Këngëtari, Justin Bieber, i është përgjigjur me humor lutjeve të nënës së tij, Pattie Mallette, pas një postimi emocional që ajo bëri në Instagram.
Këngëtari 31-vjeçar reagoi disa javë pasi Mallette, më 22 shtator, kishte shkruar një mesazh të gjatë shpirtëror, duke treguar se gjithmonë lutet dhe e mbështet djalin e saj, ka raportuar revista People.
“Jemi gjithmonë duke të përkrahur dhe duke u lutur për ty, Justin. Unë shpall liri, forcë, qartësi dhe shërim mbi ty, Justin. Çdo zinxhir frike, konfuzioni, rëndese apo dhimbjeje, u theftë në emër të Jezusit. Fryma e Shenjtë, rrethoje me të vërtetën, dritën dhe mbrojtjen Tënde. Shëro çdo plagë në zemrën, mendjen dhe trupin e tij, të dukshme apo të padukshme, dhe mbuloje me plotësi. Mbush zemrën e tij me dashurinë dhe ngushëllimin Tënd, dhe bëje një zë të fortë për Mbretërinë Tënde. Heshte çdo zë që nuk vjen prej Teje dhe bëje jetën e tij dëshmi të fuqisë, dashurisë dhe hirit Tënd shërues”, pati shkruar ajo duke shtuar: “Thuaj ‘amen’ nëse pajtohesh”.
Përgjigjja e Bieberit ishte e shkurtër dhe me humor.
“E vetmja gjë nga e cila më duhet shërim është gishti i vogël i këmbës që e lëndova duke luajtur ping pong”, ka komentuar këngëtari.

Ende nuk dihet se çfarë kishte parasysh Pattie në postimin e saj origjinal, por ky nuk është rasti i parë që ajo shpreh publikisht mbështetjen për të birin.
Gjatë verës, Bieber ka folur hapur për besimin e tij fetar dhe ka treguar se dashuria e Jezusit është ajo që e ndihmon çdo ditë.
“Jam mirënjohës për një ditë të re. Mirënjohës për Jezusin. Ai më takon çdo mëngjes me falje dhe dashuri që nuk e meritoj. Jam kaq mirënjohës që Ai e jep këtë dashuri kaq lirshëm, kaq me hir. Nuk do të isha në gjendje ta përballoja ditën pa dashurinë e Tij. Ajo më takon edhe në momentet më të ulëta”, kishte shkruar ai në Instagram
Këngëtari, i cili është i martuar me modelen Hailey Bieber, ndau gjithashtu një pjesë të këtij mesazhi në Instagram Stories, së bashku me këngën “Lord Do It For Me” nga Zacardi Cortez.