Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Kanye West shpallet fajtor për shkelje të të drejtave të autorit

Kanye West

Kanye West

Foto: Associated Press

Reperi, Kanye West, i njohur tashmë si Ye, është shpallur fajtor nga një juri amerikane për shkelje të të drejtave të autorit, pasi përdori pa leje një pjesë muzikore në versionin e hershëm të këngës së tij “Hurricane”, ka raportuar The Rolling Stone.

Vendimi u dha të martën, ku tetë anëtarët e jurisë vendosën unanimisht se Ye duhet të paguajë mbi 176 mijë dollarë dëmshpërblim personalisht, ndërsa kompania e tij “Yeezy LLC” duhet të paguajë po aq. Dy kompani të tjera të lidhura me biznesin e tij, “Yeezy Supply” dhe “Mascotte Holdings”, u urdhëruan gjithashtu të paguajnë dhjetëra mijëra dollarë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Padia ishte ngritur nga organizata “Artists Revenue Advocates” në emër të katër muzikantëve që krijuan instrumentalin “MSD PT2”, një demo e papublikuar që sipas tyre u përdor pa autorizim në versionin fillestar të “Hurricane”.

“Kjo është një fitore për artistët punëtorë, të cilët zakonisht nuk kanë burime për t’u përballur me dikë si Ye, një superyll dhe figurë e famshme”, ka deklaruar menaxheri i organizatës, “Britton Monts”,

Ndërkohë, përfaqësuesi i Ye e quajti rezultatin një “fitore” për artistin.

“Gjashtë muaj më parë ata kërkonin 30 milionë dollarë nga Ye. Morali i historisë? Ka një kosto kur mendon se mund të përfitosh nga Ye”, ka thënë përfaqësuesi i reperit.

Gjatë gjyqit gjashtëditor, avokatët e paditësve argumentuan se Ye kishte fituar rreth 5.6 milionë dollarë nga ngjarja e madhe e dëgjimit të albumit “Donda”, i mbajtur në stadiumin “Mercedes-Benz” në Atlanta në muajin korrik të vitit 2021.

Ata pretenduan se kënga “Hurricane” ishte një nga arsyet kryesore pse mijëra fansa blenë bileta për koncertin dhe se katër muzikantët meritonin një pjesë të fitimeve.

Demoja “MSD PT2” ishte një instrumental njëminutësh me kitarë, bas dhe tastierë, me një stil të frymëzuar nga hip-hop-i i Bregut Perëndimor. Avokatja e muzikantëve, Irene Lee, ka thënë se kjo pjesë ishte “shtylla kryesore” e këngës “Hurricane”.

Katër muzikantët, Khalil Abdul-Rahman, Sam Barsh, Dan Seeff dhe Josh Mease, dëshmuan se e kishin krijuar projektin muzikor në vitin 2018 dhe më pas ai kishte përfunduar tek Ye përmes një producenti.

Ata treguan se mbetën të habitur kur Ye publikoi në Instagram një fragment të këngës “80 Degrees”, që më vonë u bë “Hurricane”, ku përdorej qartë instrumentali i tyre.

Në fillim, muzikantët kishin reaguar me entuziazëm në rrjetet sociale, duke shpresuar se do të kompensoheshin më vonë. Por sipas avokatëve të tyre, nuk pati kurrë marrëveshje zyrtare.

“Nuk kishte marrëveshje, licencë apo leje”, ka argumentuar Irene Lee.

Ajo ka thënë se ishte “e jashtëzakonshme” që vetë Ye pranoi në dëshmi se e kishte hequr qëllimisht mostrën muzikore nga versioni final i “Hurricane” pasi nuk kishte marrë lejen e nevojshme.

“Ai thjesht e mori mostrën, e përdori dhe më pas e hodhi pasi fitoi para nga ajo në eventin dëgjimor”, ka thënë ajo.

Nga ana tjetër, avokati i Ye, Eduardo Martorell, ka argumentuar se muzikantët në fakt kishin qenë të lumtur që një artist si Ye po përdorte punën e tyre.

“Ata po i luteshin një superylli ta përdorte demon e tyre”, ka thënë ai në gjykatë.

Ai ka shtuar se Ye madje i kishte përfshirë katër muzikantët si bashkëautorë të këngës edhe pasi mostra muzikore ishte hequr.

Ky nuk është problemi i parë ligjor për Kanye West. Ai është paditur më shumë se dhjetë herë për shkelje të të drejtave të autorit dhe ka qenë në qendër të polemikave për deklaratat antisemitike në rrjetet sociale.

Në vitin 2022 ai ka shkruar postimin famëkeq ku kërcënonte se do të hynte në “death con 3 ndaj hebrenjve”, ndërsa vitin e kaluar publikoi mesazhe si “Jam nazist” dhe “E dua Hitlerin”.

Ai publikoi gjithashtu këngën “Heil Hitler”, e cila u hoq shpejt nga shumica e platformave muzikore.

Në muajin janar, Ye publikoi një letër kërkimfalje në The Wall Street Journal, ku ka thënë se deklaratat e tij antisemitike lidhen me çrregullimin bipolar të patrajtuar dhe një dëmtim në tru pas aksidentit automobilistik të vitit 2002.

“Nuk po kërkoj simpati apo falje automatike. Po kërkoj vetëm durim dhe mirëkuptim ndërsa përpiqem të gjej rrugën time”, ka shkruar ai.