Rajon

Kuvendi i Republikës Sërpska e miraton vendimin antikushtetues për mbajtjen e referendumit

kuvendi rs

Kuvendi i Republikës Sërpska (RS) e ka miratuar të premten në mbrëmje vendimin antikushtetues për mbajtjen e referendumit, mbi vendimet e Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kundër ish-presidentit të RS-së, Milorad Dodik. 

50 deputetë votuan pro. Sipas këtij vendimi, autoritetet e RS-së nuk do të ndërmarrin asnjë veprim që çon në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Republikën Sërpska. Në vendim thuhet se Kuvendi nuk e pranon aktgjykimin e Gjykatës kundër Dodikut, si dhe vendimin e KQZ-së për t’ia përfunduar mandatin atij, raportoi N1.

Bazuar në vendimin e miratuar, referendumi do të mbahet më datë 25 tetor.

Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në Ligjin për referendumin dhe nismën qytetare, të cilat do t’ia mundësojnë Kuvendit të Republikës Sërpska të formojë komisione të posaçme për ta shtyrë përpara procesin.

Milorad Dodiku nuk është më zyrtarisht president i RS-së që nga 18 gushti, përderisa KQZ-ja e Bosnjës është e detyruar që brenda 90-ditëve të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë.

Në fillim të muajit gusht, Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës e kishte dënuar Dodikun me një vit burgim, si dhe ia kishte ndaluar atij ushtrimin i funksioneve politike për gjashtë vjet. Por, dënimi me një vit burgim ndaj tij është zëvendësuar me gjobë prej 18 mijë eurosh.