Showbiz

Diddy nis “betejën” e re me gjyqësorin, apelon dënimin

Sean "Diddy" Combs

Sean "Diddy" Combs

Foto: Associated Press

Ekipi ligjor i reperit të njohur, Sean “Diddy” Combs, ka dorëzuar një dokument gjyqësor që paraqet nisjen e apelimit të dënimit dhe masës së burgimit të 55-vjeçit, i cili është shpallur fajtor për akuzat e “transportimit për qëllime prostitucioni”.

Combs është dënuar me 50 muaj burgim për dy akuza të tilla, teksa u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda të trafikimit seksual dhe krimit të organizuar.

Dy javë pas shpalljes së dënimit, avokatët e tij kanë dorëzuar një formular dyfaqësh, i njohur si “njoftim për apelim” në Gjykatën Federale të Distriktit të New Yorkut, ndërsa detajet e plota të apelit pritet të dorëzohen më vonë, ka raportuar The New York Times.

Combs u shpall fajtor në muajin korrik dhe pas dënimit, avokati i tij Marc Agnifilo akuzoi gjyqtarin Arun Subramanian për tejkalim të kompetencave.

“Ne mendojmë se sot gjyqtari veproi si anëtari i trembëdhjetë i jurisë dhe e vuri në dyshim vendimin e jurisë”, pati thënë ai për gazetarët.

Sipas tij, vendimi i jurisë ishte i qartë: nuk pati trafikim seksual, nuk pati krim të organizuar, gjithçka ishte konsensuale dhe mes të rriturve, prandaj ai u dënua vetëm për akuzën e prostitucionit.

“Mendoj se gjyqtari Subramanian është një njeri i drejtë dhe punoi jashtëzakonisht shumë për të na dhënë një proces sa më të drejtë. Asnjë gjyq nuk është i përsosur, por ky ishte shumë afër”, pati thënë Agnifilo për revistën Variety.

Avokati i P.Diddyt, Marc Agnifilo.

Mbrojtja kishte kërkuar dënim me 14 muaj burg, ndërsa prokurorët kishin kërkuar 11 vjet.

Në momentin e dhënies së dënimit, gjyqtari i ka thënë reperit se e priste “kohë e vështirë në burg, larg familjes”, por ka shtuar se “do të ketë jetë edhe pas kësaj”.

Përveç burgimit, Combs është dënuar edhe me gjobë prej 500 mijë dollarësh.

Gjyqtari ka përmendur ish-partneren e artistit, këngëtaren Cassie Ventura, dhe “gratë e tjera të guximshme që dolën publikisht”.

Ai i ka thënë reperit se “ani pse tani je në një vend të errët, ka dritë në fund të tunelit, si për ty ashtu edhe për familjen tënde”.

Para shpalljes së dënimit, Combs, ka folur me pendesë përpara gjykatës.

“Kam qenë i sëmurë, i sëmurë nga droga. Kam qenë jashtë kontrollit, më duhej ndihmë dhe nuk e mora. Nuk ka justifikim, sepse nëna ime më ka mësuar më mirë”, ka thënë ai.

Duke iu drejtuar nënës së tij, Janice, në sallë, ai me lot në sy i ka thënë se i vjen keq që e ka zhgënjyer.
“Të kam zhgënjyer si bir dhe më vjen keq”, ka thënë ai.

Nëna e P.Diddyt, Janice, duke dalë nga gjykata.

Nëna e P.Diddyt, Janice, duke dalë nga gjykata.