Shkrimtarja e njohur britanike, JK Rowling, ka reaguar ashpër ndaj aktores Emma Watson, pas komenteve që kjo e fundit bëri javën e kaluar në lidhje me marrëdhënien mes tyre dhe mosmarrëveshjet publike për çështjen e identitetit gjinor.
Watson, e cila u bë e famshme për rolin e saj si Hermione Granger në filmat "Harry Potter", deklaroi se “ende e do Rowling” dhe se refuzon ta "fshijë" atë, pavarësisht mospajtimeve që kanë.
Por Rowling nuk e priti mirë këtë qasje. Në një postim në platformën X (ish-Twitter), të hënën, ajo e quajti Watson një “ish-mike” dhe tha se deklaratat e saj vetëm sa e kanë përkeqësuar situatën.
“Si shumë njerëz që nuk e kanë përjetuar jetën e të rriturve pa mbështetjen e pasurisë dhe famës, Emma ka aq pak përvojë me realitetin sa nuk e kupton as vetë sa injorante është,” shkroi Rowling.
Deklarata vjen në një kohë kur debatet mbi aktivizmin trans dhe të drejtat gjinore vazhdojnë të jenë temë ndarëse në publik. Rowling është përballur me kritika të shumta pasi deklaroi se aktivizmi trans ka dëmtuar konceptin e seksit biologjik. Ajo është akuzuar për transfobi, akuza që i ka mohuar, duke theksuar se shqetësimi i saj lidhet me sigurinë e grave në hapësirat vetëm për gra.
Emma Watson, 35 vjeçe, në një intervistë të fundit tha se: “Dëshira ime më e thellë është që njerëzit që nuk pajtohen me opinionin tim të më duan ende, dhe unë shpresoj të vazhdoj të dua ata me të cilët nuk ndaj të njëjtat mendime.”
Watson dhe kolegu i saj, Daniel Radcliffe, ishin ndër të parët që u distancuan publikisht nga Rowling pas deklaratave të saj, duke thelluar kështu ndarjen mes aktorëve dhe autores së sagës së famshme.