Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Gjyqi civil ndaj pasurisë së Michael Jacksonit shtyhet për vitin 2028

Michael Jackson

Michael Jackson

Një gjykatës në Los Angeles ka caktuar datën 14 shkurt 2028 për fillimin e gjyqit civil që përfshin akuzat për abuzim seksual ndaj të ndjerit Michael Jackson, sipas raportimeve të Rolling Stone.

Procesi gjyqësor ishte planifikuar fillimisht të niste në nëntor të vitit 2027, por data është shtyrë për shkak të vonesave në fazën e mbledhjes dhe shkëmbimit të provave. Një burim i tha revistës People se bëhet fjalë për një procedurë të zakonshme dhe jo për ndonjë zhvillim të pazakontë në çështje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Koreografi Wade Robson dhe James Safechuck paraqitën publikisht pretendimet e tyre në dokumentarin Leaving Neverland të vitit 2019. Ata pretendojnë se Jackson i ka abuzuar seksualisht gjatë fëmijërisë.

Robson ka deklaruar se abuzimet nisën kur ai ishte shtatë vjeç dhe vazhduan për rreth shtatë vjet. Ndërkaq, Safechuck pretendon se abuzimi filloi në Paris në vitin 1988, kur ai ishte 10 vjeç, dhe vazhdoi deri në vitin 1992.

Michael Jackson ishte shpallur i pafajshëm për akuzat për ngacmim seksual të të miturve pas një gjyqi penal në vitin 2005. Gjatë jetës së tij ai mohoi vazhdimisht çdo akuzë për sjellje të papërshtatshme ndaj fëmijëve. Edhe pas vdekjes së tij në vitin 2009, përfaqësuesit e pasurisë së tij kanë vazhduar t’i hedhin poshtë akuzat.

Ndërkohë, regjisori Dan Reed, i cili realizoi dokumentarët “Leaving Neverland” dhe “Leaving Neverland 2: Surviving Michael Jackson”, tha se beson se një pjesë e fansave të Jacksonit nuk do të ndryshojnë kurrë mendim për idhullin e tyre.

Nga ana tjetër, avokati i pasurisë së Jacksonit, Jonathan Steinsapir, ka deklaruar më herët se familja dhe përfaqësuesit ligjorë mbeten të bindur për pafajësinë e këngëtarit, duke argumentuar se akuzat bien ndesh me provat dhe dëshmitë që, sipas tyre, e mbështesin Jacksonin.

Çështja pritet të jetë një nga proceset civile më të ndjekura në industrinë e argëtimit, pasi përball për herë të parë në gjykatë pretendimet e ngritura nga Robson dhe Safechuck kundër pasurisë së yllit të ndjerë të muzikës pop.