Aktori i njohur, Will Smith, ka shënuar një fitore të rëndësishme ligjore në padinë për ngacmim seksual të ngritur ndaj tij, pasi një gjykatë në Kaliforni ka vënë në pikëpyetje një pjesë të pretendimeve të violinistit Brian King Joseph.
Padia ndaj aktorit 57-vjeçar u dorëzua në muajin dhjetor të vitit 2025 në Gjykatën Supreme të Kalifornisë në Los Angeles. Brian King Joseph e ka akuzuar Smithin dhe kompaninë “Treyball Studios Management” se kishin vepruar qëllimisht për ta “manipuluar” atë gjatë përgatitjeve për turneun “Based on a True Story: 2025”, ka shkruar FemaleFirst.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRasti riktheu vëmendjen publike ndaj Smithit, i cili prej vitesh ka qenë në qendër të kritikave pas incidentit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar” të vitit 2022, kur ai goditi në skenë komedianin Chris Rock.
Sipas dokumenteve të reja gjyqësore të siguruara nga revista People, gjykatësi ka vendosur që disa pika të padisë nuk janë të mbështetura ligjërisht.
Vendimi thotë se pretendimet e Brian lidhur me hyrjen në dhomën e tij të hotelit në Las Vegas “nuk bazohen në sjellje seksuale të pahijshme nga i pandehuri Smith”.
Gjykatësi gjithashtu ka thënë se pretendimi i Brian se Smith kishte rol në largimin e tij nga puna ishte “i përgjithshëm dhe i pambështetur nga faktet e paraqitura në padi”.
Sipas ligjit të Kalifornisë, ky vendim nuk e mbyll automatikisht çështjen, por teston nëse padia ka bazë të mjaftueshme ligjore. Brian King Joseph tani ka 30 ditë kohë për të ndryshuar dhe plotësuar padinë.
Në padinë fillestare, violinisti pretendonte se Smith e kishte “përgatitur dhe manipuluar qëllimisht” për “shfrytëzim të mëtejshëm seksual”, pasi e kishte ftuar të merrte pjesë në turneun botëror në nëntor 2024.
Ai e përshkroi atë që e quajti “një seri traumatike ngjarjesh” gjatë marsit 2025, ndërsa ishte në turne.
Brian ka pretenduar se kishte zbuluar shenja që dikush kishte hyrë në dhomën e tij të hotelit në Las Vegas.
Sipas padisë, ai gjeti në dhomë një letër të shkruar me dorë.
“Brian, do të kthehem... vetëm ne të dy”, e shoqëruar me simbolin e një zemre dhe firmën “Stone F”, thuhej në letër.
Padia përmendte gjithashtu sende të tjera të gjetura në dhomë, përfshirë peceta, një shishe birre, një çantë të kuqe shpine, një ilaç për HIV me emrin e një personi tjetër, një vath dhe dokumente spitalore të një personi të panjohur për Brianin.
Violinisti pretendoi se kishte frikë se “një person i panjohur do të kthehej në dhomën e tij për të kryer akte seksuale”.
Pak para ngritjes së padisë, Brian ka folur për rastin në një video të publikuar në Instagram.
“Nuk mund të hyj në shumë detaje sepse çështja tashmë është ligjore, por arsyeja pse po flas është sepse nuk është në rregull të pushohesh nga puna, të fajësohesh apo të kërcënohesh vetëm pse raporton ngacmim seksual ose kërcënime ndaj sigurisë në punë”, ka thënë ai.
Pas ngritjes së padisë, avokati i Smithit, Allen B. Grodsky, i mohoi ashpër akuzat.
“Pretendimet e zotit Joseph ndaj klientit tim janë të rreme, të pabazuara dhe të pamatura. Ne i mohojmë kategorikisht dhe do të përdorim çdo mjet ligjor për të treguar të vërtetën”, ka deklaruar ai.