Një këshilltar për varësi nga droga është dënuar me dy vjet burgim lidhur me vdekjen nga mbidoza të aktorit të serialit “Friends”, Matthew Perry, ka raportuar BBC.
Erik Fleming, një nga pesë personat e akuzuar lidhur me vdekjen e aktorit, u shpall fajtor se ka siguruar anestetikun kirurgjik ketaminë nga një grua e Los Angelesit, e njohur me nofkën “Mbretëresha e Ketaminës”, dhe më pas e kishte furnizuar Perryn me të. Këshilltari 56-vjeçar ka pranuar fajësinë në muajin gusht të vitit 2024 për shpërndarje të ketaminës.
Gjykatësi federal e dënoi Fleming me dy vjet burgim, tre vjet mbikëqyrje pas lirimit dhe një gjobë prej 200 dollarësh.
Perry u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Kaliforninë Jugore në muajin tetor të vitit 2023. Autoritetet përcaktuan se shkaku i vdekjes ishte efekti akut i ketaminës.
Prokurorët kishin kërkuar që Fleming të dënohej me dy vjet e gjysmë burgim, ndërsa avokatët e tij kërkuan një dënim më të lehtë: tre muaj burgim dhe nëntë muaj trajtim në një qendër rehabilitimi për varësi.
Edhe
Doktori i Matthew Perryt u dënua me 30 muaj burgim
Sipas Associated Press, Fleming i ka thënë gjykatëses Sherilyn Peace Garnett gjatë seancës gjyqësore se është vërtet një makth nga i cili nuk po mund të zgjohet.
“Jam i përndjekur nga gabimet që kam bërë”, ka thënë ai.
Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë para shpalljes së dënimit, avokatët e tij thanë se Fleming kishte bërë “përpjekje ekstreme për t’u penduar për veprimet e tij kriminale”.
“Kam bërë gabimin më të madh të jetës sime dhe më vjen thellësisht keq për dhimbjen që kam shkaktuar”, ka shkraur Fleming në një letër drejtuar gjykatëses në muajin prill.
Ai ka shtuar se ishte “i pushtuar nga dhimbja dhe turpi” kur mësoi për vdekjen e Perryt, duke pranuar se kishte siguruar ketaminën për aktorin sepse donte para dhe mendonte se po i bënte nder një shoku.
Fleming ka kërkuar falje për atë që e quajti “sjellje të pafalshme” dhe ka thënë se merr përgjegjësi të plotë për veprimet e tij kriminale.
Edhe
Mjeku i dënuar në rastin e Matthew Perryt apelon dënimin me burg
“Shpresoj që dënimi im të sjellë një masë drejtësie dhe paqeje për të gjithë ata që e donin Mattin”, ka shkruar ai.
Fleming është një nga pesë personat, përfshirë mjekë dhe asistentin personal të aktorit, që sipas autoriteteve amerikane e furnizuan Perryn me ketaminë dhe shfrytëzuan varësinë e tij nga droga për përfitime financiare, gjë që çoi në vdekjen e tij nga mbidoza.
Ai është personi i katërt që dënohet në këtë rast. Të gjithë të përfshirët kanë pranuar fajësinë në procesin federal.
Muajin e kaluar, Jasveen Sangha, 42 vjeçe, e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës”, u dënua me 15 vjet burgim për shitjen e drogës që çoi në vdekjen e aktorit.
Ndërkohë, doktori Salvador Plasencia, i cili gjithashtu e kishte furnizuar aktorin me ketaminë në javët para vdekjes, u dënua me 30 muaj burgm.
Edhe
Dënohet ish-asistenti i Matthew Perryt pasi i injektoi aktorit ketaminë para vdekjes
Një tjetër mjek nga Kalifornia, Mark Chavez, u dënua me tetë muaj arrest shtëpiak dhe tre vjet mbikëqyrje.
Ndërsa Kenneth Iwamasa, asistenti personal i Perryt, i akuzuar për injektimin e ketaminës te aktori, pritet të marrë dënimin më 27 maj, pasi ka pranuar fajësinë për komplot për shpërndarje të ketaminës që shkaktoi vdekjen.