Bota po bëhet më e paqëndrueshme, më e digjitalizuar dhe më e paparashikueshme. Për fuqitë e mëdha kjo është një sfidë. Për shtetet e vogla mund të bëhet një problem ekzistencial. Kosova ka hyrë në një periudhë vendimtare për të ardhmen e saj. Konfliktet globale po intensifikohen, pasiguria ekonomike po rritet, ndryshimi teknologjik po përshpejtohet dhe në të njëjtën kohë vendi po përballet me dobësi serioze të brendshme e papërgjegjësi politike. Nëse këta trendë vazhdojnë dhe Kosova nuk zgjohet, ajo do të mbetet pas politikisht, ekonomikisht dhe demografikisht dhe themeli i shtetësisë së saj do të rrezikohet
Një mjedis shumë më i rrezikshëm
Mjedisi ndërkombëtar i sigurisë është bërë dukshëm më i paqëndrueshëm. Disa kriza të mëdha po zhvillohen njëkohësisht dhe po e përforcojnë njëra-tjetrën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoLufta në Ukrainë mbetet konflikti më i madh ushtarak në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Pushtimi rus ka ndryshuar rrënjësisht arkitekturën e sigurisë së kontinentit. NATO është zgjeruar dhe ka forcuar krahun lindor me trupa shtesë, ndërsa Evropa është duke hyrë në një periudhë riarmatosjeje dhe përballjeje strategjike afatgjatë me Rusinë.
Në të njëjtën kohë tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen. Sipas raporteve të fundit, sulmet iraniane deri tani kanë prekur rreth katërmbëdhjetë vende. Këto zhvillime tregojnë një ndryshim të madh në natyrën e luftës moderne. Raketat me rreze të gjatë veprimi dhe dronët mundësojnë goditjen e objektivave qindra apo edhe mijëra kilometra larg. Distanca gjeografike nga fronti nuk garanton më siguri. Shumë vende, përfshirë Kosovën, nuk posedojnë sisteme të mbrojtjes ajrore për t’u përballur me kërcënime të tilla.
Irani ka goditur gjithashtu infrastrukturën e naftës dhe gazit në rajon, duke synuar destabilizimin e tregjeve dhe rritjen e çmimeve globale të energjisë. Kjo situatë u shërben interesave të Rusisë, e cila përfiton nga çmimet e larta të energjisë për të financuar ekonominë e saj të dobësuar nga lufta.
Tensione të reja po shfaqen edhe në Kaukaz. Sulmet me dronë në Gjeorgji dhe Azerbajxhan tregojnë se sa shpejt mund të përhapet konflikti në rajone të reja. Azerbajxhani ka paralajmëruar se do të reagojë ndaj veprimeve iraniane, gjë që mund ta kthejë Kaukazin në një tjetër skenë përshkallëzimi.
Ndërkohë Kina po analizon reagimin e Perëndimit ndaj luftës në Ukrainë dhe aftësinë e NATO-s për të mbështetur një aleat për një kohë të gjatë. Këto përvoja do të ndikojnë drejtpërdrejt në llogaritjet strategjike të saj lidhur me Tajvanin. Një krizë në Ngushticën e Tajvanit do të kishte pasoja të rënda për ekonominë globale dhe për Evropën, veçanërisht për zinxhirët e furnizimit me gjysmëpërçues.
Në të njëjtën kohë konfliktet në disa rajone të Afrikës po intensifikohen. Kjo mund të prodhojë valë të reja refugjatësh drejt Evropës dhe të krijojë presion të ri politik dhe social brenda Bashkimit Evropian.
Shkurt, bota po hyn në një periudhë tensioni të vazhdueshëm gjeopolitik dhe pasigurie strategjike.
Goditjet ekonomike dhe ndryshimet teknologjike
Paqëndrueshmëria gjeopolitike është duke e dëmtuar ekonominë globale.
Tregjet e energjisë janë veçanërisht të ndjeshme ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore. Vështirësitë në furnizimin me naftë dhe gaz kanë çuar në rrithe të çmimeve të energjisë. Kostot më të larta të energjisë përkthehen drejtpërdrejt në inflacion. Me rritjen e inflacionit, bankat qendrore do të detyrohen të rrisin normat e interesit, të cilat e bëjnë huamarrjen më të shtrenjtë, zvogëlojnë investimet dhe ngadalësojnë rritjen ekonomike.
Në të njëjtën kohë, ekonomia globale po kalon një transformim të thellë teknologjik. Inteligjenca artificiale dhe automatizimi po përparojnë me një shpejtësi të paparë. Sipas analizave të fundit, inteligjenca artificiale mund të eliminojë deri në gjysmën e vendeve ekzistuese të punës në sektorin e “jakës së bardhë” gjatë pesë viteve të ardhshme. Detyrat e kryera nga analistët, administratorët, konsulentët, avokatët, etj. po automatizohen gjithnjë e më shumë.
Ky revolucion teknologjik po krijon mundësi të reja, por edhe tronditje të konsiderueshme në tregun e punës. Vendet që i përvetësojnë këto teknologji shpejt po krijojnë përparësi të mëdha në produktivitet dhe konkurrueshmëri. Vendet që nuk arrijnë të përshtaten po rrezikojnë të mbeten prapa për shumë vite.
Për ekonomitë e vogla si Kosova, sfida është veçanërisht serioze. Modernizimi teknologjik dhe aftësia për inovacion janë thelbësore për të siguruar konkurrueshmëri afatgjatë. Sot, asnjë ekonomi nuk mund të zhvillohet pa inovacion.
Dobësitë e brendshme të Kosovës
Në këtë mjedis të brishtë ndërkombëtar, Kosova vazhdon të përballet me probleme serioze të brendshme. Për interesa të ngushta partiake, sistemi politik është i bllokuar qe dy vjet. Kosova ka mbajtur dy palë zgjedhje brenda një viti, ndërsa së shpejti priten zgjedhje të reja. Deri atëherë vendi do të funksionojë me një qeveri në detyrë, një president në detyrë dhe një kryetar të Kuvendit në detyrë, me një kryeprokuror në detyrë dhe me gjasë shpejt edhe me Gjykatë Kushtetuese të përgjysmuar.
Në një situatë të tillë, shteti nuk mund të funksionojë, të bëjë reformat e nevojshme apo të marrë vendime strategjike. As zgjedhjet nuk janë garanci se do të krijohet një qeveri e qëndrueshme dhe e aftë për të qeverisur për një mandat të plotë.
Modeli ekonomik ka gjithashtu shumë dobësi strukturore. Kosova, pas Ukrainës e cila është në luftë qe pesë vite, mbetet vendi më i varfër në Evropë. Ekonomia varet kryekëput nga diaspora dhe konsumi, e jo nga prodhimi dhe inovacioni.
Sfida më serioze, megjithatë, është rënia demografike. Çdo vit afërsisht tridhjetë mijë të rinj largohen nga Kosova. Vetëm gjatë vitit 2024 rreth 37 mijë të rinj e kanë lënë vendin. Me rreth 1.6 milion banorë, kjo do të thotë se gati dy përqind e popullsisë emigron çdo vit. Nëse ky trend vazhdon, Kosova mund të humbasë mbi treqind mijë njerëz brenda dhjetë vjetësh. Shumica e atyre që largohen janë të rinj, të arsimuar dhe ekonomikisht aktivë.
Pasojat janë të qarta. Të rinjtë përbëjnë shtyllën kurrizore të tregut të punës. Ata krijojnë ndërmarrje, adoptojnë teknologji të reja dhe gjenerojnë të ardhura tatimore. Kur largohen, fuqia punëtore tkurret, inovacioni bie dhe financat publike vihen nën presion.
Një vend që humbet tridhjetë mijë të rinj çdo vit nuk e ka luksin e krizave të përhershme politike.
Një zgjedhje strategjike për Kosovën
Mjedisi rajonal i sigurisë mbetet i brishtë dhe po i shton rreziqet edhe më tej. Burimi kryesor i tensionit mbetet sfidimi politik, territorial dhe diplomatik, që Serbia ia shkakton Kosovës dhe rajonit me mbështetjen ruse.
Në të njëjtën kohë Kosova mbetet jashtë dy strukturave që mund të ofrojnë stabilitet dhe siguri afatgjatë, Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Perspektiva drejt integrimit në të dyja organizatat është joekzistente. Kjo gjendje e hirtë strategjike e ka lënë vendin të ekspozuar ndaj një mjedisi gjeopolitik gjithnjë e më të rrezikshëm.
Por, fajtorët duhet kërkuar brenda, te klasa aktuale politike. Sot, Kosova ka hyrë në një periudhë vendimtare. Paqëndrueshmëria politike, pasiguria ekonomike, rënia demografike dhe revolucioni teknologjik po zhvillohen paralelisht. Kur kësaj i shtohet lidershipi politik i paaftë për t’u përballur me këto sfida, atëherë rreziku për vendin nuk është vetëm stagnimi ekonomik. Rreziku është dobësimi gradual i vetë themeleve të shtetit.
Kosova nuk është pronë e asnjë politikani. Ajo është rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave shekullore të një populli të tërë. Dëshmia më e mirë është përvjetori i sotëm i flijimit me përmasa epike të familjes Jashari.
Pesë vitet në vijim janë vendimtare për të ardhmen e vendit. Nëse Kosova nuk arrin t’i stabilizojë institucionet, atëherë shteti do të vihet në pikëpyetje. Nëse nuk ia del të modernizojë ekonominë dhe të krijojë perspektivë për brezin e ri, do të bëhet shtet i dështuar.
Historia tregon se shtetet nuk shemben gjithmonë nga jashtë. Shpesh ato dobësohen gradualisht nga brenda, nga politikanë të papërgjegjshëm, derisa një ditë bëhen të paafta për të mbajtur dhe mbrojtur vetveten. Ky rrezik është rritur në mënyrë dramatike gjatë 48 orëve të fundit. Dalja nga kjo krizë kërkon mobilizim të gjerë intelektual e profesional, sepse siç thoshte Charles de Gaulle “politika është një çështje shumë serioze, për t’ua lënë në dorë politikanëve.”