Monocentrizmi politik i udhëhequr nga kryeministri Rama ka krijuar një asimetri të theksuar institucionale, ku eliminimi i mekanizmave të kontrollit dhe balancimit (checks and balances) ka çuar në dominimin e zgjatur të të njëjtave elita dhe në një polarizim kronik partiak
Një shpjegim më koherent për mobilizimin qytetar gjendet në analizën e faktorëve të brendshëm strukturorë dhe dinamikave të pushtetit regjimal. Qeverisja e Partisë Socialiste, tashmë në mandatin e saj të katërt, karakterizohet nga një konsolidim i plotë i autoritarizmit kompetitiv, ku Kryeministri Edi Rama shfaqet si një autoritet i pakontestueshëm dhe autokratik. Përmes një procesi të tejskajshëm të personalizimit të pushtetit, Edi Rama ka arritur të realizojë një koncentrim monokratik të vendimmarrjes, duke shkrirë në një sferë të vetme kontrollin absolut mbi aparatin ekzekutiv dhe strukturat monolitike partiake.
Ky monocentrizëm politik i udhëhequr nga Kryeministri Rama ka krijuar një asimetri të theksuar institucionale, ku eliminimi i mekanizmave të kontrollit dhe balancimit (checks and balances) ka çuar në dominimin e zgjatur të të njëjtave elita dhe në një polarizim kronik partiak.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMegjithatë, kjo kështjellë e centralizimit autokratik ka filluar të pësojë çarje të rëndësishme legjitimiteti. Ky perceptim publik për kapjen e shtetit është përforcuar nga procedimet penale, hetimet dhe dënimet e formës së prerë nga organet e reja të drejtësisë (SPAK). Fakti që këto goditje kanë përfshirë funksionarët e niveleve më të larta të ekzekutivit dëshmon se, përballë një kryeministri si Edi Rama që kontrollon çdo qelizë politike, korrupsioni nuk përbën më një anomali periferike apo burim të pakujdesisë së zyrtarëve të veçantë, por një produkt direkt të vetë sistemit të tij të centralizuar të qeverisjes. Për rrjedhojë, revolta qytetare nuk adreson thjesht hallkat administrative, burim i pakënaqësive sektoriale, por godet drejtpërdrejt bërthamën e këtij regjimi: autoritetin autokratik të Kryeministrit Edi Rama.
Raste flagrante si ai i ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj (i shpallur në kërkim ndërkombëtar lidhur me aferën e inceneratorëve), ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, apo proceset dhe hetimet ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, shpërfaqin përmasat e kësaj problematike. Gjithashtu, hetimet intensive dhe masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë të Bashkisë së Tiranës, si dhe procedimet që prekin vetë kryebashkiakun Erion Veliaj, kanë kontribuar në forcimin e bindjes publike se korrupsioni nuk përbën më një fenomen episodik, por një sfidë me karakter sistemik.
Në këtë kontekst, kërkesa e protestuesve për dorëheqjen e Kryeministrit Rama vjen si rrjedhojë logjike e doktrinës së përgjegjësisë politike; kur korrupsioni kap me hapa galopantë nivelet vertikale dhe horizontale të pushtetit, llogaridhënia kulmon me kërkesën për largimin e titullarit të ekzekutivit.
Taktika e devijimit të vëmendjes dhe de-përshkallëzimi i krizës: Kur një qeveri përballet me një nivel kaq të lartë dhe të dendur korrupsioni, skandalesh kombëtare dhe aktakuzash zyrtare ndaj kupolës së saj, shtohet probabiliteti i përdorimit të strategjive të devijimit ( diversionit politik). Ekziston gjithmonë mundësia politike që vetë strukturat apo segmentet shtetërore të involvohen në mënyrë të tërthortë në organizimin, nxitjen apo radikalizimin e pakënaqësisë qytetare, me synimin e vetëm për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale dhe llogaridhënia penale.
Në këtë kuadër, artikulimi i narrativave mbi "kërcënimet hibride" apo "duart e jashtme" shërben si një instrument efikas për të zhvlerësuar legjitimitetin e kauzës qytetare, duke tentuar ta kornizojë kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit si një sulm ndaj stabilitetit kombëtar dhe jo si një ushtrim demokratik të llogaridhënies.
Stagnimi i opozitës dhe mungesa e alternativës politike
Nga perspektiva e analizës sistemike, dobësimi i besimit qytetar dhe erozioni i legjitimitetit nuk mund të izolohen vetëm brenda kuadrit të dështimeve të maxhorancës qeverisëse. Paralelisht, opozita parlamentare në Shqipëri po kalon një proces të zgjatur asfiksie organizative, doktrinare dhe programore.
Ky bllokim strukturor vjen si pasojë e tre faktorëve kryesorë:
• Mungesa e qarkullimit elitar: Dominimi afatgjatë i të njëjtave figura historike, veçanërisht brenda Partisë Demokratike, ka krijuar një ngurtësim institucional që pengon inovacionin politik.
• Konfliktet fraksioniste: Lufta e brendshme për kontrollin e vulës dhe strukturave legjitime ka konsumuar kapitalin politik të opozitës, duke e zhvendosur fokusin nga roli i saj si kontrolluese e ekzekutivit drejt mbijetesës së brendshme.
• Vakumi programor: Pamjaftueshmëria për të artikuluar një agjendë alternative ka pamundësuar ndërtimin e një platforme bindëse qeverisëse përballë sferës publike.
Vazhdueshmëria e lidershipit tradicional, e identifikuar gjerësisht me figurën e Sali Berishës — i cili aktualisht përballet me procese të rëndësishme gjyqësore dhe masa izolimi të vendosura nga organet e reja të drejtësisë — reflekton pamundësinë strukturore të opozitës për të gjeneruar modele të reja përfaqësimi. Ky ngurtësim e ka bërë atë të paaftë për t'iu përgjigjur dinamikave dhe pritshmërive të segmenteve të reja të elektoratit, posaçërisht rinisë dhe shtresës së mesme urbane.
Si rrjedhojë e këtij bllokimi dypolar (ku maxhoranca perceptohet si e përfshirë në korrupsion sistemik dhe opozita si e paaftë për të ofruar rrotacion), një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë ka zhvilluar një mosbesim cinik dhe sistemik ndaj të gjithë klasës politike tradicionale.
Në këtë kontekst, karakteri fillimisht organik, autonom dhe i depolitizuar i lëvizjes së Zvërnecit — përpara se ajo të spostohej dhe të merrte përmasa kombëtare në Tiranë — merr një peshë të veçantë analitike. Kjo protestë shërben si një simptomë e qartë e deficitit të përfaqësimit politik dhe si dëshmi e dështimit të partive tradicionale për të luajtur rolin e tyre kushtetues si mekanizma ndërmjetësues midis kërkesave të qytetarëve dhe institucioneve të shtetit.
Emigrimi si faktor strukturor dhe thyerje e kontratës sociale
Një tjetër faktor makro-strukturor që ushqen klimën e pakënaqësisë sociale është emigrimi i vazhdueshëm i popullsisë, i cili në Shqipëri është shumë i theksuar. Nga perspektiva e sigurisë kombëtare dhe zhvillimit, emigrimi nuk përbën vetëm një fenomen demografik apo ekonomik, por një sfidë strategjike me pasoja afatgjata për qëndrueshmërinë e shtetit.
Të dhënat zyrtare të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, të publikuara nga INSTAT, konfirmojnë përmasat e kësaj sfide strukturore. Popullsia rezidente e Shqipërisë ka pësuar një rënie prej 13.8 për qind krahasuar më vitin 2011, duke u tkurrur nga 2.82 milionë në 2.41 milionë banorë (afërsisht 386 mijë banorë më pak). Ky zhvillim, i kombinuar me bilancet murgatore vazhdimisht negative, dëshmon rritjen e ndjeshme të numrit të shtetasve që jetojnë jashtë vendit dhe përshpejtimin e plakjes demografike.
Kur grupmoshat e reja dhe individët me nivel të lartë arsimor zgjedhin largimin si të vetmen rrugë, ky fenomen shndërrohet në një indikator të thyerjes së kontratës sociale ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve publike, duke treguar mungesë besimi te meritokracia dhe siguria ekonomike brenda vendit.
Konkluzion: Zhvendosje e përgjegjësisë apo reflektim strukturor?
Në diskursin politik shqiptar dominon jashtësimi i krizave: autoritetet dhe një pjesë e analistëve i interpretojnë tensionet sociale si ndikime të jashtme për të shmangur llogaridhënien ndaj dështimeve të brendshme. Kjo pavarësi artificiale nga përgjegjësia – përdorimi i pseudo-kauzave gjeopolitike si ekran tymi për të mbuluar korrupsionin sistemik – deformon vlerësimin e kërcënimeve reale ndaj sigurisë kombëtare. Rrjedhimisht, protestat e vitit 2026 (Zvërnec-Tiranë) duhet të deshifrohen si manifestim i pastër i asimetrive të brendshme politike dhe socio-ekonomike.
Përtej kapaciteteve të sigurisë, restaurimi i kontratës sociale kërkon ndërhyrje kirurgjike në strukturën shtetërore dhe opozitare:
• Imunizim institucional: Garantimi i autonomisë së SPAK-ut për goditjen pa kompromis të korrupsionit në nivele të larta dhe sanksionimi i doktrinës së përgjegjësisë politike (dorëheqja e titullarit si normë).
• Dekorruptim administrativ: Reformë radikale në prokurime dhe koncesione, çmontim i rrjeteve të patronazhimit partiak dhe ndalimi i agjencive të inteligjencës për fabrikimin e "alibisë hibride" (pseudo-rreziqeve gjeopolitike).
• Rikonceptim opozitar: Qarkullim elitar përmes kufizimit statutor të mandateve, braktisje e luftës sterile për vula dhe artikulim i një platforme programore që i përgjigjet rinisë dhe shtresës së mesme urbane.
Vetëm ky riorientim mund të kthejë besimin te shteti i së drejtës dhe ta trajtojë eksodin e trurit si emergjencë kombëtare, duke kaluar nga një ekonomi klienteliste drejt një modeli të bazuar te meritokracia.