Aktorja, Jennifer Lawrence ka treguar se përvojat e saj të vështira si nënë e kanë ndihmuar në rolin e fundit filmik.
35-vjeçja, që ka djalin Cy, tre vjeç, dhe një tjetër djalë të lindur këtë vit me bashkëshortin Cooke Maroney, në filmin “Die My Love”, luan rolin e një nëne të re që përballet me sfida të mëdha.
Ajo ka thënë për revistën People se, ndonëse nuk është e domosdoshme që një aktore të ketë fëmijë për të luajtur një rol prindi, përvoja personale mund të ndihmojë shumë.
“Nuk kam pasur ankth pas lindjes deri pasi linda fëmijën e dytë. Mendoj se kjo i shtoi një shtresë tjetër interpretimit tim. Nuk duhet të kesh fëmijë për të luajtur një prind, por ndihmon shumë ta kesh atë informacion, ta dish çfarë i duhet një qenieje të vogël, çfarë kërkon ajo. Këto njohuri më ndihmuan”, ka thënë ylli.
Në filmin “Die My Love”, Lawrence luan përkrah aktorit Robert Pattinson, i cili gjithashtu është prind i ri, e fejuara e tij, këngëtarja Suki Waterhouse, solli në jetë vajzën e tyre vitin e kaluar.
Aktorja ka treguar se ajo dhe Pattinson u afruan gjatë xhirimeve pikërisht përmes bisedave rreth fëmijëve.
“U lidhëm përmes fëmijëve tanë, sepse si çdo prind i ri, e vetmja gjë që dëshiron të bësh është të tregosh foto dhe video të fëmijës tënd. Edhe fëmija i tij ishte shumë i vogël, ashtu si imi”, ka thënë ajo me humor.
VIDEO: Traileri i filmit
Lawrence ka folur më parë për përvojat e saj me ankthin pas lindjes dhe frikën se fëmija i saj “nuk e pëlqente”.
“Mendoja se sa herë që ai flinte, ishte i vdekur. Mendoja se qante sepse nuk e pëlqente jetën, ose mua, ose familjen e tij. Mendoja se po i bëja të gjitha gabim dhe se do t’i shkatërroja fëmijët e mi”, pati thënë ajo në një intervistë për The New Yorker.
Aktorja e filmit “Silver Linings Playbook” ka thënë gjithashtu se është shumë mirënjohëse për shoqet që i kanë folur hapur për vështirësitë e mëmësisë.
“Është shumë e frikshme të flasësh për mëmësinë, sepse është ndryshe për secilën grua. Nëse them ‘ishte e mrekullueshme që në fillim’, disa mund të mendojnë ‘për mua s’ishte’, dhe të ndihen keq. Për fat të mirë, kam shumë shoqe që ishin të sinqerta me mua. Më thoshin: ‘është e frikshme. Mund të mos lidhesh menjëherë. Mund të mos biesh në dashuri menjëherë’. Kështu që u ndjeva e përgatitur ta falja veten”, ka thënë ajo për Vogue.
Ajo ka shtuar me humor se para lindjes kishte dyshime edhe për ndjenjat e saj.
“Mbaj mend që ecja me një nga shoqet e mia, isha në muajin e nëntë, dhe i thashë: ‘të gjithë më thonë që do ta dua fëmijën tim më shumë se macen time. Por kjo s’është e vërtetë. Ndoshta do ta dua po aq sa macen time?’”, ka thënë aktorja.