Mbretëresha e muzikës pop, Madonna, ka dhënë intervistën e saj të parë në një podcast, ku ka deklaruar se në tërë karrierën e saj ka bërë praktika spirituale.
Këngëtarja 67-vjeçare që u shfaq në episodin më të ri të podcastit “On Purpose with Jay Shetty”, ka folur hapur me mikpritësin Jay Shetty për rolin që ka pasur spiritualiteti në jetën e saj.
Biseda përfshin tema si falja, suksesi dhe ndikimi i Kabballahit (filozofi mistike hebraike), me të cilin Madonna është njohur në vitin 1996, pak para lindjes së vajzës së saj, Lourdes Leon.
“Duhet të jesh spiritual që të jesh i suksesshëm. Suksesi është të kesh një jetë spiritualë, pikë. Unë nuk do të isha këtu po të mos e kisha atë”, ka thënë ajo.
Madonna, fituese e shtatë çmimeve “Grammy” dhe e njohur për aktivizmin e saj në fushën e të drejtave të njeriut, ka shtuar se kriteri i vetëm i suksesit është të bësh diçka edhe për të tjerët.
“Çfarë kam bërë për të tjerët? Ky është i vetmi kriter i vërtetë i suksesit në jetë. Është sikur drita më e madhe shfaqet aty ku ka errësirë dhe aty mund të zbulohet drita më e madhe. Kur je në një dhomë të errët, e ndez dritën. Kur je në një dhomë që tashmë është e ndriçuar, nuk ka përpjekje”, ka thënë këngëtarja.
Ajo ka theksuar se misioni i saj spiritual është të përhapë dritë.
“Qëllimi i shpirtit tim është të shpërndaj dritë në botë përmes gjithçkaje që bëj. Dua gjithçka, por e dua për ta ndarë me të tjerët, jo për ta mbajtur vetëm për vete”, ka thënë ajo.
Në podcast është i pranishëm edhe Eitan Yardeni, mësuesi i kamotshëm i Kabballahit për Madonnën, me të cilin ajo ka nisur një kurs të ri të quajtur “The Mystical Studies of the Zohar”.
Madonna ka pranuar se dikur ishte e ndjeshme ndaj gjykimit të të tjerëve.
“Dikur isha skllave ose viktimë e mendimit të njerëzve për mua. Nuk përshtatem, dhe pikërisht fakti që nuk përshtatem më shpëton”, ka thënë ajo.
Duke reflektuar mbi uljet e ngritjet e karrierës së saj, ajo ka thënë se spiritualizmi i ka dhënë forcën për të qenë e qëndrueshme.
“Urtësia shpirtërore nuk të ndihmon kur gjithçka po shkon mirë. Ajo të ndihmon kur sfidohesh dhe edhe kur je i lumtur. Të kujton se në çdo moment gjithçka mund të zhduket. Prandaj, mos e merr të mirëqenë. Ji i përulur”, ka thënë artistja.
Ajo përfundoi me një mesazh se secili duhet ta pranojë çfarëdo që do t’i ndodhë dhe të pajtohet me fatin.
“Pranimi radikal është të pranosh se ajo që po të ndodh, është e destinuar të të ndodhë dhe se ti do të jesh mirë”, ka thënë ndër të tjera ikona.