Sado që mund të duket paradoksale dhe e mbështjellë me sfidat e aktualitetit të gjithmbarshëm, sot bota si tërësi do të ndalet për një çast që të reflektojë mbi një ndjenjë apo gjendje që shpesh duket e thjeshtë, por është e vështirë të artikulohet e të matet: lumturia.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me rezolutën 66/281, në vitin 2012 e ka shpallur 20 Marsin Ditë Ndërkombëtare të Lumturisë”, me ç’rast edhe Raporti mbi Lumturinë Globale publikohet në këtë kohë, i fundit për vitin 2025 i publikuar më 19 mars 2026.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë këtë pasqyrë globale, Kosova shfaqet me profilin e vet, mes sfidave të përditshme dhe shpresës së qytetarëve për një të ardhme më të mirë e më të sigurt. Kosova në raportin e këtij viti renditet e 16-a për lumturinë, duke tejkaluar kështu Gjermaninë dhe vende të tjera me ekonomi të zhvilluar dhe që konsiderohen me standard të lartë jetese, si Austria, Emiratet e Bashkuara Arabe që kanë edhe ministri për lumturi dhe mirëqenie, pastaj Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo edhe Kanadaja.
Për shumëkënd kjo mund të tingëllojë paradoksale, por për mënyrën e hartimit të raportit, kornizën dhe metodologjinë e raportimit, ky rezulton të jetë realitet objektiv. Se cili është perceptimi real i kosovarëve karshi lumturisë meriton studim shtesë. Një pyetje testuese që mund të shtrohet është nëse lumturia e shprehur sot ka ndonjë perspektivë të së kaluarës përbrenda dhe tendencë krahasimi me të kaluarën.
Pavarësisht kësaj, raportimi si i tillë ka synimin, gjenezën dhe trajektoren e vet të zhvillimit, si matës në nivel global që po e trajtojmë në vijim.
Në masë të konsiderueshme, lumturia lidhet me zhvillim. Për zhvillim, posaçërisht për zhvillim ekonomik në kuptimin e përkushtimit të politikave publike dhe globale dhe në kuptimin modern të fjalës u fillua të flitej pas Luftës së Dytë Botërore, në përpjekje për t’i rindërtuar vendet e shkatërruara nga lufta. Në këtë kontekst kohor u themeluan institucione zhvillimore globale, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, por edhe institucione të tjera, qoftë globale apo rajonale. Po ashtu, matja e zhvillimit ishte një çështje e domosdoshme.
Matja përmes Produktit të Përgjithshëm Bruto PPB/GDP-së ishte qasja më e hershme në këtë drejtim. Ideator i kësaj metode të matjes ishte ekonomisti amerikan, Simon Kuznets, në vitin 1934, i cili kishte tërhequr vëmendjen megjithatë se PPB-ja është metodë që bën matjen e outputit dhe nuk është matës i mirëqenies shoqërore apo i prosperitetit. Me kalimin e kohës u pa se, ndonëse vendet shënonin rritje të konsiderueshme ekonomike shprehur me PPB/GDP, zhvillimi i tyre përballej me disbalance të theksuara, qoftë e shprehur me nivele të larta të pabarazive, varfërisë apo edhe në dëmtime të ambientit dhe ajrit të ndotur. Andaj, kritikat për matjen e zhvillimit përmes PPB/GDP filluan të shfaqen zëshëm.
Në vitin 1968 ishte presidenti i SHBA-së, Robert F. Kennedy, ai i cili në një fjalim në Universitetin e Kanzasit e vuri në pikëpyetje matjen përmes PPB-së: “PPB/GDP mat’ çdo gjë përveç asaj që e bën jetën të vlefshme”. PPB-ja mund të arsyetohej deri në fillimet e shekullit të 21-të për të matur vendet si të Lindjes apo Amerikës Latine për të përmbushur nevojat bazike të tyre, por meqë ekonomitë filluan të zhvilloheshin, dallimi në mirëqenie kishte më pak rëndësi karshi niveleve të të ardhurave, por më tepër në aspektin social dhe faktorët mjedisorë.
Si rrjedhojë, bota filloi të gjurmojë metoda të tjera të matjes së rritjes, përkatësisht zhvillimit ekonomik e shoqëror. Në këtë vazhdë, sot kemi raportin e lumturisë si njërin ndër këto përpjekje, por të cilit ose i kanë paraprirë përpjekje të tjera, ose kanë një ndërlidhje me të. Ja disa prej tyre:
Modelet e mirëqenies: Ideja e një qasjeje multidimensionale për mirëqenie dhe vlerësimin e saj buron nga Butani dhe mbreti i katërt, King Jigme Singye Wangchuck, më 1972 dhe bazohet në konceptin e “Lumturisë Bruto Nacionale (GNH)” si tregues, duke lënë anash përdorimin e PPB/GDP-së si tregues i zhvillimit. Koncepti ka të bëjë me qasje holistike rreth zhvillimit të qëndrueshëm me aspektet joekonomike të mirëqenies, duke u nisur nga fakti se lumturia është qëllim përfundimtar i përbashkët dhe të gjitha të tjerat janë vetëm mjete për të arritur këtë qëllim.
Në rastin e Butanit, arritja e progresit në drejtim të ekonomisë së bazuar në GNH bazohej në katër shtylla të politikave publike: 1) zhvillim socio-ekonomik i qëndrueshëm dhe i barabartë, 2) ruajtja e ambientit, 3) ruajtja dhe promovimi i kulturës, 4) promovimi i qeverisjes së mirë. Më vonë u krijuan nëntë sfera në kuadër të konceptit, përfshirë mirëqenien psikologjike, shëndetin, arsimin, përdorimin e kohës, diversitetin dhe qëndrueshmërinë kulturore, qeverisjen e mirë, vitalitetin e komunitetit, diversitetin dhe qëndrueshmërinë ekologjike dhe standardet e jetesës. Indeksi i të ardhurave nacionale (GNI) krijohet si një tregues i vetëm me 33 tregues të kategorizuar në nëntë sfera që shërbejnë për matje.
Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (HDI), zhvilluar nga ekonomisti Mahbub Ul Haq dhe bazuar në punën e Nobelistit Amartya Sen rreth “mundësive/aftësive” njerëzore si parakusht i lirisë, është lansuar në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, ka për fokus njerëzit dhe mundësitë e zgjedhjeve të tyre. Me synim për të avancuar mirëqenien e njerëzve në vend të fokusit ekskluziv tek ekonomia. Njerëzit si udhëheqës të mirëqenies së tyre, mundësitë që u ofrohen njerëzve të jetojnë jetën që dëshirojnë dhe zgjedhjet e tyre duhet të jenë më të shumta, janë epiqendra e HDI. Dimensionet e HDI-së përfshijnë jetëgjatësinë dhe jetën e shëndetshme me indikatorë jetëgjatësinë, njohuritë-dijen të shprehur me vitet e kaluara në shkollë dhe mesataren e viteve në shkollim e shprehur me indeksin e shkollimit, si dhe standard të mirë jetese e shprehur me të ardhura për kokë banori në kuadër të Paritetit të Fuqisë Blerëse (PPP).
Matja Subjektive e Mirëqenies: ishte ideuar pas krizës financiare globale të dekadës së parë të këtij shekulli nga një raport i sponsoruar nga Komisioni Evropian dhe udhëhequr nga Stiglitz-Sen-Fitoussi (2009). Qëllimi i raportit ishte të rimendohet mënyra se si shoqëritë matin progresin përtej PPB-së, duke u përqendruar në mirëqenie, qëndrueshmëri dhe drejtësi. Raporti gjithashtu rekomandon që vendet të ndërtojnë sistem të raportimit statistikor për mirëqenien subjektive. Për këtë qëllim, OECD-ja ka hartuar kornizën metodologjike të matjes subjektive, e cila shpeshherë quhet matje e “lumturisë” edhe pse ajo ka shtrirje dhe aplikim më të gjerë. Mirëqenia subjektive është definuar si “Gjendje të mira mendore, duke përfshirë të gjitha vlerësimet e ndryshme, pozitive dhe negative, që njerëzit bëjnë për jetën e tyre dhe reagimet afektive të njerëzve ndaj përvojave të tyre”. Definimi përfshin tri elemente: vlerësimi i jetës, reflektues mbi jetën e personit apo ndonjë aspekt specifik të saj, afekti që ka të bëjë me ndjenjat apo gjendjen emocionale të një personi të matura me një pikë të caktuar në kohë dhe “eudaimonia” - si funksionim i mirë psikologjik apo ndjenjë kuptimi ose qëllimi në jetë. Nocioni rrjedh nga filozofia greke e Aristotelit që nënkupton jetë të mirë në afat të gjatë, autentike dhe arritje e potencialit njerëzor përmes virtytit dhe të jetës me qëllim.
Raporti i Lumturisë Botërore: synon vëmendjen drejt mirëqenies së njerëzve gjatë hartimit të politikave udhëheqëse. Të influencuar nga qasja e Butanit dhe hulumtimeve rreth lumturisë, në vitin 2012 zuri fill publikimi i raportit vjetor, të cilit i kishte paraprirë rezoluta e OKB-së 65/309 Lumturia: drejt një qasjeje holistike ndaj zhvillimit. Të dhëna rreth mirëqenies nga 140 vende mblidhen bazuar në një pyetje të vetme udhëheqëse për renditjen e vendeve: “Ju lutem imagjinoni një shkallë me hapa të numëruar nga 0 poshtë deri në 10 lart. Maja e shkallës përfaqëson jetën më të mirë të mundshme për ju dhe fundi i shkallës përfaqëson jetën më të keqe të mundshme për ju. Në cilën shkallë do të thoshit se ndiheni personalisht se qëndroni në këtë kohë?” Raporti Botëror i Lumturisë na kujton se lumturia nuk është vetëm çështje emocionale, por lidhet ngushtë, ndër të tjera, me ekonominë, shëndetin, besimin në institucione dhe lidhjet sociale.
Edhe pse lumturia si gjendje apo si synim afatgjatë njerëzore është e pakontestueshme, përpjekjet për të zhvilluar një kornizë të pranueshme globalisht që mat - komponentin parakusht dhe më të rëndësishëm të lumturisë - zhvillimin ekonomik e social, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Këtyre përpjekjeve nuk mund t’u shmanget Kosova. Krahas përpjekjeve për rritjen e mirëqenies së përgjithshme, përkushtimi i vazhdueshëm për matje dhe tregues me të dhëna kredibile që gjenerohen nga një sistem i raportimit statistikor dhe përmbajtjesor mbetet nevojë e domosdoshme.
(Autori është profesor i shkencave të biznesit dhe qeverisjes me përvojë të gjatë në reforma dhe politika publike)