Showbiz

Prezantuesit e emisioneve “Late Night” solidarizohen me Jimmy Kimmel

Stephen Colbert në emisionin e tij

Stephen Colbert në emisionin e tij

Prezantuesit e “Late Night Shows”, emisioneve që zakonisht transmetohen natën vonë, si Stephen Colbert, Jimmy Fallon, Seth Meyers dhe Jon Stewart kanë shprehur mbështetje për kolegun e tyre, Jimmy Kimmel, dhe kanë kritikuar vendimin për ta pezulluar pa afat emisionin e tij “Jimmy Kimmel Live!” gjatë programeve të tyre të së enjtes.

ABC e ka hequr nga transmetimi programin e Kimmelit, 57 vjeç, pas komenteve që ai bëri për vrasjen e aktivistit politik Charlie Kirk, dhe kolegët e tij e quajtën këtë akt të “censurës së hapur”, ka raportuar FemaleFirst.

“Sonte, të gjithë jemi Jimmy Kimmel. Dje, pas kërcënimeve nga kryetari i Komisioni Federal i Komunikimit (FCC) së Trump, ABC e hoqi Kimmelin nga transmetimi pa afat. Kjo është censurë e hapur. Gjithmonë fillon me gjëra të vogla... Me një autokrat, nuk mund t’i japësh asnjë centimetër. Nëse ABC mendon se kjo do ta kënaqë regjimin, atëherë janë naivë”, ka thënë Colbert në hapje të emisionit të tij.

Colbert, 61 vjeç, bëri edhe shaka se kjo çështje i kishte zbehur edhe fitoren e tij në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Emmy”.
“Jimmy, jam 100 për qind me ty dhe stafin tënd. Por a nuk mund të më lije të shijoja këtë për një javë të vetme?”, ka thënë ai duke mbajtur trofeun.

Në emisionin “The Tonight Show”, prezantuesi Jimmy Fallon e quajti Kimmelin “një njeri të mirë” dhe u shpreh se shpreson që emisioni i tij të kthehet shpejt.

“Lajmi i madh është se Jimmy Kimmel u pezullua nga ABC pas presionit të FCC-së, dhe të gjithë janë duke thënë ‘WTF?’”, ka thënë Fallon me humor.

Më pas ai ka shtuar më seriozisht duke thënë se “askush nuk e di se çfarë po ndodh", por se megjithatë ai e njej Kimmelin.

“Ai është një njeri i mirë, i dashur dhe i talentuar. Shpresoj që të kthehet”, ka thënë Fallon.

Seth Meyers i kushtoi segmentin "A Closer Look" marrëdhënies së presidentit me lirinë e fjalës dhe paralajmëroi se vendimi për të ndaluar Kimmelin ishte një moment i rrezikshëm për demokracinë amerikane.

“Administrata e tij po ndjek një fushatë kundër lirisë së fjalës, dhe pa asnjë lidhje, thjesht dua të them se gjithmonë e kam admiruar dhe respektuar z. Trump. Ai është një president i madh, një vizionar dhe një golfist edhe më i mirë. Nëse keni parë ndonjëherë që kam thënë gjëra negative për të, ajo ka qenë vetëm AI”, ka thënë Meyers me humor.

Më pas u bë serioz dhe shtoi se ndihet i privilegjaur dhe i nderuar që e ka mik Jimmy Kimmelin.

“Është privilegj dhe nder të quaj Jimmy Kimmelin mikun tim, ashtu siç është nder të bëj këtë emision çdo natë. Ne duhet të qëndrojmë të gjithë në mbrojtje të parimeve të lirisës së shprehjes. Ka një arsye pse liria e fjalës është pika e parë e Kushtetutës”, ka thënë Meyers.

Edhe Jon Stewart, i cili zakonisht drejton vetëm episodet e së hënës në “The Daily Show”, mori drejtimin e episodit të së enjtes dhe e shndërroi programin në një version satirik të “emisionit të miratuar nga qeveria”.

Duke folur për vizitën shtetërore të presidentit Donald Trump në Britaninë e Madhe, ai përmendi pretendimin e presidentit se Kimmel ishte shkarkuar për “mungesë talenti”.

“Në Angli mund ta quajnë liri fjale, por në Amerikë kemi një gjë që quhet Amendamenti i Parë. Dhe ja si funksionon: Presidenti ka një ‘matës talenti’ mbi tavolinën e tij. Nëse niveli bie poshtë një pike të caktuar, FCC duhet të njoftohet për të kërcënuar bashkimet miliardëshe të rrjeteve. Është shkencë elementare”, ka thënë Stewart me ironi.