Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Ikona e modës, Cher feston ditëlindjen e 80-të

Cher

Cher

Foto: Associated Press

Me rastin e 80-vjetorit të saj, më 20 maj 2026, bota e modës dhe muzikës po rikthen vëmendjen te një nga ikonat më të mëdha të stilit të të gjitha kohërave: artistja Cher.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë më shumë se gjashtë dekadave në skenë, Cher ka transformuar vazhdimisht imazhin e saj, duke kaluar nga stili “flower power” (fuqia e luleve) i viteve ’60 te lëkura rock’n’roll, glamuri ekstravagant dhe veshjet ikonike që kanë hyrë në historinë e modës, ka shkruar prestigjiozja Vogue.

E lindur si Cherilyn Sarkisian në Kaliforni, Cher u bë e famshme në fillim të viteve 1960 së bashku me ish-bashkëshortin e saj Sonny Bono.

Cher dhe Sunny Bono

Dyshja njiheshin për stilin e tyre të guximshëm dhe eksperimental, me pupla, rruaza dhe jelekë karakteristikë, por Cher binte në sy gjithmonë falë flokëve të saj të gjatë të zinj dhe prezencës së fuqishme skenike.

Një nga momentet më të rëndësishme në historinë e saj të modës ishte takimi me disenjatorin legjendar Bob Mackie në vitin 1967, gjatë një paraqitjeje në emisionin “The Carol Burnett Show”.

Që nga ai moment, Mackie u bë bashkëpunëtori më i afërt i Cher në modë, duke krijuar veshje spektakolare që ndihmuan në ndërtimin e figurës së saj ikonike.

Cher dhe disenjatori Mackie në "Met Gala" 1974. Veshja e saj e krijuar nga disenjatori, është një nga dukjet më të përfolura të tepihut të kuq të ngjarjes së famshme të modës.

Kur “The Sonny and Cher Show” nisi në vitin 1971, Cher i besoi plotësisht Mackiet për kostumet e saj.
Në një episod të vetëm, ajo mund të ndërronte deri në 20 veshje të ndryshme.

Vetëm Cher mund të dilte para publikut me bluze që zbulonin barkun, pupla ekstravagante dhe veshje të mbuluara me gurë e xixa, duke sfiduar standardet tradicionale të modës televizive të kohës.

Në fillim të viteve ’80, paralelisht me rritjen e karrierës së saj si aktore, Cher adoptoi një stil më të thjeshtë dhe më të frymëzuar nga muzika rock, me shumë lëkurë dhe silueta të forta.

Megjithatë, ajo nuk hoqi dorë kurrë nga glamuri i saj karakteristik.

Një nga momentet më ikonike erdhi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar” në vitin 1986, kur Cher veshi një kostum të krijuar nga Bob Mackie, me bluzë të shkurtër, fund dhe një dekorim të madh me pupla në kokë, duke krijuar një nga paraqitjet më të famshme në historinë e ndarjes së çmimeve nga Academia e Filmit.

Cher në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar” në vitin 1986

Në atë kohë, shumica e aktoreve zgjidhnin veshje elegante dhe të rezervuara, por Cher vendosi të shfaqej sipas rregullave të saj.

Madje, gjatë fjalimit, ajo bëri shaka duke thënë se më në fund kishte marrë “manualin se si duhet të vishet një aktore serioze”.

Sot, në moshën 80-vjeçe, Cher vazhdon të mbetet një ikonë mode.

Në mbrëmjen më të rëndësishme të botës së modës “Met Gala” 2026, ajo u shfaq me një korse lëkure nga brendi i njohur britanik “Burberry” dhe një fund mbi një bluzë me dantella.

Cher në “Met Gala” 2026

Ndërsa në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy” 2026, ku mori çmimin për arritje jetësore, ajo veshi një krijim dramatik lëkure nga disenjatori Luis de Javier.

Cher në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy” 2026

Ekspertët e modës thonë se pikërisht moskokëçarja dhe guximi e kanë bërë Cher një figurë kaq të dashur dhe frymëzuese.

Vogue shkrun se ajo nuk vishet për të ndjekur rregullat, por për të shprehur artin dhe personalitetin e saj.

Sipas prestigjiozes, kjo mund të jetë arsyeja që yje të rinj si aktorja, Zendaya, dhe shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa, vazhdojnë ta shohin Cher si një nga inspirimet më të mëdha të modës moderne.