Rajon

Biserko: Vuçiqi është delegjitimuar, s’mendoj se ka shanse të mbijetojë

Biserko

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut ka shprehur bindjen se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk ka shanse që të mbijetojë në pushtet dhe se për këtë arsye po i përdor dhunën dhe represionin ndaj studentëve. Tek e ka komentuar përdorimin e sloganeve nacionaliste, përfshirë edhe ato për Kosovën, gjatë protestave të kohëve të fundit në Serbi, Biserko ka theksuar se qytetarët serbë veçse janë ngopur me të këtilla mesazhe dhe se janë të vetëdijshëm që Kosova është e humbur

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka tejkaluar të gjitha vijat e kuqe nëpërmjet korrupsionit, arrogancës e poshtërimeve ndaj qytetarëve dhe është delegjitimuar, ka thënë kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, Sonja Biserko.

Në intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Biserko teksa i ka komentuar zhvillimet rreth protestave studentore në Serbi ka theksuar se presidenti Vuçiq nuk ka shanse për të mbijetuar në pushtet dhe se për këtë arsye po i përdor dhunën dhe represionin ndaj studentëve.

“... po bëhet gjithnjë e më i dhunshëm, sepse ai po përdor kriminelë që i ka veshur me uniforma policësh dhe ata janë më të këqijtë që po rrahin studentët gjithandej. Po i arrestojnë, po i dërgojnë në mbajtje, disa nga protestuesit janë lënduar shumë keq. Prandaj kjo në njëfarë forme ka ndikim shumë të madh në shoqëri dhe nëse Vuçiqi vazhdon kështu, frikësohem se Serbia është në prag të greminës dhe kjo situatë nuk e di se si mund të zgjidhet, sepse nuk ka ndonjë autoritet tash që t’i përmbushë kërkesat dhe të moderojë gjendjen, duke marrë parasysh kërkesat nga të gjithë akterët politikë në këtë fazë”, ka theksuar ajo.

E tek ka komentuar përdorimin e sloganeve nacionaliste, përfshirë edhe ato për Kosovën, gjatë protestave në Serbi, Biserko ka theksuar se qytetarët serbë veçse janë ngopur me të këtilla mesazhe.

“Disa mendojnë se publiku reagon në këto çështje, por s’jam aq e sigurt, sepse, për shembull, qytetarët e Serbisë janë të vetëdijshëm se Kosova është e humbur dhe se në Bosnjë-Hercegovinë nuk do të lejohet ndarja e Republikës Sërpska”, ka thënë ajo.

KOHA: Zonja Biserko, e kemi parë që ditëve të fundit protesta e studentëve në Serbi në njëfarë forme ka eskaluar, me studentë që i bllokuan rrugët në Beograd dhe në qytete të tjera. Cili është vlerësimi për situatën aktuale politike në Serbi?

Biserko: Pas së shtunës së 28 qershorit, në ditën e Vidovdanit, ishte një befasi, sepse mendoj se protesta u kap nga nacionalistët të cilët imponuan një retorikë nacionaliste, duke iu referuar Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e kështu me radhë. Megjithatë, nuk mendoj se ky është i gjithë tregimi, sepse dekani i tyre po fliste për gjërat që kanë folur në protesta këtyre muajve dhe mendoj se studentët po takohen në vende të ndryshme, varësisht nga përkatësia politike e tyre dhe kjo pak a shumë është edhe e natyrshme, sepse deri tash ishin apolitikë. Kishin kërkesa që nuk mbështeteshin nga (presidenti i Serbisë, Aleksandër) Vuçiq dhe për herë të parë ata tash po kërkojnë edhe zgjedhje të reja, të cilat Vuçiqi po i mohon. Qartazi Vuçiqi nuk është i sigurt se do të ishte dominues me partinë e tij pas këtyre zgjedhjeve. Ai ende ka përkrahje të fortë nga mbështetësit e tij, por jo më 50% dhe më siguri më pak se 40%, ani pse këtu nuk jam e sigurt për përqindjen. Por sidoqoftë, ai po heziton ta lejojë mbajtjen e zgjedhjeve, sepse nuk është i sigurt sa i suksesshëm do të jetë. Në anën tjetër, studentët po vazhdojnë me bllokadat, dhe kanë taktika shumë kreative. Nuk jam i sigurt se kanë një strategji afatgjate, dhe mbase edhe janë shumë të rinj, e ndoshta edhe pa përvojë për të pasur një strategji dhe vizion për të ardhmen e Serbisë. Prandaj, këtu ende ka shumë pavendosmëri dhe do të shohim se cila do të jetë lista zgjedhore e tyre sepse po flitet për njerëzit që do të kandidohen në listën e studentëve. Ende s’dihet se kush do të jetë në këto lista.  Në anën tjetër, opozita dhe shoqëria civile e kanë mbajtur distancën me studentët dhe kjo i ka lejuar ata që janë në universitet, kampuse që iu mundësua ta shtojnë ndikimin e nacionalistëve dhe kjo reflektoi edhe me protestën e 28 qershorit dhe po i referohem retorikës nacionaliste që daton nga koha e Millosheviqit dhe po ashtu simbolet që përdorën. Disa analistë këtu thonë se protestuesit u përpoqën që të hyjnë në “këpucët e Vuçiqit”, për ta mundur Vuçiqin, duke përdorur pikërisht mekanizmin e Vuçiqit.

KOHA: Por a nuk e zbeh kauzën në thelb të protestuesve nëse dëgjoni thirrje nacionaliste të studentëve në protestë. Çfarë mendimi keni ju?

Biserko: Është shumë e vështirë për t’u thënë një gjë e tillë, sepse publiku serb është shumë heterogjen. Dhe duhet ta keni parasysh se kjo shoqëri ka qenë nën presion të nacionalizmit dhe popullzimit për më shumë se katër dekada dhe ka aq shumë shtresa të cilat duhet identifikuar për të kuptuar se çfarë po ndodh. Mendoj se shumica e njerëzve janë thellësisht dhe fort kundër regjimit të Vuçiqit. Ai ka tejkaluar gjitha vijat e kuqe përmes korrupsionit, arrogancës, me poshtërimet e tij ndaj gjithë qytetarëve në Serbi. Kështu që ai ka mbaruar dhe është delegjitimuar, dhe mendoj se nuk ka shanse për të mbijetuar dhe prandaj po përdor dhunën dhe represionin ndaj studentëve dhe po bëhet gjithnjë e më i dhunshëm, sepse ai po përdor kriminelë që i ka veshur me uniforma policësh dhe ata janë më të këqijtë që po rrahin studentët gjithandej. Po i arrestojnë, po i dërgojnë në mbajtje, disa nga protestuesit janë lënduar shumë keq. Prandaj kjo në njëfarë forme ka ndikim shumë të madh në shoqëri dhe nëse Vuçiqi vazhdon kështu, frikësohem se Serbia është në prag të greminës dhe kjo situatë nuk e di se si mund të zgjidhet, sepse nuk ka ndonjë autoritet tash që t’i përmbushë kërkesat dhe të moderojë gjendjen, duke marrë parasysh kërkesat nga të gjithë akterët politikë në këtë fazë. Studentët kanë një kapital të fortë politik, moral dhe mund ta përdorin këtë kapital në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen herët a vonë. Vuçiqi nuk mund t’i shtyjë zgjedhjet përjetësisht. Varet se sa studentët do të jenë këmbëngulës në periudhën që po vjen, për të organizuar strukturën e tyre, duke sjellë një vizion dhe program dhe jo vetëm ta mundin Vuçiqin në zgjedhje me retorikë nacionaliste e kështu me radhë. Mendoj se njerëzit janë ngopur me këtë gjë. Disa mendojnë se publiku reagon në këto çështje, por s’jam aq e sigurt, sepse për shembull qytetarët e Serbisë janë të vetëdijshëm se Kosova është e humbur dhe se në Bosnjë nuk do të lejohet ndarja e Republikës Serbe. Kështu që disa gjëra tashmë dihen, por narrativët në media dhe në hapësirën publike, ani pse këto realitete janë të ditura. Bëhen kështu, sepse kështu tregojnë mungesën e politikave të vërteta dhe vizionit për të ardhmen e Serbisë.

KOHA: A besoni se themelet e regjimit të Vuçiqit janë lëkundur këto ditë, meqë jam i bindur se e keni parë çfarë ka thënë së fundmi Aleksandër Dugin, ideologu rus që është i afërt me Vladimir Putinin. Ai ka dalë shumë hapur kundër Vuçiqit, duke komentuar mbi protesta, duke thënë se Vuçiqi e ka humbur legjitimitetin dhe se ka mbaruar koha e tij. A ju befason fakti se një njeri i afërt me Putinin ia ka kthyer shpinën dhe ka dalë kundër Vuçiqit?

Biserko: Mendoj se Rusia po ushtron presion shumë të madh mbi Vuçiqin – për të zgjedhur anë dhe kështu t’ia kthejë shpinën Bashkimit Evropian dhe ky presion e këto qëndrime janë në këtë funksion do të thosha. Është formë e presionit rus ndaj Vuçiqit dhe nuk e di se si Vuçiqi do t’i shpëtojë gjithë këtij presioni, sepse në të njëjtë kohë ai po manovron me Perëndimin, duke shpresuar se Trumpi do të ishte në anën e tij dhe se do ta toleronte Serbinë për gjërat që ajo do t’i bënte, por e kemi parë se asgjë nga kjo s’ka ndodhur. Vuçiqi kishte një vizitë të pasuksesshme në Florida. Kur shkoi në Paradën ushtarake në maj në Moskë nuk u prit ngrohtësisht nga Putini, i cili iu ankua për dërgesën e armëve në Ukrainë. I përsëritën këtë gjë disa herë rusët, ani se e dinin për vite të tëra se Serbia po dërgonte armë në Ukrainë, por mendoj se tash është momentumi kur mund ta ushtrojnë presionin më fort, sepse Vuçiqi është më dobët. Mendoj se rusët po ashtu janë infiltruar në protestën e studentëve përmes nacionalistëve nëpër universitete. Prandaj, ky është një veprim hibrid nga Rusia dhe të djathtët ekstremë në Serbi, dhe kjo është vazhdimësi se çfarë bëri Millosheviqi dhe Koshtunica, dhe tani edhe Perëndimi po e mbyll njërin sy ndaj kësaj. Po e trajtojnë Ballkanin Perëndimor vetëm si një çështje sigurie dhe po mendojnë se stabilokracia po funksionon me Vuçiqin. Mendoj se këtu e kanë shumë gabim, sepse situata në Serbi është shumë e tensionuar dhe mendoj që në këtë pikë do të ishte mirë të kishte ndërmjetësim nga Bashkimi Evropian, dikush që ka autoritet, siç kishte ndodhur më 1997-n me protestat studentore. Nuk e di çfarë mekanizmi do të ishte dhe se si do të ishte qasja, por është koha që dikush të ndërhyjë për të ndihmuar për ta tejkaluar tensionin dhe për të kanalizuar gjithë këtë energji në sferën politike.

KOHA: Pyetja ime është se a ju befason fakti se të afërmit e Putinit janë më kritikë ndaj Vuçiqit sesa lidershipi në Bruksel apo edhe në Washington, i cili po rri qetë dhe vetëm po kërkon mos të ketë përshkallëzime në shtetin tuaj. Çfarë qëndrimi keni në lidhje me këtë?

Biserko: Mendoj se Rusia është duke e rritur presionin dhe kjo po bëhet nga manuali i tyre: prej qëndrimeve, kritika por në anën tjetër, Vuçiqi është djali i tyre më i mirë që mund ta kenë këtu në Serbi me kaq shumë ndikim dhe koncentrim të pushtetit që ka. Ndërkohë që siç thashë, Bashkimi Evropian po e toleron Vuçiqin dhe mendoj se është qasje e gabuar, duke shpresuar se Vuçiqi do ta mbajë status quonë.