Dikur sinonim i pushtetit, sot PDK-ja rrezikon ta përsëris fatin e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Një parti që e humbi pushtetin dhe nuk e pati guximin të reformohej. Nëse nuk shkëputet nga pesha e së kaluarës, PDK-ja mund të shndërrohet në një PD të Kosovës. Një strukturë nostalgjie, pa vizion, pa energji, pa të ardhme. Pyetja nuk duhet të jetë më nëse PDK-ja do të rikthehet në pushtet, por nëse do të mbijetojë si forcë politike me identitet të qartë.
E ndërtuar mbi mitin e çlirimit dhe heroizmit të luftës, me ADN-në e UÇK-së, PDK-ja nuk mund të mbështetet më te simbolika e armëve dhe flamurit. Shoqëria kosovare ka ndryshuar. Brezi i ri nuk e sheh më heroizmin si platformë politike dhe PDK-ja nuk ka arritur ta kuptojë këtë transformim. Ky është problemi i saj më i madh. PDK-ja nuk është vetëm jashtë pushtetit, është jashtë kohës.
Dorëheqja e Memli Krasniqit nuk qe e zakonshme. Në Kosovë, dorëheqjet morale janë aq të rralla saqë duken si legjenda. Por kur e gjykon me qetësi e kupton se kjo dorëheqje nuk është çështje imazhi, por duket si një krizë që e ka prekur PDK-në në themelet e saj. Krasniqi, i konsideruar si figurë e brezit të ri, nuk arriti të krijojë momentum, të artikulojë një vizion që do ta shkëpuste partinë nga e kaluara e saj e ngarkuar. Retorika e tij për “energji të reja” dhe për “momentum të ri” mbeti vetëm në letër, ngase realiteti i PDK-së është më i trishtë.
Bedri Hamza, figura që pritet ta marrë drejtimin, shihet si teknokrat, njeri i financave, i stabilitetit ekonomik. Por a mjafton kjo për ta shpëtuar një parti që e ka humbur narrativen?
Hamza nuk është lider karizmatik, nuk është figurë që frymëzon masa, por është njeri i pragmatizmit. Dhe pikërisht këtu qëndron dilema. A mund të ndërtohet një identitet i ri mbi pragmatizmin e ftohtë, kur partia ka nevojë për një vizion ideologjik që e dallon nga rivalët tjerë politikë? Sepse sot, PDK-ja nuk ka ideologji. Ka slogane, ka deklarata për “vizion euro-atlantik”, për “qeverisje të mirë” por këto janë fjalë të zbrazëta që nuk mbështeten nga një platformë e qartë politike. Në fakt, PDK-ja është bërë parti që flet për gjithçka dhe nuk thotë gjë.
Rezultatet zgjedhore të fundit e pozicionuan PDK-në si forcë të dytë, me një bazë elektorale që ende i qëndron besnike, por pa kapacitet për ta rikthyer pushtetin. Kryetari i ri i PDK-së do duhet ta lexojë mirë këtë sinjal alarmi. Bastionet tradicionale nuk mjaftojnë më. Brezi i ri nuk e voton PDK-në sepse nuk e sheh si alternativë. Për të, PDK-ja është pjesë e së kaluarës, ajo që e shpalli pavarësinë, por edhe pjesë e sistemit që i prodhoi korrupsionin, nepotizmin, kapjen e shtetit. Dhe ky perceptim nuk ndryshon me konferenca shtypi apo me fjalime për reformë. Ky perceptim ndryshon vetëm me veprime radikale, me hapje reale të partisë, me një shkëputje të dhimbshme nga e kaluara. Por a e ka PDK-ja guximin për ta bërë këtë? Historia e saj e deritanishme thotë se JO.
Problemi i PDK-së nuk është vetëm imazhi. Është substanca. Është fakti që partia nuk ka një ideologji të qartë. Nuk është më partia e idealizmit kombëtar, sepse ajo periudhë ka mbaruar. Nuk është as partia e qendrës së djathtë me një platformë ekonomike liberale, sepse në fakt këtë kurrë nuk e ka artikuluar. PDK-ja është bërë një strukturë që ekziston për pushtet dhe jo për ide. Dhe kur humbet pushteti, humbin edhe privilegjet. Ky është realiteti brutal që po përballet sot PDK-ja. Dhe ky realitet nuk ndryshon me zgjedhjen e një kryetari të ri, sado i aftë të jetë ai në menaxhimin e financave. Ky realitet ndryshon vetëm me një rishpikje totale të partisë, me një transformim ideologjik që e bën të kuptueshme për shoqërinë se për çfarë ekziston sot PDK-ja.
Por a ka PDK-ja kapacitet për ta bërë këtë? A e ka guximin për të pranuar se modeli i vjetër ka vdekur? Sepse modeli i vjetër ishte i thjeshtë: “Pushtet përmes klaneve, përmes kontrollit të institucioneve, përmes kapjes së ekonomisë”. Ky model nuk funksionon më, jo sepse PDK-ja nuk do, por sepse shoqëria nuk e toleron më. Transparenca është rritur, mediat janë më të lira, rrjetet sociale e kanë bërë të pamundur fshehjen e skandaleve. Dhe mbi të gjitha, ekziston një brez i ri që nuk ka frikë, që nuk ka nostalgji për luftën, që nuk e sheh heroizmin si justifikim për korrupsionin. Ky brez është sfida më e madhe për PDK-në, sepse nuk mund ta blejë, nuk mund ta frikësojë, nuk mund ta manipulojë me retorikë patriotike. Ky brez kërkon punë, meritokraci, transparencë, vizion. Dhe PDK-ja nuk i ka këto.
Hamza mund të jetë një fillim për PDK-në, por nuk është zgjidhja. Sepse Hamza nuk është revolucionar. Është menaxher. Dhe PDK-ja nuk ka nevojë për menaxhim. Ka nevojë për revolucion. Ka nevojë për një figurë që e kupton se partia nuk mund të mbijetojë duke qenë nostalgji e së kaluarës. Ka nevojë për një vizion që e bën PDK-në të kuptueshme për brezin e ri, jo për veteranët e luftës. Ka nevojë për një platformë që flet për ekonomi, për arsim, për teknologji, për integrim euro-atlantik dhe jo për mitingje patriotike. Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për guxim për të pranuar se e kaluara nuk mund të jetë e ardhmja.
Nëse PDK-ja nuk e bën këtë do të mbetet parti e tretë, e katërt, një strukturë që ekziston vetëm për nostalgjikët, klanet e vjetra, për interesa të ngushta. Do të mbetet një hije e vetes, kujtim i një epoke që ka mbaruar. Dhe kjo është tragjedia më e madhe për një parti që dikur ishte sinonim i pushtetit. Sepse pushteti nuk është i përjetshëm, por ideologjia mund të jetë. PDK-ja tani nuk ka ideologji. Dhe pa ideologji, nuk ka të ardhme.
Krahasimet me rajonin e bëjnë këtë krizë edhe më të dukshme. Shikoni VMRO-DPMNE-në në Maqedoni. Një parti që, pas viteve të pushtetit dhe skandaleve, ra në opozitë dhe u përball me dilema të ngjashme. VMRO-ja u përpoq të mbijetojë duke e ruajtur retorikën nacionaliste, por pa reformë reale mbeti e izoluar për vite. Vetëm kur filloi të hapet, të pranojë figura të reja dhe të artikulojë një platformë moderne, arriti të rikthehet si alternativë. HDZ-ja në Kroaci është një tjetër shembull. Një parti e dalë nga lufta, e ngarkuar me korrupsion, por që kuptoi se pa reformë nuk ka mbijetesë. HDZ-ja bëri hapje, e ndryshoi narrativen, investoi në meritokraci dhe sot është sërish forcë dominuese. Në Shqipëri, Partia Demokratike është shembulli i kundërt. E kapur nga barra e së kaluarës, e paaftë për reformë, e zhytur në luftëra të brendshme, sot është parti e fragmentuar, pa vizion, pa energji. Ky mund të jetë rreziku që e pret PDK-në - të bëhet një PD e Kosovës, një strukturë që ekziston vetëm për nostalgjikët, pa asnjë shpresë për rikthim.
Historia e rajonit tregon se partitë që nuk reformohen, vdesin. Partitë që nuk kuptojnë se pushteti nuk është i përjetshëm, por ideologjia mund të jetë, zhduken nga skena. PDK-ja ka ende kohë, por jo shumë. Çdo vit që kalon pa reformë, pa hapje, pa vizion, pa ideologji e afron më shumë me fatin e partive që sot janë vetëm kujtime. Dhe kjo është pyetja që duhet ta bëjë çdo anëtar i PDK-së. A duam të jemi kujtim apo e ardhmja?
Nëse përgjigjja është e dyta, atëherë duhet guxim. Duhet të pranohet se e kaluara nuk mund të jenë udhërrëfyes për të ardhmen. Duhet të pranohet se modeli i vjetër ka vdekur. Dhe duhet të riformatohet si një parti me ide, vizion e energji. Nëse nuk e bëjnë këtë, historia nuk do ta kujtojë PDK-në si një parti që e humbi pushtetin, por si një parti që e humbi kuptimin e ekzistencës.