Studentë serbë, të cilëve u janë bashkuar edhe mijëra qytetarë të tjerë, janë nisur në marsh drejt Novi-Sadit për protestën më të madhe që synojnë ta organizojnë kundër pushtetit të Aleksandër Vuçiqit. E Vuçiqi, që protestat i sheh si komplot të Perëndimit kundër tij, ka paralajmëruar veprimin e policisë.
Dhjetëra e mijëra studentë e qytetarë serbë kanë nisur marshin drejt Novi-Sadit, në protestën që pritet të jetë më e madhja kundër pushtetit të Aleksandër Vuçiqit. Organizimi bëhet në njëvjetorin e vdekjes së 16 qytetarëve, nga çatia e një stacioni hekurudhor që u shemb pak kohë pas rinovimit.
Protestat, të cilat fillimisht nisën për të kërkuar llogari nga pushteti për këtë tragjedi, u shndërruan shpejt në lëvizje masive që kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe reforma të mëdha demokratike.
E kur u pyet nga një gazetar për përkujtimin e së shtunës, Vuçiq është përpjekur ta ulë rëndësinë e protestës, tek ka theksuar se nuk do të ketë ndryshim të qeverisë.
“Çfarë po ndodh në Novi-Sad? A po luhet ndonjë ndeshje futbolli? Shumë njerëz do të zhgënjehen për shkak të pritshmërive të tepërta nga ky tubim. Nuk do të ketë ndryshim qeverie”, ka deklaruar presidenti serb.
Vuçiq ka kërcënuar me arrestime masive nëse protestuesit përdorin dhunë dhe ka thënë se mbështetësit e tij po planifikojnë një tubim që e ka quajtur “shumë më të madh” më vonë në nëntor.
E, gjatë ditës, policia ka arrestuar në Novi-Sad, Misha Baçullovin, politikan opozitar që e kundërshton Vuçiqin, dhe aktivist në protestat kundër tij. Mediat pro presidentit serb raportuan se arrestimi u bë nën dyshimin se Baçullovi ka planifikuar të inskenojë helmimin e vet dhe më pas ta akuzojë Vuçiqin dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë për këtë.
Gjatë marshit, protestuesit u ndalën në qytetin e Indijas ku ngritën tenda.
“Dhimbja qe e kemi sot nuk është asgjë në krahasim me qëllimet tona. E kaluam natën këtu, në tenda. Por ishte më mirë sesa kemi menduar. Nuk jemi lodhur. Askush nuk është lodhur. Do të vazhdojmë marshin sot”, ka theksuar Mina Lazic, studente e cila i është bashkuar marshit.
Shumica e protestave të organizuara deri tani kanë qenë paqësore. Por ka pasur edhe incidente të shkaktuara nga mbështetësit e Vuçiqit, ndërsa policia ka arrestuar qindra protestues.
Kësaj radhe pritet që njerëzit të organizojnë tubime të ndara në Novi-Sad, formulë që besohet se do ta bëjë më të vështirë ndërhyrjen e policisë, krahasuar me një tubim të vetëm qendror.
Incidenti tragjik i 1 nëntorit të 2024-s u është atribuuar neglizhencës së qeverisë, korrupsionit të përhapur dhe marrëveshjeve të dyshimta me kompani kineze ndërtimi që morën pjesë në rinovimin e stacionit të trenit.
Megjithatë, Vuçiq ka thënë se protestat janë komplot i Perëndimit për ta larguar nga pushteti.