Showbiz

Jennifer Lopez: Jam bërë “rrufepritëse” si për gjëra të bukura, ashtu edhe për negativitet

Jennifer Lopez

Jennifer Lopez

Foto: Associated Press

Artistja e njohur, Jennifer Lopez, ka deklaruar se gjatë gjithë karrierës së saj ka qenë një “rrufepritëse” si për vlerësime pozitive, ashtu edhe për kritika dhe negativitet.

56-vjeçarja ka folur hapur për vështirësinë që ka pasur ndër vite për t’i injoruar komentet negative, sidomos ato që lidhen me jetën e saj personale, dhe për përpjekjen që fokusi të mbetet te puna e saj.

“Që nga fillimi, për çfarëdo arsye, kam qenë një rrufepritëse për gjëra të bukura dhe për shumë negativitet”, ka thënë ajo në një tryezë diskutimi të organizuar nga gazeta “Los Angeles Times”, në kuadër të rubrikës “The Envelope” për aktoret që do të mund të fitonin çmimin “Oscar” për performancat që kanë bërë në filmat përkatës gjatë vitit 2025.
 

Ajo tutje ka thënë se është e vështirë sepse e sheh veten në një mes “ku nuk e di a të kuptojnë njerëzit apo jo”.

Lopez, e cila ka binjakët 17-vjeçarë Max dhe Emme me ish-bashkëshortin, këngëtarin latin, Marc Anthony, e finalizoi divorcin nga aktori Ben Affleck gati një vit më parë.

Çifti ishte ribashkuar në vitin 2021, 17 vjet pasi kishin ndërprerë fejesën e tyre të parë.

Aktorja e filmit “Kiss of the Spider Woman” tregon se që në moshë të re ka mësuar ta forcojë vetëbesimin.

“Që kur isha shumë e re, gjithmonë i thosha vetes: ‘E di kush jam. Jam njeri i mirë. E di çfarë po bëj. Njerëzit nuk do të më punësonin nëse nuk do të isha e zonja në atë që bëj. I kam bërë gjithmonë këto pohime për veten dhe kam qëndruar me këmbë në tokë’”, ka thënë ajo.

Këngëtarja tutje ka theksuar se këtë ndjenjë të fortë vetëbesimi ia atribuon prindërve të saj.

"Kam pasur prindër shumë të mirë, të cilët më kanë ndërtuar një ndjenjë të fortë të vetvetes”, ka thënë ajo.

Në këtë intervistë të gjerë, Lopez ishte në shoqërinë e aktoreve Gwyneth Paltrow, Emily Blunt, Elle Fanning, Tessa Thompson dhe Sydney Sweeney.

Sweeney ka thënë se negativiteti është “thjesht zhurmë nga jashtë”, e cila “zhduket” sapo ajo hyn në xhirime.

Duke iu referuar komenteve Sweeneyt, Lopez ka shtuar se për të, mënyra që i është përshtatur të përballet me këto vështirësi  ka qenë ta mbyllë zhurmën e jashtme.

“Duhej ta bllokoja gjithë atë zhurmë që në fund të ditës të vë kokën në jastëk dhe të them: ‘Sot bëra mirë. Isha njeri i mirë. U solla me mirësi me njerëzit. Punova shumë. Jam një nënë e mirë’. Kjo më ka ndihmuar gjithmonë”, ka përfunduar ajo.