Showbiz

P.Diddy është transferuar në burgun federal të New Jerseyt

P.Diddy

P.Diddy

Foto: Associated Press

Reperi Sean “Diddy” Combs i cili ka qëndruar në qendrën Metropolitane të paraburgimit në Brooklyn të New Yorkut, që nga arrestimi i tij në muajin shtator të vitit 2024, sipas burimeve të revistës People, është zhvendosur të enjten (30 tetor 2025) në Institucionin Federal Korrektues (FCI) në Fort Dix, të New Jerseyt ku do ta vuajë pjesën tjetër të dënimit, ka raportuar The New York Times.

Combs është dënuar me 50 muaj burg pasi në korrik u shpall fajtor për dy akuza lidhur me “transportim me qëllim për t’u angazhuar në prostitucion”. Ekipi i tij ligjor kishte kërkuar që ai të zhvendosej në Fort Dix, për shkak të programeve të rehabilitimit të drogës që ofron institucioni.

“Për të adresuar çështjet e abuzimit me drogën dhe për të maksimizuar mundësitë e vizitave familjare dhe përpjekjet rehabilituese, kërkojmë që gjykata t’i rekomandojë me forcë Byrosë së Burgjeve që z. Combs të vendoset në FCI Fort Dix”, ka shkruar në një dokument gjyqësor avokatja e tij, Teny Geragos.

Ylli i hitit “I’ll Be Missing You” më herët ishte ankuar për kushtet në burgun e Brooklynit dhe sipas mikut të tij, Charlucci Finney, ai kishte përjetuar një “incident të frikshëm.

“Ai u zgjua me thikë në fyt. Nuk e di nëse u përlesh me atë person apo erdhën rojat, por di që ndodhi”, ka thënë Finney për DailyMail.

Sipas Finney, incidenti ishte një formë frikësimi.

“Nëse ky person do të donte ta lëndonte, Sean do të ishte lënduar. Mjafton një sekondë për t’i prerë fytin. Ishte thjesht një mënyrë për t’i thënë, ‘herën tjetër s’do kesh aq fat’. Është thjeshtë tentim për ta frikësuar. Por me Sean nuk e funksionon kjo, Sean është nga Harlemi”, ka thënë tutje Finney.

Producenti 60-vjeçar shtoi se është vazhdimisht i shqetësuar për mikun e tij, sepse ai “do të jetë gjithmonë një shënjestër për të burgosurit e tjerë”.

“Sean i ka mbajtur shumë nga këto gjëra për vete sepse nuk do t’i shqetësojë familjarët. Por nëse je në burg dhe je akuzuar për diçka seksuale, nuk është vend i mirë. Të burgosurit e marrin personale, e shohin sikur mund të ishte nëna, halla apo vajza e tyre. Ata kërkojnë atë që e quajnë ‘drejtësi burgu’. Dhe duhet ta kuptosh, nuk po flasim për një person të zakonshëm, po flasim për P.Diddyn”, ka thënë ai.

Megjithatë, Finney ka shtuar se miku i tij është “i pathyeshëm” dhe se vazhdon të besojë në pafajësinë e tij.

“Gjithë ato që dolën për drogën dhe abuzimin, unë s’i kam parë kurrë. As fëmijët e tij. Për ne, Sean ka qenë gjithmonë një njeri i dashur, kujdeset për të tjerët, baba, vëlla, mik më i mirë… Jam i bindur që do bëjë gjithçka për të dalë prej andej si Sean Combs. Ai nuk do humbasë asnjë hap. Sean është i pathyeshëm”, ka thënë ndër të tjera Finney.