Zyrat e Partisë Progresive Serbe (SNS) e cila është në pushtet, janë djegur gjatë natës së pestë radhazi me trazira, ku pati përleshje të reja midis protestuesve antiqeveritarë dhe policisë së trazirave.
Policia në qytetin e Valjevës thuhet se përdori granata me tym dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve, pasi një grup i vogël individësh të maskuar sulmuan objektet e zbrazëta të SNS-së, shkruan BBC.
Kishte akuza të përhapura për dhunë dhe brutalitet policor në kryeqytet, Beograd, dhe Novi Sad. Ministria e brendshme e Serbisë i ka mohuar këto akuza.
Kjo vjen ndërsa Rusia u zotua të ndihmojë presidentin pro-Moskës Aleksandar Vuqiç, i cili drejton SNS-në, duke thënë se nuk do të “mbetet pa reagim”.
Protestat u shkaktuan fillimisht nga shembja e një stacioni hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit të kaluar që vrau 16 persona.
Ndërsa demonstratat kundër korrupsionit kanë tërhequr qindra mijëra protestues, ato kishin qenë kryesisht paqësore deri në përplasjen e së mërkurës, kur besnikët pro-qeveritarë organizuan kundërdemonstrata.
Të shtunën në mbrëmje, policia u vendos përsëri në një numër qytetesh, përfshirë Beogradin, ndërsa njerëzit morën pjesë në demonstrata për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.
Zyrat dhe flamujt që përfaqësonin partinë SNS të Vuqiçit kanë qenë në qendër të zemërimit të protestuesve.
Protestuesit gjithashtu thyen dritaret e selisë së Partisë Radikale Serbe, një partnere e koalicionit të SNS-së.