Enciklika ofron një vizion të teknologjisë të orientuar drejt lulëzimit njerëzor. Ky vizion duhet të zgjerohet për të përfshirë interesat e çdo qenieje të ndjeshme, njerëzore dhe jo-njerëzore, biologjike apo ndoshta artificiale. Shpresohet që enciklika e parë e Leonit të nxisë një bisedë që kemi nevojë urgjente ta zhvillojmë
Papa Leoni XIV meriton vlerësim të madh për faktin se e ka bërë inteligjencën artificiale (IA) temë të enciklikës së tij të parë, Magnifica Humanitas. Bota është e papërgatitur në mënyrë alarmante për transformimin shoqëror dhe ekonomik që po sjell IA-ja. Thirrja e Leonit për më shumë reflektim dhe veprim lidhur me IA-në meriton të dëgjohet nga politikëbërësit dhe publiku, fetar apo laik, kudo.
Leoni vëren me të drejtë se IA-ja përfaqëson një transformim të krahasueshëm në përmasa me revolucionin industrial – dhe se, ashtu si me industrializimin, nëse teknologjia do të rezultojë e dobishme apo e dëmshme do të varet nga mënyra se si përdoret. Ai ka gjithashtu të drejtë kur thotë se “dora e padukshme” e tregut nuk mund të besohet se do ta drejtojë IA-në drejt së mirës së përbashkët dhe se rregullimi i saj është urgjentisht i nevojshëm.
Enciklika është realiste për kufijtë e utopizmit teknologjik. Premtimi se inteligjenca artificiale do ta çlirojë njerëzimin nga puna e rëndomtë e e lodhshme dhe do të hapë një epokë të kohës së lirë është dëgjuar edhe më parë – për mekanizimin, automatizimin dhe internetin. Çdo herë, përfitimet kanë shkuar në mënyrë disproporcionale te ata që tashmë kishin pasuri dhe pushtet, ndërsa shumë të tjerë janë përkeqësuar. Kjo do të ndodhë përsëri, përveç nëse qeveritë binden të ndërmarrin veprime të forta para se të jetë tepër vonë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAskund kjo nuk është më urgjente sesa te çështja e punësimit. Magnifica Humanitas i kushton vëmendje të konsiderueshme tronditjes që IA-ja tashmë po i shkakton punës dhe që ka gjasa ta shkaktojë në një shkallë shumë më të madhe në vitet e ardhshme.
Leoni këmbëngul se puna nuk është thjesht burim të ardhurash, por një shprehje themelore e dinjitetit njerëzor – “një rrugë normale drejt pjekurisë, zhvillimit dhe përmbushjes personale”. Një shoqëri në të cilën IA-ja përqendron përfitimet e produktivitetit te një elitë e vogël, ndërsa një numër të madh njerëzish i dënon me “pasivitet të detyruar”, mund të jetë më efikase në një kuptim të ngushtë, por nuk do të jetë një shoqëri më e mirë, as nuk do të ketë mirëqenie më të lartë të përgjithshme.
Nuk duhet të presim një tranzicion gradual dhe të menaxhueshëm. Shpejtësia dhe shtrirja e zëvendësimit të punëtorëve nga IA-ja ka të ngjarë të jetë pa precedent historik, duke prekur njësoj profesionet e jakave të bardha dhe ato të jakave blu: radiologë dhe avokatë, mësues dhe shkrimtarë, punëtorë fabrikash dhe shoferë kamionësh.
Tekno-optimistët na sigurojnë se teknologjitë e reja gjithmonë krijojnë vende të reja pune. Por ky model historik mund të mos vlejë kur teknologjia në fjalë është në gjendje të kryejë detyra njohëse po aq sa edhe fizike, pothuajse në çdo fushë. Thirrja e Leonit që qeveritë të mbështesin rikualifikimin profesional, të mbrojnë punëtorët në kohë krize dhe të sigurojnë që përfitimet e IA-së të shpërndahen në mënyrë të drejtë, është me qëllim të mirë. Por a mjafton kjo?
Programet e rikualifikimit, sado mirë të hartohen, nuk mund të përthithin miliona punëtorë të zhvendosur nëse vendet e punës për të cilat trajnohen po automatizohen gjithashtu. Lidhja mes punës dhe të ardhurave duhet të rishqyrtohet, qoftë përmes një të ardhure bazë universale, një reduktimi të ndjeshëm të orarit të punës apo ndonjë mekanizmi tjetër. Çështja se si të shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe humane përfitimet e produktivitetit të IA-së duhet të trajtohet tani, jo në një të ardhme të papërcaktuar.
Madje, përtej kësaj, shtrohet pyetja se çfarë do ta zëvendësojë rolin që puna luan për shumë njerëz në ofrimin e qëllimit jetësor dhe në ndërtimin e lidhjeve shoqërore përtej familjeve dhe komuniteteve lokale. Do të ishte e mrekullueshme nëse njerëzit do të gjenin kënaqësi në punë vullnetare për të ndihmuar ata që janë më keq ose për të mbrojtur mjedisin tonë të brishtë natyror, por po aq e mundshme është që ata ta kapërcejnë mërzinë në mënyra më pak të kënaqshme dhe më pak të dobishme për shoqërinë.
Këtu vizioni i Leonit për komunitetin dhe solidaritetin mund të kishte më shumë për të ofruar. Enciklika e njeh punën si “një të mirë parësore për familjet dhe për shoqërinë”, por nuk e ndjek më tej pyetjen se çfarë mund ta zëvendësojë atë në një botë ku, për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së rritur, puna siç e konceptojmë sot thjesht nuk do të jetë e disponueshme.
Kur enciklika prek çështjen e vështirë të statusit moral të vetë IA-së, ajo zhgënjen. Leoni deklaron prerazi se sistemet e IA-së “nuk përjetojnë përvoja”. Kjo mund të jetë e vërtetë sot, por mund të pushojë së qeni e vërtetë për modelet e ardhshme të IA-së.
Edhe si deklaratë për sistemet aktuale të IA-së, siguria e Leonit nuk është e justifikuar. Dario Amodei, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Anthropic”, tha në shkurt: “Ne nuk e dimë nëse modelet janë të vetëdijshme”. Nëse Amodei dhe kolegët e tij, të cilët krijuan Claude-in, një nga sistemet kryesore të IA-së, nuk e dinë këtë, nuk ka gjasa që Leoni ta dijë.
Kjo ka pasoja praktike. Kuadri i enciklikës mbështetet në një konceptim të dinjitetit njerëzor që pasqyron një etikë specifikisht antropocentrike. Nëse sistemet e IA-së një ditë demonstrojnë vetëdije, atëherë një etikë e ndërtuar vetëm rreth dinjitetit njerëzor do të rezultojë e pamjaftueshme, në të njëjtën mënyrë siç ka rezultuar e pamjaftueshme një etikë e ndërtuar vetëm rreth interesave të një kombi apo një race kur është kërkuar zgjerimi i konsideratës morale.
I njëjti antropocentrizëm që kufizon trajtimin e IA-së në enciklikë ka një histori të gjatë në mendimin moral katolik. Ai e çoi Thomas Aquinas, teologun katolik më me ndikim të mijëvjeçarit të fundit, të mohonte se ne kemi detyrime ndaj kafshëve jo-njerëzore. Edhe pse Papa Françesku u largua nga ajo traditë në enciklikën Laudato Si’, Leoni duket se i është rikthyer asaj në Magnifica Humanitas. Ai bën thirrje për përfshirjen e të pambrojturve, por nuk përmend – as edhe një herë, në 42 mijë fjalë – miliardat e kafshëve jo-njerëzore, jeta dhe vdekja e të cilave tashmë po ndikohet nga roli që IA-ja po luan në fermat industriale, të cilat shkaktojnë vuajtje në një shkallë pothuajse të pakonceptueshme.
E njejta paradigmë teknokratike që i trajton punëtorët si burime për t’u optimizuar, i trajton edhe kafshët e ndjeshme si thjesht njësi prodhimi. Nëse kuadri moral i enciklikës nuk mund ta përfshijë këtë realitet, kjo nuk ndodh sepse problemi është i vogël, por sepse kuadri është tepër i ngushtë.
Enciklika ofron një vizion të teknologjisë të orientuar drejt lulëzimit njerëzor. Ky vizion duhet të zgjerohet për të përfshirë interesat e çdo qenieje të ndjeshme, njerëzore dhe jo-njerëzore, biologjike apo ndoshta artificiale. Shpresohet që enciklika e parë e Leonit të nxisë një bisedë që kemi nevojë urgjente ta zhvillojmë.
(Peter Singer është profesor i etikës mjekësore në Centre for Biomedical Ethics dhe profesor emeritus i bioetikës në Princeton University. Librat e tij përfshijnë The Life You Can Save, dhe ai është themelues i organizatës jofitimprurëse me të njëjtin emër. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)