Tensione janë shënuar para Kryeministrisë në Shqipëri gjatë protestës së thirrur nga opozita të hënën.
Menjëherë pas fjalimit të kryedemokratit Sali Berisha protestuesit nisën të përplasen me policinë duke hedhur flakadanë në drejtim të godinë së qeverisë.
Situata u menaxhua nga forcat e shumta të policisë që kishin krijuar një kordon përreth Kryeministrisë duke shmangur përplasjet me protestuesit.
Berisha u largua nga protesta menjëherë sapo mbaroi fjalimin e tij, ndërkohë që protestuesit vijuan të qëndrojnë para godinës së qeverisë duke u përpjekur herë pas here të heqin gardhin metalik të vendosur nga policia.
PD organizoi mbrëmjen e së hënës protestën kombëtare ku morën pjesë edhe përfaqësues të fraksioneve brenda partisë siç është Ervin Salianji.
Në fjalën e mbajtur para mbështetësve Berisha premtoi se opozita do ta rrëzojë qeverinë e kryeministrit Edi Rama të cilin e cilësoi kapobandë dhe përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.
Kreu i PD-së iu përgjigj edhe skeptikëve ndaj protestave të opozitës, duke theksuar se qëllimi i tyre është largimi i kryeministrit nga pushteti.
“Në këmbë shqiptarë, me misionin historik për të larguar Ramën. Për të shpëtuar familjen shqiptare, demokracinë. Ne jemi këtu sot dhe jam i bindur se me të drejtë ka qytetarë në shesh dhe të tjerë që na ndjekin dhe thonë: ‘Çfarë do bëjnë këta? Ne do bëjmë atë ‘ja do vdesim, ja do rrojmë për liri’. Mjerë ai që provohet me ne. Ne do t’i shkojmë në Surrel… Kur ne kemi dalë me këtë betim, kurrë nuk kemi humbur. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbin ne, të nxijnë Shqipërinë… Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë”, deklaroi Berisha./Euronews.al
Tensione në protestën e opozitës! Hidhet molotov drejt dyerve të Kryeministrisë pic.twitter.com/140LGtzb9x
— Euronews Albania (@EuronewsAlbania) December 22, 2025
Një protestues në Shqipëri përfshihet nga flakët
Një protestues ka marrë flakë gjatë protestës që u zhvillua sot nga opozita.
Ai i është afruar një molotovi të hedhur përpara Kryeministrisë, i cili më pas ka shpërthyer, raporton Top Channel.
Pas kësaj ngjarjeje ai është ndihmuar nga të tjerë të pranishëm në protestë.
Nuk dihet gjendja e tij shëndetësore dhe nëse ka probleme.