Showbiz

5 seriale fantastike që lansohen gjatë korrikut

The Sandman

Ekranet televizive po pasurohen me disa seriale fantastike gjatë muajit korrik. Në mesin e lansimeve të reja ka projekte të zhanreve të ndryshme që vijnë të realizuara nga disa prej platformave më të popullarizuara në treg.

“The Sandman”

“The Sandman” rikthehet me sezonin e dytë në Netflix. Ky adaptim i librave të njohur komikë të autorit, Neil Gaiman, e shpejton ritmin në vazhdimin e ri dhe të fundit, duke anashkaluar harqe të shumta historie në mënyrë që të arrijë më shpejt në fund të sagës, “The Sandman”.

Në këto episode të fundit, mbreti i ëndrrave, Lord Morpheus, i portretizuar nga aktori Tom Sturridge, një entitet që ka ekzistuar në një formë apo tjetër që para agimit të historisë njerëzore, përballet me shumë gabime që i ka bërë gjatë miliona vjetëve. Në sezonin e dytë ai përpiqet ta shpëtojë një ish-të dashur nga ferri dhe të pajtohet me anëtarët e familjes së humbur prej kohësh, përpara se të përballet me armiqtë e lashtë.

“The Sandman” ka filluar së transmetuari në Netflix nga 3 korriku.

“Ballard”

Drama e ardhshme policore, “Ballard”, në qendër të historisë e ka aktoren Maggie Q, e cila vjen në rolin e Renée Ballard, një detektive këmbëngulëse e policisë së Los Anxhelosit, e prezantuar për herë të parë në romanet e Michael Connellyt. Ballard e shënoi debutimin e saj në televizion në sezonin e tretë të serialit, “Bosch”. Në këtë vazhdim të ri ajo caktohet ta udhëheqë një ekip të përbërë kryesisht nga vullnetarë dhe rezervistë të departamentit të policisë, të ngarkuar për t’i hetuar disa nga rastet më të vjetra dhe më të pazgjidhura të qytetit. Siç ndodh shpesh në këto situata, ndonjëherë gjurmët e provave të çojnë në vende të rrezikshme, ku qëndrojnë njerëzit me pushtet. Detektivja duhet të mbështetet në zgjuarsinë dhe vendosmërinë e saj, si dhe ndonjëherë te ndihma e ish-policit tashmë në pension, Bosch, i portretizuar nga aktori Titus Welliver, i cili e di mirë çfarë do të thotë t’i sfidosh autoritetet.

“Ballard” vjen me sezonin e parë në platformën “Prime Video” nga data 9 korrik.

“The Gringo Hunters”

Shumica e lajmeve të fundit dhe filmave aksion të realizuar nga Hollywoodi në kufirin jugor të SHBA-së, përqendrohen te emigrantët dhe kontrabandistët që përpiqen të kalojnë në Amerikë. Por drama e re kriminale me temë meksikane, “The Gringo Hunters”, e bazuar në rastet e një njësie të vërtetë policore, zhvillohet në anën tjetër të kufirit, në Tijuana, ku shpesh të arratisurit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës fshihen nga drejtësia.

Pavarësisht dialogut në spanjisht, “The Gringo Hunters” ngjan në një serial amerikan, dhe e sjell historinë e një grupi të përkushtuar burrash dhe grash që ndjekin trafikantë droge dhe vrasës. Këta zyrtarë, gjithashtu, zhvillojnë diskutime reale për atë se si duan të duket Meksika, duke debatuar nëse pastrimi i lagjeve lokale për turistët dhe zhvilluesit e pasurive të paluajtshme do ta bëjë qytetin e tyre të paarritshëm.

“The Gringo Hunters” nga 9 korriku është në dispozicionin e publikut përmes platformës Netflix.

“Dexter: Resurrection”

Vrasësi serik i preferuar nga të gjithë, Dexter, po rishfaqet në ekranet televizive, ndërsa Michael C. Hall kthehet në rolin që ia fitoi çmimin “Globi i Artë”. Me titull “Dexter: Resurrection”, kapitulli i fundit i serialit e sjell kryepersonazhin, Dexter Morgan, teksa udhëton drejt New Yorkut për të vazhduar me vrasjet moraliste. Hall në ekran shoqërohet nga kolegët e serialeve të kaluara, David Zayas, i cili rikthehet si Angel Batista dhe James Remar, i cili kthehet në rolin e babait të Dexterit, Harry Morgan.

“Dexter: Resurrection” fillon disa javë pas ngjarjeve të serialit të kaluar “Dexter: New Blood”, ku vrasësi Dexter u qëllua në gjoks me armë zjarri nga djali i tij, Harrison. Tani ai zgjohet nga koma për të mësuar se i biri i tij është zhdukur pa gjurmë dhe shkon në New York City për ta kërkuar atë. Jack Alcott e përsërit rolin e djalit të kryepersonazhit Dexter, kurse kastës së aktorëve i janë shtuar edhe yjet: Uma Thurman, Peter Dinklage, Neil Patrick Harris, Eric Stonestreet, Emilia Suárez dhe të tjerë.

Dy episodet e para të serialit dhjetë episodesh, “Dexter: Resurrection”, shfaqen premierë në “Paramount+” më 11 korrik.

“Untamed”

“Untamed” titullohet seriali i ardhshëm i aktorit nga Zelanda e Re, Eric Bana. Në këtë kombinim neo-western dhe neo-noir ai vjen në rolin e Kyle Turner, një hetues special i Parkut Kombëtar që e heton vdekjen misterioze dhe të tmerrshme të një gruaje të re të paidentifikuar në El Capitan.

Turner është i përkushtuar, me sy të mprehtë dhe i gatshëm të futet në situatë të rrezikshme, ndryshe nga kolegët e tij. Ai, gjithashtu, pi alkool gjatë punës dhe nuk bashkëpunon mirë me të tjerët, pjesërisht për shkak të një të shkuare tragjike. I krijuar nga skenaristët, Mark L. Smith dhe Elle Smith, “Untamed” është një mister me atmosferë të zymtë, i vendosur në një sfond të maleve dhe liqeneve madhështore, dhe me një kastë të fortë aktorësh që e përfshin, Rosemarie DeWitt, në rolin e ish-bashkëshortes së shqetësuar të Turnerit, Sam Neill, i cili e portretizon një rojtar veteran të parkut Yosemite, i cili e njeh Turnerin më mirë se pothuajse çdo njeri tjetër, dhe Lily Santiago që vjen si një ish-police e Los Anxhelosit dhe ndoshta personi i vetëm të cilit Turner mund t’i besojë.
“Untamed” lansohet në Netflix më 17 korrik.