Showbiz

Cardi B në albumin e ri ka bashkëpunime me Janet Jackson, Summer Walker dhe yje të tjerë

Cardi B

Cardi B

Foto: Associated Press

Pas më shumë se shtatë vjetësh nga debutimi i saj me albumin “Invasion of Privacy”, reperja nga Bronksi, Cardi B, ka publikuar albumin e dytë “Am I the Drama?”, të premten më 19 shtator.

Albumi përmban gjithsej 23 këngë, përfshirë hitet e mëparshme “WAP”, “Up”, “Outside” dhe “Imaginary Playerz”, ka raportuar Billboard.

Në listën e bashkëpunimeve ka emra të mëdhenj si Summer Walker (Dead, Shower Tears), Selena Gomez (Pick It Up), Kehlani (Safe), Lizzo (What’s Goin On), Cash Cobain (Better Than You), Lourdiz (On My Back), Janet Jackson (Principal), Tyla (Nice Guy) dhe Megan Thee Stallion në “WAP”

Për promovimin e albumit, Cardi ka përdorur qasje të larmishme, duke kthyer fotografitë nga paraqitjet e saj në gjykatë dhe fitorja në një padi civile, në kopertina alternative të albumit.

Ajo ka thënë për Billboard se kjo periudhë shtatëvjeçare e ka ndryshuar shumë.

“Që atëherë kam përjetuar shumë. Të mirat dhe të këqijat e famës, urrejtjen, xhelozinë, dramën, balancimin e karrierës me jetën personale dhe procesin e pjekurisë. Kam mësuar të kontrolloj emocionet e mia dhe të kuptoj si funksionon jeta dhe si të luaj më mirë shahun”, ka thënë ajo.

Përveç albumit, Cardi ka zbuluar se është shtatzënë me fëmijën e saj të katërt, të parin me të dashurin e saj të ri, sportistin Stefon Diggs.

Në një intervistë për CBS Mornings me gazetaren Gayle King më 17 shtator, ajo ka pranuar se është shtatzënë.

“Po, jam shtatzënë. Do të kem një fëmijë me të dashurin tim, Stefon Diggs. Jam e emocionuar. Jam e lumtur. Ndihem sikur jam në një hapësirë të mirë. Ndihem shumë e fortë, shumë e fuqishme që po bëj gjithë këtë punë ndërkohë që po krijoj një jetë të re. Dhe unë e partneri im e mbështesim njëri-tjetrin pa masë.”

Pas lindjes, Cardi do të nisë turneun e saj të parë të madh, “Little Miss Drama Tour”, i planifikuar për vitin 2026.