Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Nga natyra tek burimet e jetesës: Pse pyjet e Kosovës kanë rëndësi për të gjithë

Sh.T. z. Jonas Westerlund, Ambasador i Suedisë në Kosovë  z. Hubert Perr, Udhëheqës për Bashkëpunim i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë

Pyjet mbulojnë gati gjysmën e territorit të Kosovës dhe ato formësojnë peizazhin, jetesën dhe zhvillimin afatgjatë të saj. Për breza të tërë, pyjet kanë mbrojtur ujërat, kanë zbutur ndikimet klimatike, kanë mbështetur biodiversitetin dhe kanë mirëmbajtur të hyrat për njerëzit e vendeve rurale. Derisa presionet mjedisore rriten, pyjet mbeten një nga pasuritë më të vlefshme të Kosovës që kërkojnë mbrojtje dhe shfrytëzim të përgjegjshëm.

Pylltaria është gjithashtu një pjesë integrale e shtyllës sociale dhe ekonomike të Kosovës. Pyjet rregullojnë ujërat, parandalojnë erozionin e tokës, deponojnë karbonin dhe mbështesin specie të ndryshme. Për familjet rurale, ato sigurojnë dru zjarri, produkte pyjore jo-drunore dhe punësim, gjerësa mbështesin turizmin dhe përpunimin e drurit. E ardhmja e pyjeve të Kosovës është ngushtë e lidhur me mirëqenien e popullatës të saj. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian dhe Suedia mbështetën sektorin pyjor në Kosovë, duke njohur rëndësinë e tij që ka për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, zhvillimin rural dhe mbrojtjen e mjedisit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sfidat e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve

Kosova po përballet me pengesa të shumëta në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe që është i bazuar në të dhëna. Agjencia Pyjore e Kosovës (APK) operon me kapacitete të kufizuara teknike dhe infrastrukturë të vjetëruar, duke lënë boshllëqe në planifikim, monitorim dhe zbatim.

Shfrytëzimi i ligjshëm i pyjeve mbetet i ulët, derisa prerjet joformale ushtojnë presion të konsiderueshëm mbi ekosistemet, dëmtojn rigjenerimin dhe ndikojn në biodiversitetin, sipërfaqën e tokës dhe stabilitetin e burimeve ujore. Ndryshimi i klimës rritë më tej rreziqet prej shpërthimit të zjarreve, insekteve, dëmtuesve dhe motit ekstrem.

Programi i Pylltarisë i financuar nga BE-ja dhe Suedia, i zbatuar nga FAO, ka çuar përpara reforma thelbësore. Ai mbështeti zhvillimin e Strategjisë së Pylltarisë 2022-2030 dhe Planit të saj të Veprimit, së bashku me udhëzimet kryesore administrative në përputhje me standardet e BE-së. Transparenca institucionale u përmirësua përmes avancimit dhe funksionalizimit të Sistemit Informativ për Pyjet e Kosovës (SIPK). Programi gjithashtu prezantoi një metodologji të re planifikimi të menaxhimit të pyjeve, duke kaluar nga menaxhimi me fokus në lëndën drusore tek ai shumëqëllimor, dhe i bazuar në ekosistem.

Monitorimi dhe zbatimi i ligjit u forcuan nëpërmjet dronëve, pajisjeve GPS dhe kamerave. Programi mbështeti inicimin e Inventarizimit të tretë Kombëtar të Pyjeve për të gjeneruar të dhëna thelbësore për vendimmarrje në të ardhmen. Ai ka avancuar menaxhimin e qëndrueshëm të jetës së egër, përmirësoi monitorimin e shëndetit të pyjeve duke përdorur metoda të kontrollit biologjik dhe fuqizoj prodhimin e fidanëve dhe pyllëzimin nëpërmjet specieve autoktone dhe qasjeve afër natyrës. Kapacitetet e reagimit ndaj zjarreve u rritën nëpërmjet trajnimeve, mjeteve dhe pajisjeve.

Së bashku, këta hapa mundësojn një sektor pyjor modern dhe rezilient, i cili është i aftë për ti mbrojtur pyjet, gjithmonë duke gjeneruar përfitime mjedisore, sociale dhe ekonomike prej tyre.

Dëmtimi dhe prerja e paligjshme e pyjeve

Prerja e paligjshme e pyjeve mbetet një nga kërcënimet më serioze, duke dëmtuar habitatet, zvogëluar burimet e të hyrave shtetërore dhe duke zgjeruar pabarazitë në zona rurale. Progresi kërkon zbatim të vazhdueshëm të ligjit, institucione të koordinuara, më shumë staf teknik, fonde të mjaftueshme dhe angazhim më të fuqishëm të publikut. Menaxhimi i suksesshëm i pyjeve varet nga besimi i publikut dhe ndarja e përgjegjësive.

Menaxhimi shumëqëllimor i pyjeve – një rrugë drejt prosperitetit

Pyjet e Kosovës kanë potencial të konsiderueshëm ekonomik, kur funksionet mjedisore, sociale dhe ekonomike janë të balancuara. Programi ka mbështetur plane moderne të menaxhimit të pyjeve dhe iniciativa pilot, të tilla si parcelat demonstruese, restaurimi i zonave të degraduara, pylltari të bazuar në komunitet dhe promovimi i produkteve pyjore jo-drunore, duke treguar kështu se menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve është një investim afatgjatë.

Zhvillimi i zinxhirit të vlerës të produkteve pyjore – krijimi i mundësive për vendet rurale

Pylltaria është thelbësore për tranzicionin në ekonomi të gjelbër në Kosovë. Edhe pse kontributi i saj në BPV, punësim dhe të ardhura shtetërore është i pasigurt, analiza e mbështetur nga FAO tregon se përmirësimi i zinxhirit të vlerës mund të gjeneroj 8,500–13,500 vende pune dhe 60–100 milionë euro (0.9–1.4 përqind të BPV-së) çdo vit. Në Suedi, ka afërsisht 140 000 vende pune në këtë sektor dhe në të gjitha shtetet anëtare të BE-së rreth 3,6 milionë vende pune. Që Kosova të përparojë ngjashëm, kërkohet mbështetje qeveritare e synuar, rritje e ndërgjegjësimit dhe aftësi më të mira të përdoruesve të pyjeve.

Zbatimi i ligjit dhe reforma institucionale

Pylltaria e qëndrueshme kërkon institucione të përgjegjshme dhe të pajisura mirë me resurse. Kosova duhet të rrisë personelin e APK-s, buxhetin, koordinimin dhe praktikat e menaxhimit. Me mbështetjen e Programit, u përgatit një Ligj i ri për Pyjet dhe rregulloret përkatëse që janë në përputhje me standardet e BE-së. Kjo ka krijuar një bazë më të fortë për transparencë, zbatim të ligjit, zhvillim të sektorit privat dhe angazhim të komunitetit.

Një përgjegjësi e përbashkët për brezat e ardhshëm

E ardhmja e pyjeve të Kosovës varet nga vendimet e sotme. Nevojitet një angazhim më i madh qeveritar dhe një përgjegjësi kolektive për të mbrojtur këtë pasuri kombëtare. Në këtë kontekst, ne e inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë zhvillimin mbi themelet e hedhura tashmë, duke miratuar legjislacionin sekondar të mbetur sipas Ligjit të Pyjeve dhe duke siguruar zbatimin e tij të qëndrueshëm dhe transparent. Kjo përfshin sigurimin e burimeve adekuate për Agjencinë Pyjore të Kosovës, forcimin e koordinimit ndërinstitucional si dhe duke aplikuar mjetet, të dhënat dhe metodologjitë e zhvilluara përmes programit të mbështetur nga BE dhe Suedia. Përmes integrimit të këtyre rezultateve në politika kombëtare dhe në praktika të mira, Kosova mund t'i aplikoj reformat për ndryshime në terren dhe kështu të avancoj pylltarinë në një sektor strategjik që mbron natyrën, mbështetë mjetet për jetesën dhe kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm, afatgjatë, dhe të përafruar me BE-në.

Sh.T. z. Jonas Westerlund, Ambasador i Suedisë në Kosovë

z. Hubert Perr, Udhëheqës për Bashkëpunim i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë