Aktorja Charlize Theron ka deklaruar se fëmijët e saj do të duhet të punojnë për të siguruar jetesën, pavarësisht pasurisë së saj të konsiderueshme, që vlerësohet rreth 177 milionë euro.
Aktorja fituese e çmimit “Oscar”, e njohur për rolet në filmin “Monster” dhe filma aksion si “Mad Max: Fury Road”, ka theksuar se vajzat e saj të adoptuara, Jackson 12 vjeçe dhe August 9 vjeçe, nuk do të mbështeten financiarisht tek ajo në të ardhmen, ka raportuar FemaleFirst.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDuke folur në podcastin Therapuss me Jake Shane, Theron ka shpjeguar se filozofia e saj si prind fokusohet te pavarësia dhe etika e punës.
“Ana e parë është që makina jote e parë do të jetë një Datsun, sepse do ta përplasësh, je shofer i ri, kështu që nuk do të marrësh menjëherë një makinë të shtrenjtë. Duhet të fitosh përvojë, dhe gjërat duhen fituar”, ka thënë ajo.
Aktorja ka shtuar se është ende herët për të ditur se çfarë rruge do të ndjekin vajzat e saj, por një gjë sipas saj është e qartë, se ato duhet të punojnë.
“Ato duhet të kenë një punë që i paguan, sepse nuk dua t’i mbaj financiarisht gjithë jetën”, ka thënë ajo.
Duke folur për rëndësinë e përvojës së hershme në punë, ajo ka përmendur edhe situata të përditshme.
“Sa herë shkojmë në ‘Starbucks’, u them: ‘Shiko sa të sjellshëm janë… duhet të jesh kështu çdo mëngjes në orën 6’”, ka thënë ajo.
Komentet ajo i ka bërë pas deklaratave të mëparshme për mënyrën si ka zgjedhur t'i rrisë fëmijët si nënë e vetme.
Në një intervistë për podcastin Call Her Daddy me Alex Cooper në korrik të vitit 2025, ajo ka thënë se kjo ishte një zgjedhje e vetëdijshme.
“Për gratë gjithmonë thuhet: ‘Duhet të ketë diçka që nuk shkon me të’. Sikur nuk mund të mbajë një burrë. Por rrallë thuhet: ‘Ajo po jeton jetën që dëshiron’”, pati thënë ylli.
Theron ka theksuar edhe ndjenjën e autonomisë në jetën personale.
“E shikoj jetën time dhe them: ‘Sa fantastike është të jetoj pikërisht ashtu si dua dhe të përjetoj mëmësinë siç kam dashur’”, ka thënë ajo.
Theron ka shtuar se e vlerëson faktin që nuk ka nevojë të marrë miratim nga askush tjetër për vendimet e saj, duke thënë se ndien se e ka “thyer ciklin”.
Së fundmi, aktorja ka qenë në qendër të vëmendjes edhe për një rrëfim personal të vështirë: ajo ka folur hapur për ngjarjen e vitit 1991, kur nëna e saj, Gerda Theron, qëlloi për vdekje babanë e saj abuziv dhe alkoolik në vetëmbrojtje.
Theron e ka përshkruar këtë akt si një veprim që “u shpëtoi jetën” dhe ka theksuar se nuk ndjen turp të flasë për të.