Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Gjykata e Apelit vë në pikëpyetje dënimin me katër vjet burgim për Sean Diddy Combs

Sean "Diddy" Combs

Sean "Diddy" Combs

Foto: Associated Press

Gjyqtarët e një gjykate federale apeli në SHBA kanë ngritur dyshime nëse dënimi prej rreth katër vjetësh burg për reperin Sean Diddy Combs është tepër i ashpër.

Gjatë një seance që zgjati rreth dy orë në United States Court of Appeals for the Second Circuit në Manhattan, një panel prej tre gjyqtarësh nuk mori vendim të menjëhershëm, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në përfundim të debatit, gjyqtari William J. Nardini e quajti çështjen “një rast jashtëzakonisht të vështirë”, duke shtuar se ajo ngre pyetje të reja “jo vetëm për këtë gjykatë, por për çdo gjykatë federale në vend”.

Gjatë seancës, gjyqtarët diskutuan nëse gjykatësi i shkallës së parë kishte marrë në konsideratë në mënyrë të gabuar elemente nga akuzat për të cilat Combs ishte shpallur i pafajshëm, për ta dënuar atë me atë që avokatja e tij, Alexandra Shapiro, e quajti si dënimin më të gjatë ndonjëherë për një person me akuza të ngjashme dhe histori të ngjashme penale.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e akuzës, Christy Slavik, e kundërshtoi këtë pretendim, duke thënë se dënimi prej katër vjetësh e dy muajsh është madje më i ulët se sa parashikojnë udhëzimet federale për dënime dhe është në përputhje me raste të ngjashme në këtë juridiksion.

Sean Diddy Combs, i cili aktualisht ndodhet në një burg federal në New Jersey, po e kundërshton si vendimin për fajësi ashtu edhe dënimin. Ai u shpall fajtor në muajin korrik të vitit të kaluar sipas Mann Act, një ligj federal që ndalon transportimin e personave përtej kufijve të shteteve për qëllime të krimeve seksuale.

Megjithatë, ai u shpall i pafajshëm për akuza më të rënda si trafikimi seksual dhe krimi i organizuar, të cilat mund të çonin deri në burgim të përjetshëm.

“Z. Combs, ju po dënoheni për veprat për të cilat jeni shpallur fajtor, JO për krimet për të cilat jeni shpallur i pafajshëm. Megjithatë, sipas ligjit, gjykata ‘duhet të marrë në konsideratë’ natyrën e veprës dhe karakteristikat e të pandehurit”, ka thënë gjyqtari Arun Subramanian gjatë shpalljes së dënimit.

Ai shtoi gjithashtu se ligji lejon që gjykata të marrë në konsideratë pa kufizim “të kaluarën, karakterin dhe sjelljen” të të pandehurit.

Gjatë seancës të së enjtes, avokatja Shapiro ka kërkuar nga gjykata e apelit që të marrë një vendim sa më shpejt.

Combs, 56 vjeç, ndodhet në burg që nga arrestimi i tij në muajin shtator të vitit 2024 dhe, sipas autoriteteve federale, pritet të lirohet në muajin prill të vitit 2028.

Avokatët e tij kërkojnë që vendimi të rrëzohet ose, të paktën, që ai të lirohet dhe të ridënohet me një afat më të shkurtër.

Edhe pse në dokumentet e dorëzuara më herët ishte përmendur argumenti se dënimi duhet të rrëzohet për shkak të mbrojtjes që ofron Amendamenti i Parë për disa nga veprimet e tij (të cilat ata i përshkruajnë si “pornografi amatore”), kjo çështje nuk u diskutua gjatë seancës.

Në vend të kësaj, fokusi kryesor ishte në pretendimin e mbrojtjes se gjyqtari kishte marrë parasysh prova për mashtrim dhe detyrim, elemente që, sipas tyre, juria i kishte refuzuar kur e shpalli të pafajshëm për akuzat më të rënda.

Gjyqi i vitit të kaluar ka zbuluar një anë të errët të jetës private të një prej figurave më të fuqishme në industrinë e muzikës. Dëshmitarët e kanë përshkruar episode të dhunës, përdorimit të drogës dhe performancave seksuale, që sipas tyre ai i quante “freak-offs” ose “hotel nights”.

Sean Diddy Combs nuk ka dëshmuar në gjyq. Ekipi i tij mbrojtës ka pranuar se ai mund të kishte sjellje të dhunshme, por argumentoi se prokuroria po përpiqej ta kthente jetën e tij personale në një çështje federale penale.