Ylli i njohur i Hollywoodit, Bradley Cooper, është konfirmuar zyrtarisht si regjisor, aktor dhe producent i filmit të ri me histori paraprirëse të projektit filmik “Ocean’s”, ku do të luajë përkrah aktores Margot Robbie.
Lajmi u bë publik gjatë prezantimit të “Warner Bros.” në “CinemaCon”, ku drejtuesit Mike De Luca dhe Pam Abdy konfirmuan projektin, ka raportuar The Hollywood Reporter.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFilmi ende nuk ka titull, por pritet të dalë më 25 qershor 2027. Cooper, i cili së fundmi ka qenë regjisor i filmit “Is This Thing On?”, do të jetë gjithashtu producent, në bashkëpunim me kompaninë e Robbiet, “LuckyChap”.
Gjatë prezantimit, Robbie u shfaq virtualisht dhe dha një ide më të qartë për historinë e filmit.
“Para se Danny Ocean të shkelte ndonjëherë në Las Vegas, dy mendje të jashtëzakonshme i mësuan atij gjithçka që di: prindërit e tij. Ju do t’i shihni ata në kulmin e tyre në filmin tonë të ri, duke realizuar një grabitje spektakolare gjatë Grand Prix të Monakos në vitin 1962”, ka thënë ajo.
Përveç këtij projekti, “Warner Bros.” ka njoftuar edhe disa data të tjera publikimi për filmat e ardhshëm, përfshirë vazhdime të filmave horror dhe projekte të reja nga regjisorë të njohur si Baz Luhrmann dhe Zach Cregger.
Studioja gjithashtu ka konfirmuar se është në zhvillim një film paraprirës i serialit “Game of Thrones”, i fokusuar te “Aegon’s Conquest”.
Sa i përket filmit “Ocean’s”, më herët ishte planifikuar që regjisor të ishte Lee Isaac Chung, por ai u largua nga projekti muajin e kaluar për shkak të dallimeve në prodhim.
“Lee Isaac është një talent i veçantë në kinematografi dhe vizioni i tij, si dhe bashkëpunimi me të, kanë qenë shumë të vlefshme gjatë këtij rrugëtimi. Kjo përvojë vetëm sa ka rritur dëshirën tonë për të bashkëpunuar me të në projekte të ardhshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët të “Warner Bros.” dhe “LuckyChap”.
Franshiza “Ocean’s” ka nisur në vitin 2001 me filmin “Ocean's Eleven” nga Steven Soderbergh, një rikrijim i filmit të vitit 1960 me yllin e mirënjohur, Frank Sinatra. Në trilogjinë moderne luajtën emra të mëdhenj si George Clooney, Brad Pitt, Julia Roberts dhe Matt Damon.
Në vitin 2018 u publikua edhe një tjetër ri-krijim “Ocean's Eight”, me protagoniste Sandra Bullock, Cate Blanchett dhe Anne Hathaway.