Aktorja Reese Witherspoon ka rrëfyer se ka qarë nga lodhja kur punonte “14 deri në 17 orë” në ditë si nënë vetushqyese, pas ndarjes nga aktori Ryan Phillippe.
Aktorja e filmit “Legally Blonde” ka treguar se pas ndarjes në vitin 2006, teksa rriste dy fëmijët e saj, Ava, tani 25 vjeç, dhe Deacon, 21 vjeç, duke u përpjekur të ruante karrierën në Hollywood, ndihej sikur ju kishin shteruar forcat, ka raportuar FemaleFirst.
Në një postim në rrjetin social Instagram, 49 vjeçja ka publikuar disa foto me fëmijët kur ishin të vegjël dhe ka pranuar se “ishte vërtet e vështirë ndonjëherë”.
“Dikush më pyeti si dukej të rrisja tre fëmijë dhe të ndërtoja një karrierë në Hollywood… Ishin shumë kohë të kaluara në karvanë bashkë… duke qenë gjithmonë në udhëtim… fëmijët e mi gjithmonë më jepnin këshilla për karrierën! …”, ka shkruar ajo.
Postimi:
Tutje aktorja ka thënë se ndonjëherë dukej vërtet e vështirë.
“Qaja kur punoja 14 deri në 17 orë, ndonjëherë gjithë natën, dhe përsëri zgjohesha herët për t’i çuar me makinë në shkollë. Isha e lodhur në ekstrem”, ka treguar tutje ajo.
Ylli ka thënë se përpiqej të thoshte diçka pozitive për punën kur kthehej në shtëpi natën, që fëmijët të dinin se puna e saj kishte kuptim për të dhe mund të ishte argëtuese.
Witherspoon ka shtuar se pavarësisht sfidave gjithçka ia ka vlejtur.
“Edhe pse ishte sfiduese ndonjëherë, të kesh fëmijë më dha perspektivë për atë që është me të vërtetë e rëndësishme në jetë. Asgjë nuk ishte më e mirë se të kthehesha në shtëpi, t’i përqafoja dhe të dëgjoja për ditën e tyre! Jam mirënjohëse që qëndroj krah për krah me nënat e tjera në këtë udhëtim të bukur dhe të rrëmujshëm…”, ka thënë ajo.
Ylli ishte në fillim të 20-ave kur u bë nënë për herë të parë dhe ka pranuar se ishte “e tmerruar” nga kjo përvojë kaq e hershme.
“Për të qenë plotësisht e sinqertë, isha e tmerruar… Mbeta shtatzënë kur isha 22 vjeç dhe nuk dija si të balancoja punën me mëmësinë, thjesht e bën. Nuk e dija nëse do të kisha punë të qëndrueshme”, pati thënë artistja në intervistë te “The Drew Barrymore Show”.
Ajo pati shtuar se jeta e saj ishte thjesht si e çdo nëne ose babai tjetër që përpiqet të gjejë mënyrën për të rritur fëmijë.
“Ajo që më bën të zgjohem të dielave nuk janë filmat apo puna, por fëmijët e mi”, ka thënë Witherspoon.