Në historinë e teatrit në Kosovë, emri i Atdhe Gashit është i pashmangshëm. Shumë shfaqje në atë që njihej si Teatri Popullor Krahinor, mbajnë vulën e tij përderisa në zhanrin e radiodramës, la një thesar prej qindra sosh në Radio Prishtinë. Qe edhe autor i shumë komedive, shquhej për tisin e humorit dhe të ironisë. U largua nga skena në vitet ’90 kur shqiptarët u dëbuan prej institucioneve, por kurrë nuk iu nda teatrit sepse për ata që e njohën ai jetonte dhe ëndërronte për të
Qe prej kontribuuesve të jetës kulturore e artistike të vendit në kohëra jo të lehta. Shkroi e drejtoi shfaqje vendore e solli edhe historitë e teatrit botëror. Regjisori e dramaturgu Atdhe Gashi vdiq të shtunën. Ai ishte 84 vjeç. Siç vlerësojnë miqtë e tij, jetoi tërë jetën me teatrin, dramën e skenën, ndonëse kaherë u shkëput prej saj. Por s’u ndal së shkruari.
Lajmin e kanë bërë të ditur familja e të ndjerit sikurse edhe Teatri Kombëtar i Kosovës.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë se është ndarë nga jeta i dashuri ynë Atdhe Gashi, regjisor, mik e familjar i paharrueshëm. Varrimi do mbahet në Prishtinë, te Varrezat e Qytetit në Arbëri, në orën 13:00. Familja Gashi falënderon të gjithë për ngushëllimet dhe mbështetjen në këtë kohë të dhimbshme”, bëhet e ditur aty.
Vepra e regjisorit e dramaturgut Gashi u shfaq gjithandej në Kosovë. Depërtoi edhe më tej me filmin. Qe edhe skenarist për projekte të ndryshme.
Sipas biografisë së tij në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ai u lind në Tiranë në vitin 1941. Përfundoi studimet për regji në Akademinë për Teatër Filmi dhe Televizion në Lubjanë. Është autor i shumë realizimeve skenike në teatrot e Prishtinës, të Shkupit, Gjilanit, Prizrenit, Gjakovës e të tjera.
Në atë që dikur ishte Teatri Popullor Krahinor gjatë viteve ’70 realizoi shfaqjet “Dasma e përgjakur” të Federico Garcia Lorcas më 1972, pastaj me trupën serbe të ish-TPK-së realizoi shfaqjen “Margareta” A. Salek më 1974, dhe më pas shfaqjet “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Eftiumit në të njëjtin vit sikurse edhe shfaqjen “Mosha e bardhë” të Dritëro Agollit, “Deklarata” të K. Klariqit më 1977, “Besa e madhe” të M. Markajt më 1978.
“Është autor i dramave ‘Lindjet e vështira’, ‘Martesa’, ‘Gafi’, ‘Pse’, ‘Ferra e nisi, ferra e grisi’. Përveç në fushës e regjisurës në teatër dhe të shkrimit të dramës, u angazhua edhe në film dhe në televizion. Është skenarist i filmit artistik “Pikniku” me regjisor Emin Halilin, prodhuar nga “Kosovafilmi” në vitin 1986”, shkruhet në Enciklopedi. Për disa dekada realizoi qindra radiodrama në Radio Prishtinë.
Për vdekjen e tij ka shkruar kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja. Është shprehur se Gashi jetoi me teatrin e skenën.
“Paska ndërruar jetë regjisori dhe dramaturgu Atdhe Gashi, një burrë i urtë, modest dhe i dashur, i cili jetoi me teatrin, me skenën, me dramat që i shkroi dhe desh t’i shkruante, që i bëri shfaqje dhe desh t’i bënte shfaqje! Ishte i mirëshkolluar: kishte kryer regjinë e teatrit në Lubjanë në vitet ‘70. Në vitet ‘90 doli nga skena dhe nuk u shfaq më. Por nuk besoj se do të ketë pushuar së ëndërruari skenën dhe magjinë e saj, teatrin dhe magjinë e tij”, ka shkruar Kraja.
Për vdekjen e tij ka shkruar edhe Teatri Kombëtar i Kosovës, institucion pasardhës i TPK-së në të cilin Gashi ka kontribuuar për shumë vjet.
“Sot më datë 18 tetor 2025, ndërroi jetë regjisori dhe bashkëpunëtori shumëvjeçar i Teatrit Kombëtar të Kosovës, z. Atdhe Gashi. Teatri Kombëtar i Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të gjithë komunitetit artistik për humbjen e z. Gashi. Për detaje të mbledhjes komemorative dhe ceremonisë mortore ju lajmërojmë së shpejti”, shkruhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Ngushëllime të thella familjes, artistëve, shokëve e dashamirëve të Atdhe Gashit! Ishte ndër regjisorët më produktivë në teatër dhe radio me dekada. Pushoftë në paqe!”, ka shkruar aktori Dibran Tahiri, i cili ndër të tjera ka interpretuar edhe në radiodramën e njohur “Njeriu që rrëfehej kur ishte vetëm” të Hasan Dajakut realizuar prej Atdhe Gashit.
Kur shqiptarët u dëbuan nga institucionet në vitet ’90, Gashi emigroi. Provoi të kthehej në Kosovë por pa sukses. Por nuk iu nda dramës e shkrimit. Në tetorin e vitit 2018, lexuesit në Prishtinë i erdhi me 11 komedi. Në ceremoninë e përurimit, do të thoshte se ato ishin vepra të shkruara në kohë së vështira. Do të paralajmëronte se kishte edhe shumë të tjera në dorëshkrim.
Kontributi i regjisorit e dramaturgut Atdhe Gashi mbetet pjesë e çmuar e historisë së teatrit dhe kulturës së vendit në përgjithësi.