Opinion

Një ditë si kjo më 1998

Një ditë pas rastit “Panda” në Pejë ishte 15 dhjetori. Nuk ishte kjo ditë e përshtatshme për një OJQ të dilte në terren. Policët serbë ishin tërbuar. Pikërisht atë ditë më 1998, Giuseppe insistoi të shkonim në Jashanicë të Klinës që të shihnim se si mund të rehabilitohej një shkollë e djegur. Rrugës na ndali policia serbe e na akuzoi se ne i kishim vrarë serbët në Pejë. Diçka na shpëtoi!

Autor: Gëzim Mehmeti

E martë, 1 dhjetor 1998

Me Skendën, Tonin dhe Giuseppen u nisëm për në fshatin Gremnik, për të cilin po dëgjoja për herë të parë. Edhe Skenda e Toni nuk kishin dëgjuar më parë për këtë fshat të Komunës së Klinës.

Në udhëkryqin te fshati Dollc, në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, morëm kthesën në të majtë dhe pastaj pas afër 700 metrash prapë në të majtë dhe aty ishte hyrja për këtë fshat.

Pamja që na priti ishte ajo e shtëpive të djegura, sikurse edhe në fshatrat Ujmir, Dobërdol, Çabiq, Gllarevë, Rigjevë dhe Mleqan. Në hyrje të fshatit, poshtë një bregu të vogël, ishin tri shtëpi të papërfunduara së ndërtuari, por të banueshme dhe të padjegura. Nga aty dolën pesë policë serbë në gjendje gatishmërie. Na pyetën se çfarë po kërkonim dhe çfarë po bënim në këtë fshat. Iu treguam se jemi punëtorë të organizatës humanitare joqeveritare “InterSos” nga Italia dhe se qëllimi i saj ishte t’u ndihmonte njerëzve që kishin nevojë të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Pas identifikimit, policët na dhanë leje që të katërve të hynim në fshat. Por, para se të hynim vendosa t’ua bëja një pyetje atyre:

Unë: Kush jeton në këto tri shtëpi? (në serbisht)

Polici: Këtu jetojnë anëtarët e familjeve Spasiq. (në serbisht)

Unë: A mund të jepni emrat e pronarëve të këtyre shtëpive dhe nga sa anëtarë janë? (në serbisht)

Polici serb na tregoi emrat e kryefamiljarëve dhe nga sa anëtarë i kishin këto tri familje. Unë i shkrova në formularin që kishim si përfitues të mundshëm të ndihmave që parashikohej të jepeshin nga OJQ-ja “InterSos”.

Kolegët pothuajse njëzëri më thanë: Pse Gëzim po i shënon serbët për t’iu ndihmuar?

Unë: Do të na duhet të vijmë përsëri në këtë fshat dhe këta policë do të na presin sa herë që do të na duhet të vijmë këtu. Mos harroni që tashmë i kemi pesëqind shqiptarë të regjistruar.

Kolegët: Në rregull, por prapëseprapë nuk është mirë t’u ndihmojnë serbëve që po i strehojnë policët.

Unë: Pajtohem.

Afër gjysmë ore ecëm nëpër rrugët e fshatit dhe krejt çka shihnim ishin shtëpi të djegura, gjë me të cilën tashmë ishim mësuar. Nga njëri breg pamë dy djem që po vinin. U përshëndetëm dhe u treguam se çfarë po bënim. Na udhëhoqën nëpër fshat dhe mbushëm formularët me shtatë kryefamiljarë për të gjithë anëtarët që kishin, si dhe në të njëjtën kohë bëmë fotografi të shtëpive të djegura dhe dëmeve të tjera për dosjet tona.

Edhe në dy ditët në vijim, por tani vetëm me Skendën dhe Giuseppen, regjistruam edhe 16 kryefamiljarë si përfitues të mundshëm të ndihmave. Në hyrje të fshatit çdoherë qëndronin policët serbë dhe me shenja dore na jepnin leje të hynim në fshat.

 

E hënë, 15 dhjetor 1998

Shkova në mëngjes në zyrë të OJQ-së italiane “InterSos”, ku tashmë m’u patën bërë një muaj e gjysme që po punoja.

Po afronin festat e fundvitit për evropianët dhe se Giuseppe, koordinator i OJQ-së, përgatitej të shkonte para Kërshëndellave në Romë, prej nga vinte.

Giuseppe më tha se Skenda me Tonin do të bënin punë në zyrë e mua më tha të shkoja me të në fshatin Jashanicë të Komunës së Klinës, sipas kërkesës së udhëheqësit të zyrës së ECHO-s, francezit Hervé.

Si çdo ditë pune, para se të shkonim në fshatrat ku OJQ-ja “InterSos” parashihej t’u ndihmonte shqiptarëve, të cilëve u ishin djegur shtëpitë, me Giuseppen shkonim në qendër të qytetit dhe e parkonim “Discover”-in afër Ëmbëltores në Korzo.

Shkonim deri te “Hotel Grand Prishtina” për të marrë raportin e KDOM-it (Kosova  Diplomatic Observation Mission ) dhe të KVM (Kosova Verification Mission) të OSBE-së, për ngjarjet dhe gjendjen në Kosovë. Ai raport rëndom ishte dy deri katër faqe. Pastaj uleshim në Korzo, ku Giuseppe merrte një kapuqino dhe një ëmbëlsirë që kishte formën e patkoit, e unë një kafe.

Giuseppe: Siç të thashë, duhet të shkojmë në fshatin Jashanicë, për të shikuar një ndërtesë të shkollës për të cilën Herve kishte informata se është e djegur dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë për ta rehabilituar.

Unë: Giuseppe, sot nuk është mirë të dalim nga Prishtina. Mbrëmë në lajme kam dëgjuar se në një kafene në Pejë janë vrarë katër persona dhe ka qenë informata se janë serbë. Ja ku e paske edhe në raport dhe po të tregoj se sot është shumë e rrezikshme të qarkullojmë, i dinë pikat kontrolluese në Komoran dhe Kijevë.

Giuseppe: Por Herve ka kërkuar që sa më parë të kemi informata për këtë objekt shkollor në mënyrë që nxënësit të kthehen të vijojnë mësimet.

Unë: Giuseppe, e sheh se edhe SUV-ët e portokalltë po lëvizin shumë pak, por nëse është kaq e rëndësishme po nisemi.

Për fshatin Jashanicë kisha dëgjuar, por nuk e kisha vizituar ndonjëherë. U nisëm. Atë ditë kishte lëvizshmëri shumë të vogël si nga njerëzit ashtu edhe nga trafiku i makinave. Giuseppe e ngiste SUV-in “Discovery”. Kur e kaluam qytezën e Fushë- Kosovës vërejtëm që lëvizshmëria e makinave ishte pothuajse zero.

Në pikën kontrolluese në Komoran policët nuk na ndaluan, por dukeshin të tensionuar.

Pika kontrolluese në Kijevë, çdoherë që kalonim andej, kishte shumë makina të blinduara dhe policë në gjendje gatishmërie, pasi që vetëm 300 metra nga aty ishin të pozicionuar ushtarët e UÇK-së. Për ne që kalonim atë pikë kontrolli tashmë ishte thuajse e rëndomtë të na kontrollonin.

Ata na lejuan të niseshim në drejtim të fshatit Ujmir dhe pas pak na ndaluan ushtarët e UÇK-së, të cilët thanë se policët dhe ushtarët serbë kishin gjuajtur në drejtim të tyre, edhe pse ishte arritur një lloj armëpushimi që nga gjysma e tetorit të 1998-s.

Pasi kaluam fshatin Ujmir, arritëm te një udhëkryq, në rrugë të kategorisë së tretë, rrugë e paasfaltuar. Pasi konsultuam hartat që i kishte marrë Giuseppe nga KDOM-i, morëm kthesën në të majtë. Pas disa minuta ngasjeje në rrafshe dhe bregore, arritëm në bregun më të lartë në atë pjesë dhe në anën e majtë ishte një shtëpi druri. Aty para makinës na u shfaqën pengesa me tela gjemborë, kënaçe të mëdha, pjesë metalike dhe gurë.

Nga shtëpia dolën menjëherë me vrap policë serbë me armë automatike (pushkë automatike M70) të drejtuara nga ne dhe pasi u ndal makina na urdhëruan që të dilnim jashtë.

Polici 1: Dilni nga vetura nënën shqiptare ua ...! (në serbisht)

Polici 2: Ku po shkoni nënën shqiptare...? (në serbisht)

Me Giuseppen dolëm nga makina dhe të kërcënuar derisa na shtynin me tytat e pushkëve automatike të shtypura në gjoks, që të dyve na mbështetën për SUV-in nga ana e ngasësit. Na kthyen kah makina dhe tani tytat e automatikëve na shtypnin në shpinë. Pyetjet, kërcënimet dhe sharjet nuk i ndalnin. Nga ta dilte duhmë e rëndë alkooli.

Polici 3: Ku po shkoni? Keni ardhur të vrisni serbë? (në serbisht)

Unë: Jemi përfaqësues të OJQ-së italiane “InterSos” dhe ndihmojmë njerëzit që kanë nevojë. (në serbisht)

Polici 4: Ti dje i ke vrarë gjashtë serbë të rinj e do t’i ndihmosh dikujt? (në serbisht)

Giuseppe: Gëzim, tregoju këtyre që kemi lejen e prefektit të Klinës, Dabizhleviq, që të punojmë në fshatrat e Komunës së Klinës. (në italisht)

Njëri nga policët ia mbante Giuseppes tytën në shpinë: Hesht, që të mos vrasim para tij! (në serbisht)

Derisa shanin e na shtypnin me tyta, unë insistoja t’u tregoja se vinim nga Prishtina dhe se ne u ndihmojmë atyre që kanë nevojë. Policët serbë na akuzonin se ne i kishim vrarë gjashtë serbë në Pejë. Një ditë më herët në atë qytet kishte ndodhur rasti “Panda”, për të cilin shkruhej edhe në raportet e KDOM-it e KVM-së, por edhe ishte raportuar nëpër media.

Polici: A keni ju dokumente se çfarë bëni dhe kujt i ndihmoni? (në serbisht)

Unë: Dokumentet janë në bagazh dhe aty është edhe lista e përfituesve të ndihmave nga OJQ-ja. (në serbisht)

Më lejuan të hapja bagazhin, t’i merrja listat e t’ua tregoja. 508 familje shqiptare ishin të regjistruara në këto lista, por në faqen e fundit figuronin emrat e anëtarëve të familjeve Spasiq të fshatit Gremnik.

Polici i lexoi dhe na thanë të hipnim në makinë. Njëri nga ta na urdhëroi të vazhdonim në atë drejtim nga ishim nisur dhe të kalonim mbi pengesat e vendosura nëpër rrugë. Giuseppe kundërshtoi. Më tha që po tentonin të na çonin nëpër rrugë të minuar. U thashë policëve që ne nuk duam të vazhdojmë tutje, por të kthehemi në Prishtinë. Ata e kuptuan që Giuseppe ishte i vendosur dhe nuk do ta ndërronte mendjen. Na lejuan të ktheheshim në Prishtinë.

Pas disa kilometra ngasjeje dhe kur arritëm në rrugë të asfaltuar, afër qytezës së Klinës, Giuseppe ndaloi makinën dhe më tha: Gëzim, ma jep një cigare dhe ndeze edhe ti një!

Ai nuk e pinte cigaren dhe madje as nuk rrinte në ambiente ku pihej duhani.

Unë: Çfarë ke Giuseppe?

Giusseppe: Po e falënderoj Zotin, që Skenda nuk ishte me ne sot!

Skenda ka qenë pjesë e ekipit tonë. Ishte i dijshëm, i guximshëm dhe sypatrembur.

Ai gjithmonë u fliste në shqip policëve e ushtarëve serbë kur na ndalnin për të na kontrolluar e identifikuar.

Derisa nuk arritëm në Prishtinë, nuk biseduam shumë më me Giuseppen.

 

Gremnik, dhjetor 1998