Aktorja Jodie Foster, ka treguar se e pëlqen shumë më tepër të punojë me regjisore gra, duke thënë se kjo përvojë është më e pasur dhe më sfiduese krahasuar me punën me regjisorë burra.
Aktorja 63-vjeçare ka punuar kryesisht me burra në fillimet e karrierës së saj dhe e ka përshkruar atë periudhë si shpeshherë monotone.
“Marrëdhënia ime me regjisorët burra është mjaft e thjeshtë. Ata të thonë çfarë duan, e duan ashtu dhe ti e bën”, ka thënë Foster në një intervistë për Variety.
Ndryshe nga kjo, ajo ka zbuluar se puna me gra regjisore është shumë më dinamike.

“Është shumë më komplekse. Nervozohem më shpesh. Ka diçka që duhet ta zbulojmë bashkë. Me gratë, këta kufij janë më të paqartë”, ka shpjeguar ajo.
Me kalimin e viteve, Foster ka thënë se është bërë më përzgjedhëse sa u përket roleve që pranon.

“Tani pyes veten: si mund t’i shërbej një historie? Çfarë mund të sjell unë për ta çuar nga pika A në pikën D?”, ka thënë ajo.
Aktorja ka theksuar se është gjithmonë në kërkim të sfidave të reja dhe se nuk dëshiron të përsërisë role të ngjashme me ato që e kanë bërë ikonë në të kaluarën.

“Nuk jam e interesuar të përsëris të njëjtat role që kanë qenë figura qendrore shumë ikonike. I kam bërë ato dhe kanë qenë të mrekullueshme. Është shumë argëtuese të jesh më e rritur dhe të kesh një qasje më ndryshe ndaj roleve. Nuk kam më nevojë ta mbaj gjithë peshën morale të filmit mbi shpatullat e mia”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, që në vitin 2017, Foster pati deklaruar se paragjykimi gjinor në Hollywood vazhdonte të ishte shumë i fortë.
Ajo pati thënë se, pavarësisht karrierës së saj të gjatë, nuk kishte realizuar kurrë një film për gratë, të bërë nga gratë dhe i treguar nga këndvështrimi i grave.
“Edhe me gjithë numrin e filmave që kam bërë, nuk kam realizuar asnjë film që është për gratë, i bërë nga gratë dhe i treguar përmes këndvështrimit të grave”, pati thënë ajo për revistën Harper’s Bazaar.
Duke reflektuar mbi skenarët që i ishin ofruar ndër vite, Foster pati shtuar se për një periudhë të gjatë motivimi i personazheve femërore ishte pothuajse gjithmonë i njëjtë.
“Para disa kohësh thosha se ka pasur një periudhë në jetën time, për 15 ose 20 vjet, kur çdo skenar që lexoja kishte të njëjtin motivim për personazhin femër: që ajo ishte përdhunuar ose ishte abuzuar si fëmijë”, ka kujtuar ajo.