Airyn De Niro, 29-vjeçare, vajza e aktorit legjendar Robert De Niro dhe aktores Toukie Smith, ka dalë hapur si grua transgjinore, duke ndarë rrugëtimin e saj emocional dhe aspiratat për të ardhmen si aktore dhe modele.
“Ka një ndryshim mes të qenit e dukshme dhe të qenit e parë. Kam qenë e dukshme. Nuk mendoj se më kanë parë ndonjëherë vërtet”, ka thënë Airyn në intervistë për revistën “Them”.
Ajo ka pranuar se ndjesia e të qenit e keqkuptuar është thelluar pas disa artikujve të fundit në media.
“Jo vetëm që morën informacione të gabuara për mua… por më kujtuan edhe njëherë se njerëzit nuk dinë asgjë për mua”, ka thënë ajo.
Airyn ka kujtuar se edhe kur doli hapur si djalë homoseksual në shkollë të mesme, nuk u ndie i pranuar nga komuniteti ‘queer’.
“Meshkujt homoseksual ishin të pamëshirshëm dhe të poshtër. As aty nuk përmbusha standardet e bukurisë, që janë: të jesh i bardhë, i dobët, me muskuj apo super mashkullor. Gjithmonë më thoshin që isha ose ‘tepër’ diçka, ose jo mjaftueshëm: shumë e madhe, jo mjaftueshëm e dobët. Jo mjaftueshëm e zezë, jo mjaftueshëm e bardhë. Shumë femërore, jo mjaftueshëm mashkullore. Kurrë nuk më thanë: ‘Je ashtu siç duhet të jesh’”, ka thënë ajo.
Ajo nisi terapinë hormonale në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe ka thënë se u frymëzua nga gra të tjera që ishin të hapura dhe të suksesshme në publik.
“Të shohësh gra transgjinore që janë të sinqerta dhe të hapura, sidomos në rrjete sociale dhe që ia dalin… Më bëri të mendoj: ‘Ndoshta nuk është vonë për mua. Ndoshta mund të nis tani’”, ka thënë Airyn.
Ajo ka treguar se edhe identiteti i saj si grua afroamerikane është bërë më i rëndësishëm gjatë këtij procesi.
“Një pjesë e madhe e këtij rrugëtimi është edhe ndikimi që gratë afroamerikane kanë pasur tek unë. Tek po pranoj identitetin tim të ri, po ndihem edhe më krenare për përkatësinë time si grua afroamerikane, dhe kjo më bën të ndihem më afër tyre”, ka thënë tutje Airyn.
Tani ajo shpreson të bëhet frymëzim për të tjerët, sidomos për ata që nuk përfaqësohen shpesh në industrinë e modës dhe të filmit.
“Do të doja të isha frymëzim të paktën për një person tjetër si unë, që është afroamerikane, queer, dhe jo me përmasa të vogla trupore”, ka thënë ajo duke shtuar se dëshiron të shohë më shumë gra afroamerikane që nuk i përkasin standardit të bukurisë “super të dobët”.
Ajo ka përmendur edhe emrat e modeleve të njohura si Hunter Schafer dhe Alex Consani, por ka theksuar se kërkohet më shumë përfaqësim.
“Dua që njerëzit queer, afroamerikanë, dhe ata me trupa më të mëdhenj të kenë një Alex Consani. Dua që të kenë një Hunter Schafer”, ka thënë tutje Airyn.
Në fund, ajo ka cekur se ëndrrat e saj përfshijnë edhe ndjekjen e hapave të nënës së saj në modelim.
“Një pjesë e imja gjithmonë ka dashur të bëhet modele, si mamaja ime. Të jem në kopertinen e ‘Vogue’ me të, ose të rikrijoj një nga fotografitë e saj, kjo do të ishte ëndrra ime më e madhe”, ka thënë ndër të tjera Airyn.