Showbiz

“Dështim” i Beyoncet, çmimet për koncert i bien përtokë

Beyonce

Beyonce

Foto: Associated Press

Media britanike “Daily Mail” ka shkruar se turneu më i fundit i këngëtares Beyoncé, “Cowboy Carter”, po përballet me “vështirësi për të shitur bileta” pak orë para koncertit të parë në “SoFi Stadium” në Los Angeles. Mediumi e quan turneun “dështim” dhe thekson se më shumë se 3 mijë vende kanë mbetur bosh, duke e vënë në pikëpyetje suksesin e pop yllit amerikan.

Në fakt, sipas të dhënave zyrtare nga kompania “Live Nation”, që organizon turneun, “‘Cowboy Carter’ është 94% i shitur në të gjitha datat”, shifër që e pozicionon në standardin e sukseseve të mëparshme të Beyoncét.

Çmimet e larta dhe tregu i rishitjes së biletave

Një pjesë e kritikave të hershme erdhën nga adhuruesit që shprehën pakënaqësi për çmimet e larta fillestare.

“Jam shumë e lumtur që ndodhi kjo. Çmimet ishin absurde që në fillim”, ka shkruar një përdoruese në X (ish-Twitter).

“Daily Mail” gjithashtu citon një fans që krahasoi një biletë në tribunat më të larta me një menu të restorantit të njohur të ushqimit të shpejtë McDonald’s.

“Për shkak të kërkesës së ulët, biletat për turneun ‘Cowboy Carter’ të Beyoncét ($20) janë tani më të lira se një menu ‘Minecraft’ në McDonald's ($21.39)”, ka shkruar ai.

Megjithatë, shumë nga këto bileta të lira janë bileta të rishitura, pra jo të shitura direkt nga organizatorët, por nga individë që i kanë blerë më herët për t’i shitur me fitim. Kur nuk arrijnë t’i shesin, ata i ulin çmimet drastikisht, një fenomen i njohur në industrinë e muzikës live.

Një burim i brendshëm ka thënë për “Daily Mail” se “çmimet mund të bien në mbrëmje për disa data, nëse ulëset duken bosh”.

Kjo nuk është strategji e panjohur – është praktikë e zakonshme për të mbushur stadiumet deri në fund.

A ia dëmtoi imazhin “përfshirja” në paditë e Diddyt?

Artikulli gjithashtu spekulon për mundësinë që bashkëshorti i Beyoncés, reperi Jay-Z, të ketë ndikuar negativisht në imazh, për shkak të përmendjes së tij në një padi që përfshinte producentin reperin e njohur, P.Diddy.

Padia në fjalë u hodh poshtë nga avokati i viktimës, dhe Jay-Z e quajti “fitore të së vërtetës”. Por “Daily Mail” sugjeron se lidhja e dikurshme e çiftit me Diddyn mund të ketë krijuar shqetësim te dëgjuesit.

“Beyoncé nuk është e shqetësuar për mungesë mbështetjeje nga fansat e saj, por disa që janë pranë saj janë të shqetësuar për perceptimin publik”, thuhet në artikull.

“Cowboy Carter” - revolucion muzikor

Sipas “Daily Mail”, pavarësisht gjithë zhurmës në media, e vërteta është se albumi “Cowboy Carter” është sukses historik për Beyoncén. Ai jo vetëm që zuri vendin e parë në Billboard 200, por kënga kryesore “Texas Hold ’Em” u rendit në vendin e parë në Billboard Hot 100 dhe në klasifikimin e muzikës country, një arritje e rrallë për një grua afroamerikane në këtë zhanër.

Beyoncé gjithashtu ka fituar çmimin “Grammy” për “Albumin e Vitit” dhe për “Albumin më të Mirë Country”, duke u bërë gruaja e parë me ngjyrë që fiton këtë çmim në këtë kategori.

Turneu i mëparshëm “Renaissance World Tour” ka grumbulluar 579 milionë dollarë, duke hyrë në top 10 turnetë më të suksesshëm të të gjitha kohërave.