Nuk ekziston asnjë fjalim i Aleksandar Vuçiqit që të mos jetë kaq psikopatologjik, ekstazik dhe në të njëjtën kohë i konsumuar dhe jashtëzakonisht kontradiktor. Kjo është diçka që sot pothuajse askush nuk e dëgjon më, përveç mbështetësve të tij të verbër dhe individëve pa mend.
Sipas tij, Serbia herë është meta-stabile dhe forca më e fuqishme në rajon, e herë nuk është – por është hiper e rrezikuar, aq sa jeta e saj varet në fije të perit. Pastaj pretendon se është një “tigër ekonomik”, ndërsa njëkohësisht thuajse në prag të kolapsit. Nga njëra anë thotë se të gjithë në botë e adhurojnë, ndërsa nga ana tjetër se të gjithë duan ta rrëzojnë nga pushteti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKëto fjalime ndoshta dikur kanë pasur një qëllim, por ndërkohë janë konsumuar. Vuçiçi e injoron realitetin dhe regjimi i tij është ngatërruar në kontradikta nga të cilat jo vetëm që nuk po del, por në përpjekje për të shpëtuar po i thellon edhe më shumë.
Kështu, nga njëra anë Serbia paraqitet si tigër, panda, buburrec (që i mbijeton gjithçkaje), një nga fuqitë udhëheqëse në Evropë dhe rrjedhimisht edhe në botë. Ndërsa nga ana tjetër, pavarësisht mirëqenies në vend, Serbia – ndoshta sepse pjesa tjetër e botës është xheloze – ndodhet në rrezik të menjëhershëm nga një sulm me intensitet të lartë.
E për përpjekjet për atentat ndaj presidentit as që po flasim.
Pra, nga njëra anë Serbia paraqitet si një nga vendet më stabile, më të sigurta dhe më të fuqishme ekonomikisht e politikisht në botë, ndërsa nga ana tjetër thuhet se është plotësisht e “shpuar” nga brenda. Sepse, sipas Vuçiqit në mënyrë paranojake, fuqitë e huaja “po gërryejnë kudo që munden dhe si të munden, ndërsa fqinjët vetëm sa nuk e kanë kaluar kufirin”.
Por edhe nëse kjo do të ndodhte, presidenti i Serbisë – sipas kësaj retorike – do të ishte si një “ombrellë atomike”. Dhe çfarë mund t’i bëjë dikush Serbisë, kur ajo – sipas tij – ka ushtrinë më të pajisur dhe më vdekjeprurëse në botë.
Edhe nëse aktivizohet sistemi i mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe vetëmbrojtjes shoqërore (ai i njohuri ONO dhe DSZ), le të guxojë pastaj edhe ai “pakti trefish” Tiranë–Zagreb–Prishtinë të sulmojë Beogradin.
Vuçiqi është një autoritet i tillë saqë vetëm transportuesit ajror serb i është lejuar të fluturojë mbi Iranin. Thuhet se ai fluturim është dakorduar drejtpërdrejt në bisedime me Trumpin, Netanjahun dhe mullahët iranianë. Sipas kësaj logjike, ajatollahu “i moderuar serb” Alekhameini i ka lutur që ta ndërpresin luftën për një ose dy orë, në mënyrë që avioni i tij të mund të kthehej sa më i sigurt nga një vendpushim në Egjipt. Sepse, ja, ai paska një ndikim të tillë sa mund ta ndalë edhe një luftë sa herë që t’i teket.
Në të njëjtën kohë, diktatori serb pretendon se të gjithë janë pas kokës së tij dhe, për çudi, tani deklaron se Serbia paska mbetur pa miq – megjithëse paraqitet si një fuqi kaq e madhe.
Në fjalimet e një regjimi që nuk i kushton vëmendje realitetit, kontradikta është diçka e përditshme. Në një hapësirë publike të mbyllur, makina propagandistike serbe, e ngjashme me atë të Gebelsit, punon me kapacitet të plotë. Regjimi serb mund të gënjejë dhe të thotë çfarë t’i vijë ndër mend. Madje mund të pretendojë edhe se Beogradi e rrëzoi qeverinë e Kurtit, për t’u hakmarrë ndaj Albin Kurtit që ia dëboi kriminelin dhe terroristin Radoiçiq nga veriu i Kosovës. Edhe pse kjo, natyrisht, nuk ka asnjë logjikë.
Por si të dëshmohet se dikush gënjen, kur në Serbi mbretëron errësira mediatike?
Nga këndvështrimi i regjimit mund të thuhet edhe se Albin Kurti po bën thirrje për luftë, e jo proksi rus dhe “pudlica” e Mira Markoviqit, si dhe bashkë-arkitekti i botës serbe i Vuçiqit, Aleksandar Vulin. Mund të gënjejnë çfarë të duan – dhe kujt i intereson?
Por e gjithë kjo bëhet me qëllim, sepse regjimi ndodhet në një situatë të dëshpëruar. Studentët dhe qytetarët e kanë ulur mbështetjen për të në rreth 35 për qind dhe ky autokrat serb nuk mund të lëvizë më nga aty. Gënjeshtrat e paturpshme, terrorizimi i qytetarëve, lidhjet e dukshme të pushtetit me krimin e organizuar, lufta kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve – pra shkatërrimi i shtetit, shkelja e kushtetutës dhe e ligjeve, lufta kundër sistemit arsimor dhe kundër fshatarëve – nuk po ndihmojnë. Regjimi nuk është në gjendje t’u ofrojë asgjë qytetarëve, të cilët e kanë kuptuar dhe e përbuzin këtë pushtet grabitqar.
Për këtë arsye kërkohet një arsye për mobilizim: që njerëzit të mblidhen sërish rreth Vuçiqit, ndërsa për t’u mbledhur duhet të ndihen të kërcënuar. Edhe Millosheviqi dilte në sipërfaqe me historinë e rrezikimit të kombit. Ashtu edhe Hitleri. Edhe Putini. Kur nuk kishte më çfarë të shpikte, Putini sulmoi Ukrainën dhe ja ku janë bërë tashmë katër vjet që ndihet shumë mirë, edhe pse Rusia ka marrë tatëpjetën. Ashtu siç sulmi rus ndaj Ukrainës i erdhi mirë Vuçiqit për të nisur narrativën e rrezikimit dhe për të fituar zgjedhjet. Diçka e tillë i nevojitet dëshpërimisht edhe sot: përmes përhapjes së frikës dhe panikut për shpërthimin e një lufte të tretë botërore. Kjo i shërben edhe për të shpikur, përveç projektit grabitqar Expo 2027, edhe ndonjë “ndërmarrje” tjetër ndërtimore grabitqare, sepse kjo që ka nuk duket se është e mjaftueshme.
Megjithatë, edhe pse deri tani të gjitha gënjeshtrat dhe kontradiktat e Vuçiqit kanë shërbyer si një lloj vetëmbrojtjeje për të (si ONO dhe DSZ), ato tashmë janë kthyer kundër tij dhe regjimit të tij. Sepse qytetarët thjesht e shohin se ajo që thotë regjimi nuk ka lidhje me realitetin.
Por unë pohoj se, çfarëdo që të japin, të ofrojnë apo të premtojnë, përveç mbështetësve të tij të verbër dhe “sendviçarëve”, nuk do të ketë mbështetës të rinj – edhe sikur parajsa të rrjedhë nëpër Serbi. Sepse potenciali në rritje i forcave kundër regjimit, me asnjë çmim nuk do të lejojë më vjedhjet rutinë zgjedhore që kanë ndodhur deri tani. Sepse nëse ky regjim mbijeton, më keq se kjo do të ishin vetëm bombat që do të binin në territorin e Serbisë.