale në terren. Prandaj, në realitetin aktual evropian, çdo implementim i një hapi madhor nga marrëveshjet e dialogut duhet të ndodhë vetëm paralelisht dhe kushtimisht me anëtarësimin e Kosovës në NATO; ndryshe, dialogu rrezikon të prodhojë jo normalizim, por një cenueshmëri të re strukturore për shtetin e Kosovës.

(Autori është hulumtues i çështjeve të sigurisë dhe kundërterrorizmit, si dhe themelues i Institutit për Siguri dhe Reziliencë (PREVENT))