Emisioni hulumtues me titull “Nga Ujë në Beton: Dyshime për kurdisje të këmbimit të pronës milionëshe nga Komuna e Pejës”, zbuloi një skemë të dyshimtë të këmbimit të një prone afër 2 milionëshe në Komunën e Pejës. Një vendim që në thelb e orienton këtë pasuri publike drejt kompanisë Qehaja Group sh.p.k, e njohur për ndërtim banesash shumëkatëshe.
Dhe, një pronë që nga “rajon ujor”, u kthye në “tokë ndërtimore” me një vendim të ekzekutivit komunal, e për të cilën Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPHI) thotë se këto prona shoqërore ujore (P.Sh “Ujërat”) janë nën administrimin e tyre dhe se çdo veprim apo shfrytëzim i tyre është i jashtëligjshëm.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPikërisht, për një pjesë të kësaj prone, Komuna e Pejës është paditur edhe nga familja Mataj.
Sipas, Fatmire Mataj-Vokshi, ka 60 vjet që familja saj jeton në këtë shtëpi.
“Babai im kur ka qenë gjallë ma ka lënë amanet, unë tash kryefamiljare, babai im ka thënë “çika jeme e kemi pasë shtëpinë te Xhemajl Kada” edhe aty i kanë thënë komuna se do me ra shkolla, me u ndërtu dhe i kanë thënë po ta marrim këtu dhe po të qojmë këtu, ku e kemi shtëpinë edhe janë marrë vesh. Qe ku e kam skicën, krejt dokumentet i kam që ka qenë shtëpia e babait tim. Tash kryetari thotë janë uzurpator”, ka thënë Fatmire Mataj-Vokshi.
Familja Mataj, kishte parashtruar padi më 4 prill 2022, për vërtetim të drejtës së pronësisë. Por, më 16 dhjetor 2025, Gjykata Themelore në Pejë ka hudhur poshtë këtë padi.
Gjykata, nuk kishte arritur ta trajtojë me kohë propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, andaj seanca dëgjimore është mbajtur më 29 tetor 2025.
Ndërkaq, pas mbajtjes së seancës më 6 nëntor 2025 bashkë me ekspert gjyqësor të gjeodezisë ishte vërtetuar gjendja faktike.
Dhe, pas pranimit të ekspertizës së gjeodezisë së datës 18 nëntor 2025, gjykata me aktvendim i’a kishte kthyer paditësit padinë për plotësim dhe korrigjim. Mirëpo tutje, sipas aktgjykimit të gjykatës, paditësi nuk ka vepruar në kuptim të vërejtjeve sepse nuk ka bërë precizimin e kërkesëpadisë, por vetëm për masën e sigurisë dhe si pasojë lënda është hudhur.
Por, familja Mataj, ka bërë sërish padi më 24 dhjetor 2025 ndaj Komunës së Pejës, për vërtetim pronësie.
“Unë kërkoj prej Gjykatës, që gjykata le ta merr vendimin e drejtë, ja kom dërgu krejt dokumentet gjykatës me i pasë, krejt me kunorizim e krejt”, u shpreh tutje Mataj-Vokshi.
Banorët e kësaj lagje, duke përfshirë edhe familjen Mataj, kishin bërë peticion në Komunë dy ditë para se të votohej për këmbimin e pronës.
Në peticionin që u nënshkrua nga 33 persona, kërkohej që në parcelën që do votohej për këmbim të bëhej ndonjë park dhe jo banesa.
Një pronë publike me vlerë rreth 2 milionë euro u kthye nga “rajon ujor” në “tokë ndërtimore” dhe përfundoi në një proces këmbimi që kontestohet edhe për ligjshmërinë e tij. Veprimet paraprake, koha e blerjes së ngastrave dhe shfrytëzimi i hapësirës para miratimit formal hedhin hije të forta dyshimi mbi gjithë procedurën.