Aktorja britanike Kate Winslet pritet të luajë rolin kryesor në filmin e ri fantastik “The Lord of the Rings: The Hunt for Gollum”, i cili do të drejtohet nga Andy Serkis.
Sipas raportimeve, Winslet do të qëndrojë në Zelandën e Re nga muaji maji deri në muajin tetor për xhirimet e filmit. Thuhet se regjisori Andy Serkis dhe producenti Peter Jackson kanë kaluar pjesën më të madhe të vitit të kaluar duke u përpjekur ta bindin aktoren të bashkohet me projektin, ka raportuar Deadline.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVitin e kaluar, në një intervistë për mediat, Winslet kishte treguar se do të largohej nga Britania për disa muaj gjatë këtij viti, por pa zbuluar arsyen. Burime të industrisë kanë konfirmuar se kjo lidhet pikërisht me angazhimin e saj në këtë film.
Filmi i ri do të tregojë ngjarjet që ndodhin mes përfundimit të trilogjisë “The Hobbit” dhe fillimit të sagës “The Lord of the Rings”.
Historia do të përqendrohet në kërkimin për personazhin Gollum.
Regjisori Andy Serkis, i cili e interpretoi Gollumin përmes teknologjisë motion capture në filmat origjinalë, do të rikthehet edhe një herë në këtë rol.
Në film pritet të rikthehen edhe disa nga aktorët e trilogjisë origjinale. Elijah Wood dhe Ian McKellen mund të rikthehen në rolet e tyre të njohura si Frodo Baggins dhe Gandalf.
Elijah Wood ka lënë të kuptohet se një rikthim i tillë është shumë i mundshëm.
“Nuk është njoftuar zyrtarisht, por në një konventë gushtin e kaluar, Ian e zbuloi paksa lajmin. Pra, ka shumë gjasa që të ndodhë”, ka thënë ai në një intervistë për The Times.
Ai ka shtuar se është shumë i emocionuar për mundësinë e një filmi të ri në botën e “Middle-earth”.
“Është gjithmonë paksa stresuese kur flitet për filma të rinj në një univers si ‘Middle-earth’. Njerëzit bëhen shumë mbrojtës dhe shpresojnë që historia të ruajë cilësinë e saj. Por kjo histori është argëtuese dhe emocionuese. Ndihet sikur po ribashkohet ekipi”, ka thënë ai.
Wood ka shtuar gjithashtu se nuk do të donte që ndonjë aktor tjetër ta luante Frodon sa kohë ai është ende gjallë dhe i aftë për ta interpretuar.
“As unë nuk do të doja që dikush tjetër ta luante Frodon, për sa kohë jam gjallë dhe mund ta bëj këtë rol”, ka thënë ai.
Aktori ka shtuar se si fans i sagës, mezi pret të shohë sërish personazhe të njohur në ekran.
“Imagjino të jesh në kinema dhe të shohësh kapelen që kthehet dhe kupton se është Gandalf. Edhe unë jam fans dhe mezi pres të shoh se si do të realizohet gjithçka”, ka thënë Wood.