Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Conan O’Brien do të rikthehet si prezantues në “Oscar”

Conan O’Brien

Conan O’Brien

Foto: Associated Press

Komediani i njohur, Conan O’Brien, do të rikthehet sërish si prezantues i ceremonisë së famshme të ndarjes së çmimeve “Oscar” nga Akademia e Filmit, duke e drejtuar ngjarjen për të tretin vit radhazi.

Lajmi u bë i ditur nga platforma “Disney”. Ceremonia e “Oscars” 2027 do të transmetohet live më 14 mars 2027 në ABC dhe Hulu, ka raportuar The Hollywood Reporter.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Presidenti i “Disney Television Group”, Craig Erwich, e vlerësoi prezantuesin si të jashtëzakonshëm.

“Conan ka sjellë një energji të jashtëzakonshme në Oscars. Humori i tij unik e bën natën më të madhe të Hollywoodit një nga festat më argëtuese të vitit”, ka thënë ai.

Përveç Conan O’Brien, organizatorët kanë rikthyer edhe producentët Raj Kapoor dhe Katy Mullan për të katërtin vit me radhë, ndërsa Jeff Ross dhe Mike Sweeney do të vazhdojnë për të tretin vit radhazi. Sweeney do të jetë gjithashtu një nga skenaristët e ceremonisë.

“Ai sjell humorin karakteristik që publiku e do, por edhe ngrohtësi dhe bujari që ndihet gjatë gjithë shfaqjes. Conan është një partner kreativ të cilit i besojmë plotësisht dhe dikush që e bën të gjithë procesin vërtet argëtues”, kanë thënë përmes një deklarate të përbashkët, Kapoor dhe Mullan.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Akademisë së Filmit, Bill Kramer dhe presidentja Lynette Howell Taylor deklaruan se ata janë një ekip i jashtëzakonshëm.

“Ata janë një ekip i jashtëzakonshëm dhe kanë krijuar shfaqje emocionuese dhe argëtuese gjatë dy vjetëve të fundit. Presim me padurim që Conan ta udhëheqë sërish këtë festë me humorin dhe talentin e tij”, kanë deklaruar Kramer dhe Howell Taylor.

Ky do të jetë viti i tretë radhazi që si “Oscars” ashtu edhe “Golden Globes” do të kenë prezantues të njëjtë, pasi edhe komediania Nikki Glaser është rikthyer për herë të tretë si prezantuese e “Golden Globes”.

Kritiku televiziv i The Hollywood Reporter, Dan Fienberg, kishte shkruar pas “Oscars” 2026 se Conan O’Brien ishte “shumë i mirë” në paraqitjen e tij të dytë dhe kishte parashikuar se Akademia “do ta ftonte sërish shumë shpejt”.

Miku i tij i ngushtë dhe producenti ekzekutiv Jeff Ross ka treguar se fillimisht kishte menduar se O’Brien nuk kishte nevojë ta merrte përsipër këtë rol.

“Kur erdhi oferta e parë, i thashë: ‘Nuk ke nevojë ta bësh këtë, nuk ke asgjë për të dëshmuar’. Por kjo është diçka që Conan vërtet dëshiron ta bëjë”, ka thënë ai.

Vetë Conan O'Brien e ka shpjeguar vendimin e tij me humor.

“Brenda meje jeton një Viking i vogël me mjekër që nga mosha 10-vjeçare. Dhe kur ai Viking vendos diçka, qoftë të zëvendësojë David Letterman pa përvojë, të zbres në pista skijimi ku s’duhet të jem apo të prezantoj ‘Oscars’, atëherë kjo ndodh”, ka thënë komediani.

Ceremonia e “Oscars” 2025 kishte arritur një rekord të ri pas pandemisë, Covid 19, me 19.69 milionë shikues, por shikueshmëria e “Oscars” 2026 ra në 17.86 milionë, rreth 9 për qind më pak.

“Oscars” 2027 do të jetë një nga ceremonitë e fundit që transmetohet në ABC dhe Hulu, pasi nga viti 2029 transmetimi do të kalojë te platforma YouTube.

Po ashtu, ceremonia e vitit 2027 do të jetë një nga të fundit që mbahet në teatrin “Dolby”, pasi nga viti 2029 ngjarja do të zhvendoset në teatrin “Peacock”.