“Bieber Fever” është rikthyer zyrtarisht. Justin Bieber dhe Ludacris janë ribashkuar në skenë gjatë një feste para Super Bowl-it, duke sjellë emocione dhe nostalgji 16 vjet pas publikimit të hitit të tyre të famshëm “Baby”.
Ngjarja u zhvillua të shtunën, më 7 shkurt, në kuadër të “Sports Illustrated The Party”, e mbajtur në Cow Palace në San Francisko, raportoi "The People".
Pas performancës së tij, Ludacris ftoi publikisht Bieberin në skenë. Para interpretimit të këngës “Baby”, reperi njoftoi se Bieberi ndodhej në sallë dhe ia dedikoi këngën atij, ndërsa performanca u shoqërua me vokalin origjinal të këngëtarit kanadez.
Pas përfundimit të këngës, Justin Bieber u ngjit në skenë duke kapërcyer barrierat dhe ndau një përqafim të ngrohtë me Ludacris, moment që u prit me entuziazëm nga publiku.
Në sallë ishte e pranishme edhe bashkëshortja e tij, Hailey Bieber, ndërsa çifti shmangu tapetin e kuq dhe hyri në ambient përmes prapaskenës, i shoqëruar nga miq dhe bashkëpunëtorë.
Mbrëmja u karakterizua nga surpriza të shumta, përfshirë edhe paraqitjen e Travis Kelce në skenë me The Chainsmokers.
Rikthimi i Bieberit në vëmendjen e publikut vjen vetëm një javë pas performancës së tij të shumëpërfolur në ceremoninë e çmimeve Grammy, ku ai interpretoi këngën “Yukon” nga albumi i tij më i ri, SWAG.
Këtë vit, Justin Bieber ishte i nominuar në katër kategori në Grammy, përfshirë “Albumi i Vitit” dhe “Performanca më e Mirë Pop”, duke konfirmuar edhe një herë rikthimin e tij të fuqishëm në skenën muzikore.