Aktorët e filmit “It Ends With Us”, Blake Lively dhe Justin Baldoni, kanë arritur marrëveshje për t’i dhënë fund betejës së tyre të bujshme ligjore, por sipas raportimeve, asnjëra palë nuk ka marrë para nga kjo zgjidhje, ka shkruar The Independent.
Sipas TMZ dhe Page Six, pas marrëveshjes nuk është bërë asnjë pagesë mes palëve, ndërsa ekipet ligjore thuhet se kanë përfituar rreth 60 milionë dollarë nga i gjithë procesi gjyqësor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMegjithatë, çështja nuk është mbyllur plotësisht.
Sipas Variety, Blake Lively ende ka një kërkesë të hapur në gjykatë për pagesën e shpenzimeve të avokatëve dhe për dëmshpërblim, në lidhje me padinë për shpifje që Baldoni kishte ngritur ndaj saj dhe që më pas dështoi.
“Çdokush që pretendon se mund të konfirmojë tani kushtet e marrëveshjes konfidenciale po ju mashtron. Më shumë informacione për këtë marrëveshje do të publikohen në dokumentet e gjykatës në ditët në vijim”, ka thënë një burim i afërt me çështjen.
Ndërkohë, avokati i Baldonit, Bryan Freedman, e quajti marrëveshjen “një fitore të madhe” për klientin e tij.
Konflikti nisi pasi Lively, 38 vjeçe, ngriti padi në muajin janar të vitit 2025 kundër Baldonit, 42 vjeç, duke e akuzuar se kishte organizuar bashkë me publicistë një fushatë për t’ia dëmtuar reputacionin, pasi ajo kishte ngritur privatisht pretendime për ngacmim seksual gjatë xhirimeve të filmit.
Nga ana tjetër, Baldoni i mohoi vazhdimisht akuzat për ngacmim seksual dhe çdo përfshirje në një fushatë shpifëse. Ai pretendonte se Lively kishte shpikur akuzat për të marrë kontroll më të madh kreativ mbi filmin.
“Rritja e vetëdijes dhe ndikimi pozitiv në jetën e të mbijetuarve të dhunës në familje, dhe të gjithë të mbijetuarve, është një qëllim që ne e mbështesim. Shpresojmë sinqerisht që kjo të sjellë mbyllje të kësaj çështjeje dhe t’u lejojë të gjithëve të ecin përpara në mënyrë konstruktive dhe në paqe, duke përfshirë edhe një ambient më respektues online”, kanë thënë të dy palët në një deklaratë të përbashkët.
Marrëveshja u arrit vetëm dy javë para nisjes së gjyqit, që ishte planifikuar të fillonte më 18 maj, duke shmangur kështu shpenzime edhe më të mëdha ligjore dhe publikimin e detajeve të tjera që mund të dëmtonin imazhin e të dyve.
Në muajt e fundit, gjykata kishte hedhur poshtë disa nga pretendimet e të dy palëve.
Gjykatësi Lewis J. Liman në fillim të prillit hodhi poshtë pretendimet e Livelyt për ngacmim seksual sipas ligjit federal, duke argumentuar se ajo nuk mund të trajtohej si punonjëse, pasi gjatë punës në film kishte statusin e kontraktores së pavarur.
Po i njëjti gjykatës kishte rrëzuar më herët edhe padinë e Baldonit dhe kompanisë së tij kundër Livelyt dhe bashkëshortit të saj, aktorit, Ryan Reynolds, për shpifje dhe shantazh.