Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Jonah Hill i gatshëm t’i rikthehet humorit pas një periudhe jo të mirë

Jonah Hill

Jonah Hill

Foto: Associated Press

Aktori i njohur, Jonah Hill, ka treguar se për një periudhë nuk ka qenë i lumtur, por tani ndihet gati të rikthehet dhe ta bëjë sërish publikun të qeshë.

Aktori 42-vjeçar, i njohur për filma si “Don’t Look Up” dhe “You People”, ka thënë se pas një pauze nga komedia, tani është në një gjendje shumë më të mirë emocionale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kam qenë paksa larg për një kohë, kështu që tani po rikthehem dhe jam i emocionuar, sepse për një periudhë u bëra shumë serioz dhe nuk isha aq i lumtur. Pastaj krijova familjen time dhe u bëra i lumtur, dhe tani gjithçka që dua është të jem sërish komik. Prandaj pranova të jem pjesë e ‘SmartLess’. Dua të dal dhe të jem gazmor para publikut, kjo do të ishte fantastike”, ka thënë ai në një incizim live të podcastit SmartLess gjatë fundjavës, ka raportuar FemaleFirst.

Hill, i cili u bë i famshëm në vitet 2000 me filma si “Superbad”, “Knocked Up” dhe “Forgetting Sarah Marshall”, ka një djalë trevjeçar dhe një vajzë të vogël me bashkëshorten e tij, Olivia Millar. Ai ka thënë se familja e tij e ka ndihmuar të rikthejë lumturinë.

“Nëse nuk ndihesh mirë, nuk të vjen natyrshëm të bësh humor, apo jo? Gjëja e parë që mendova kur pata fëmijët dhe u ndjeva shumë i lumtur, ishte se u lidha përsëri me kohën kur isha 12 vjeç dhe thjesht bëja humor për qejf. Kjo është ajo me të cilën jam dashuruar gjithë jetën”, ka thënë aktori.

Hill ka theksuar gjithashtu se në thelb ai e konsideron veten një shkrimtar komedie, frymëzuar që herët nga seriali i animuar “The Simpsons”.

“Nëse dikush do të më zgjonte në mes të natës dhe do të më pyeste ‘Çka bën?’, do të thoja: ‘Jam shkrimtar komedie’. Kjo është ajo që bëj. Shkruaj batuta çdo ditë. Shkruaj skenarë. Ju nuk e shihni këtë pjesë, sepse shihni vetëm atë që del në ekran. Por pjesa më e madhe e punës sime është të shkruaj filma komikë”, ka thënë ai.

Së fundmi, ai është rikthyer me filmin komedi “Outcome” në Apple TV+, ku është regjisor, bashkëskenarist dhe aktor. Gjithashtu, do të shfaqet në filmin e ardhshëm “Cut Off”.

“Po vij me një seri gjërash nga më budallallëqet që keni parë ndonjëherë në jetën tuaj. Shpresoj ta keni lënë trurin në shtëpi. Filmi quhet ‘Cut Off’ dhe unë me Kristen Wiig luajmë dy trashëgimtarë budallenj, fëmijë të pasur në të 40-at, të cilëve prindërit e pasur ua ndërpresin të ardhurat, të luajtur nga Bette Midler dhe Nathan Lane. Është si një përzierje mes filmave ‘Step Brothers’, ‘Clueless’ dhe ‘Trading Places’. Është fantastik. Kristen Wiig është një thesar amerikan”, ka thënë ai për projektin e ri.