Showbiz

Vdiq vokalisti i grupit “Ilirët”, Shemsi Krasniqi

shemi

Shemsi Krasniqi - SHEMI

Ka vdekur këngëtari Shemsi Krasniqi, i njohur për të gjithë si Shemi i grupit të famshëm “Ilirët”.

Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar për KOHËN nga Policia.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka thënë se rreth orës 15:00 kanë marrë informatën për një person pa shenje jete në  një banesë në rrugën "UÇK".

“Sot rreth orës 15:00 kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në një banesë në rrugën UÇK në Prishtinë. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Në koordinim me prokurorin e shtetit po ndërmerren veprimet e nevojshme policore”, ka thënë Pllana.

Karriera muzikore e Shemit nisi në vitet 80’. Ai shquhej si vokalist i grupit muzikor “Ilirët”, i themeluar në vitin 1981. Disa prej hiteve të tyre më të njohura janë, “Rini thuaja këngës”, “Trupi pa shpirt”, “Xhamadani vija vija” dhe të tjerë.

Lidhur me lajmin për vdekjen e tij, ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ai  ka  thënë se Shemi nuk i përkiste vetëm skenës, por edhe shpirtit të një kohe, brezi dhe një qyteti të tërë.

“Me dhimbje morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit, zërit të paharruar të grupit legjendar “Ilirët”. Shemi ishte artist që nuk i përkiste vetëm skenës, por edhe shpirtit të një kohe, një brezi dhe një qyteti të tërë. Ishte imazh i gjallë i Prishtinës në vitet kur muzika rock ishte zë rebelimi, shprese dhe lirie. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë adhuruesve të muzikës së tij. Humbja është e madhe, por gjurma që la në historinë e muzikës shqiptare dhe në kujtesën e kryeqytetit do të mbetet e pashlyeshme”, ka shkruar ai në Facebook.


Kurti: Shemi i dha fytyrë një etape të rëndësishme të muzikës sonë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se për vdekjen e artistit Shemsi Krasniqi, pikëllimi është mbarëkombëtar.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Shemi ishte zëri që hyri në çdo shtëpi.

“Sot u nda nga jeta Shemsi Krasniqi - Shemi, një zë që ka hyrë në shtëpitë tona pa trokitur. Si vokalist i “Ilirëve”, ai i dha fytyrë një etape të rëndësishme të muzikës sonë dhe i dha publikun një mënyrë për ta ndjerë veten bashkë, edhe kur ishim larg. Me interpretimin e tij, kënga u bë kujtesë dhe kujtesa u bë këngë; “Xhamadani vija-vija” u dëgjua e u këndua si shenjë identiteti dhe bashkimi për shqiptarët kudo. Në këto çaste, e kuptojmë edhe më shumë se sa rrallë lindin zëra që nuk janë vetëm art, por janë gjuhë e përbashkët emocioni shpirtëror. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij, për dhimbjen e humbjes. Ngushëllime për miqtë, bashkëpunëtorët dhe për gjithë publikun që e deshi, sepse kur ikën një artist i tillë, pikëllimi është mbarëkombëtar”, ka shkruar ai në Facebook.

Kurti ka thënë se të gjithë ta nderojnë me respektin që i takon, duke e mbajtur gjallë në kujtim dhe në mirënjohje.

Sipas tij, disa zëra nuk mbarojnë me një lajm, ata vazhdojnë sa herë që një këngë ngrihet si flamur në zemër.

“ Ashtu do të dëgjohet përherë Shemi jonë, xhamadan i këngës e shpirtit. U prehtë në paqe. I lehtë i qoftë dheu”, ka shkruar ai.