Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Nicolas Cage tregon pse ka menduar të tërhiqet nga aktrimi pas filmit “Dream Scenario”

Nicolas Cage

Nicolas Cage

Aktori i njohur, Nicolas Cage, ka zbuluar se kishte menduar seriozisht të tërhiqej nga aktrimi pas filmit “Dream Scenario” të vitit 2023, pasi ndiente se nuk dinte më çfarë tjetër mund të sillte në kinematografi.

62-vjeçari ka treguar në një intervistë për Extra se pas suksesit të filmit, kishte hyrë në një periudhë reflektimi për karrierën e tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Po mendoja për pensionimin pas ‘Dream Scenario’, sepse nuk e dija më çfarë tjetër mund të bëja me kinemanë”, ka thënë Cage.

Megjithatë, ai vendosi të mos largohej ende nga aktrimi.

“Më pas mendova: ndoshta duhet të vazhdoj të aktroj, sepse e kam të nevojshme. Dhe nevoja është nëna e shpikjes”, u shpreh ai.

Aktori ka treguar se nisi të mendonte për sfida të reja artistike.

“I thashë vetes: mirë, le të provojmë diçka tjetër. Çka vjen më pas? Televizioni. Çka tjetër? Ndoshta teatri”, ka thënë Cage.

Ani pse ka pranuar se “kurrë nuk duhet të thuash kurrë”, ai ka thënë se mbetet i hapur edhe për një paraqitje të mundshme në teatër.

Pas këtyre dyshimeve për karrierën, Cage vendosi të marrë pjesë në serialin e ri të Amazon Prime Video, “Spider-Noir”, ku interpreton personazhin Spider-Man Noir dhe alter-egon e tij Ben Reilly.

Ai ka thënë se puna në televizion i ka dhënë një ndjesi të re vetëbesimi.

“Po përpiqem të mësoj gjithnjë e më shumë dhe pasi përfundova serialin ‘Spider-Noir’, u ndjeva i fuqizuar. Ndjeva sikur: ‘Wow, ia dola. E përfundova një sezon televiziv’. Nuk është aspak e lehtë”, ka treguar aktori.

Sipas Cage, puna në një serial televiziv është shumë ndryshe nga filmat, pasi përfshin regjisorë të ndryshëm dhe një ritëm më intensiv pune.

“Është pothuajse si një fabrikë dhe duhet të përshtatesh me atë ritëm, ta bësh të funksionojë dhe njëkohësisht të mbetesh argëtues për publikun”, ka thënë ai.

Aktori ka pranuar se pas “Dream Scenario” kishte ndjesinë se e kishte thënë gjithçka që mundej në kinema.

“Arrita në një pikë ku mendova: besoj se kam thënë gjithçka që kisha për të thënë me kinemanë. Nuk dija më çka tjetër të bëja”, u shpreh Cage.

Në vitet e fundit, ylli  ka përjetuar një rikthim të fortë artistik falë roleve të vlerësuara në filmat “Pig”, “Dream Scenario” dhe thrillerin horror “Longlegs”.

Gjatë karrierës së tij, ai është bërë një nga figurat më interesante të Hollywoodit për shkak të kombinimit të roleve dramatike, filmave të pavarur eksperimentalë dhe filmave aksion, që nga projektet ikonike si “Leaving Las Vegas”, “Face/Off” dhe “National Treasure”.

Së fundmi, Cage ka treguar gjithashtu se nuk ka dashur kurrë të kufizohet vetëm në role heronjsh apo antagonistësh.

“Kam luajtur shumë personazhe negativë. Më pëlqejnë të dyja anët. Mendoj se të dyja janë pjesë të rëndësishme të kinemasë. Nuk do të doja të mbetesha i bllokuar duke bërë vetëm një gjë”, pati thënë ai për revistën PEOPLE.