Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Dhembja e saj është detyrimi ynë, që kurrë të mos harrojmë!”

Dëshpërimi i Ferdonijes zbuloi një të vërtetë

Dëshpërimi i Ferdonijes zbuloi një të vërtetë më të madhe shoqërore, e cila shërbeu si një katalizator për ta nxitur audiencën që të mos binte, gjithashtu, në dëshpërim, por përkundrazi, të përgjigjej ndaj dëshpërimit të saj në mënyra që kontribuojnë pozitivisht në sigurinë ontologjike të Kosovës

Fakti që Ferdonije Qerkezi dhe familja e saj nuk ishin as luftëtarë të UÇK-së dhe as aktivistë politikë ilustron se shtypja serbe ishte e drejtuar ndaj të gjithë shqiptarëve të Kosovës, e jo vetëm ndaj militantëve apo agjitatorëve politikë. Vendosmëria e Ferdonijes për ta ruajtur shtëpinë saktësisht ashtu siç ishte, zbulon mënyrën e zakonshme të të jetuarit – në mënyrë thelbësore – mbështet idenë se Serbia ishte agresori pa dyshim dhe shqiptarët viktimat e pafajshme

Për shqiptarët e Kosovës, veshja e mantelit të viktimës është thelbësore për të mbështetur pretendimet se lufta e tyre kolektive kundër sundimit serb ishte e drejtë dhe se shteti i pavarur ka të drejtë të ekzistojë. Në të vërtetë, rëndësia e pretendimit të mantelit të viktimës në kontekstin e rivalitetit ose konfliktit të hapur është vërejtur gjerësisht (Mertus 1999, 3; Agamben 2009, 218; Girard 1986, 24). Pretendimi se sundimi serb mbi Kosovën u karakterizua nga shtypja e dhunshme ndaj shqiptarëve, dhe se Serbia do të sillej në të njëjtën mënyrë sot nëse do të kishte autoritet mbi Kosovën, përbën natyrshëm një argument bindës që mbështet pretendimin se shqiptarët e Kosovës ishin viktima dhe se lufta e tyre për pavarësi ishte, dhe mbetet, e drejtë.

Historia e Ferdonijes e mbështet këtë narrativë në dy mënyra kryesore. Së pari, fakti që ajo dhe familja e saj nuk ishin as luftëtarë të UÇK-së dhe as aktivistë politikë ilustron se shtypja serbe ishte e drejtuar ndaj të gjithë shqiptarëve të Kosovës, e jo vetëm ndaj militantëve apo agjitatorëve politikë. Vendosmëria e Ferdonijes për ta ruajtur shtëpinë saktësisht ashtu siç ishte, zbulon mënyrën e zakonshme të të jetuarit – në mënyrë thelbësore – mbështet idenë se Serbia ishte agresori pa dyshim dhe shqiptarët viktimat e pafajshme. Vetë Ferdonija vëren: Ne kishim një jetë krejtësisht normale, dhe ruajtja e shtëpisë nga ana e saj mundëson që kjo jetë normale edhe të shihet, edhe të theksohet (Schwandner-Sievers dhe Klinkner 2019, 236). Prandaj, normaliteti dhe pesha e shkëputjes kur ky normalitet humbi inkurajoi shoqërinë shqiptare të Kosovës në tërësi – dhe komunitetin ndërkombëtar – të besojnë se lufta kundër Serbisë së dhunshme ishte e drejtë (2019, 238-9). Si ilustrim, Kryeministri i Kosovës e përshkroi Ferdonijen si “ruajtësja e fuqishme e kujtesës për gjenocidin serb në Kosovë. Dhembja e saj është detyrimi ynë, që kurrë të mos harrojmë!” (Telegrafi 2025). Gjatë një vizite në shtëpinë e saj në 25-vjetorin e zhdukjes së familjes, ai po ashtu deklaroi: “Me mall e dhembje, i kujtojmë sot dhe ҫdo ditë, të gjithë të vrarët dhe të zhdukurit me dhunë nga Serbia. Sakrifica e popullit tonë është themeli i Republikës sonë të lirë. Lavdi të gjithë të rënëve në rrugën e gjatë për ҫlirimin e Kosovës!” (Ora Info 2024).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një dokumentar për televizionin e Kosovës, po ashtu, e përshkroi atë si “një nga shembujt më krenarë që ekzistojnë në Kosovë për kujtimin dhe rikujtimin e ditëve dhe ngjarjeve të luftës së fundit në këtë vend” (Schwandner-Sievers dhe Klinkner 2021, 52).

Për më tepër, jo vetëm që Ferdonija vuajti në duart e Serbisë në vitin 1999, por, fakti që trupat e burrit dhe të dy prej djemve ende nuk janë kthyer nënkupton se ajo, gjithashtu, mishëron keqtrajtimin e vazhdueshëm të shqiptarëve të Kosovës nga ana e Serbisë. Prandaj, historia e saj nuk është vetëm e një viktime të një padrejtësie të kaluar; ajo lidhet me një padrejtësi të vazhdueshme të kryer nga Serbia. Si e tillë, fati dhe dëshpërimi i saj zgjojnë tek audienca një ndjenjë empatie, por edhe një zemërim dhe kundërshtim ndaj Serbisë (Isufi 2024). Ky evokim i fatit të Ferdonijes si dëshmi e keqtrajtimit të mëparshëm dhe bashkëkohor të shqiptarëve të Kosovës nga Serbia u dëshmua kur Kryeministri i Kosovës deklaroi: “me një grua si nëna Ferdonije ne tregojmë historinë tonë, të tashmen tonë, po në të njëjtën kohë edhe fuqinë për të ardhmen, e cila e ka burimin pikërisht në gra si nëna Ferdonije” (KosovaPress 2023 a). Ngjashëm, ai citoi gjendjen e saj të rëndë kur kritikoi Serbinë për sjelljen e tanishme, specifikisht për refuzimin për t’i hapur arkivat ushtarake dhe për të zbuluar vendndodhjen e varrezave masive (KosovaPress 2023 b). Po ashtu, presidentja e Kosovës iu referua Ferdonijes kur kritikoi politikat bashkëkohore të Serbisë ndaj Kosovës, duke thënë: “Historia e Nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë e historisë sonë të trishtë, por edhe e përgjegjësisë që të mos reshtim në kërkesën për drejtësi dhe në mbrojtje të së vërtetës”. (Presidentja e Republikës së Kosovës 2024).

Fati i Ferdonijes mbështet në pretendimin se lufta e shqiptarëve të Kosovës për çlirim kundër barbarisë së Serbisë ishte e drejtë në vitet 1990 dhe, gjithashtu, duke pasur parasysh keqtrajtimin e vazhdueshëm të shqiptarëve nga ana e saj, Kosova duhet të mbetet e pavarur sot nga Serbia (Berisha 2017, 50). Kështu, meta-narrativa e bazuar në parimet binjake “lufta jonë për pavarësi ishte e drejtë dhe kemi të drejtë të vazhdojmë të afirmojmë pavarësinë tonë” – një narrativë që ka rëndësi të qartë ekzistenciale për Kosovën dhe është thelbësore për sigurinë ontologjike të shqiptarëve të Kosovës – mbështetet në rastin e Ferdonijes, i cili konsiderohet që ilustron qëndrimin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës si në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen.

“Nënën Ferdonije e duam si nënë dhe e admirojmë si heroinë”

Aspekti i dytë i historisë së Ferdonijes që kontribuon në narrativën autobiografike të kosovarëve dhe rrjedhimisht në sigurinë ontologjike, është se fati i saj vë në pah rrezikun nga Serbia dhe – në mënyrë thelbësore – nevojën për unitet kombëtar dhe vigjilencë për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi. Fati i familjes së saj nxjerr qartë në pah se Serbia ishte një kërcënim në vitin 1999, por pikëpamja vetjake mbi kërcënimin që Serbia ende paraqet sot i shton një dimension bashkëkohor paralajmërimit që përcjell fati i saj. Schwandner-Sievers dhe Klinkner vërejnë se Ferdonija e sheh veten haptazi si një paralajmërim për shoqërinë e gjerë se Serbia planifikon t’i sulmojë sërish shqiptarët e Kosovës; ky ishte një paralajmërim “që e ndjente si të nevojshëm t’ua përcillte brezave të rinj të Kosovës, ashtu si edhe vizitorëve ndërkombëtarë” (2021, 69). Vetë shpjegimi i Ferdonijes për arsyen e hapjes së shtëpisë shpjegohet si nevojë për të qenë vazhdimisht vigjilentë: “Dua, gjithashtu, që ndërkombëtarët ta dinë se çfarë ndodhi, sepse tani ata në fakt po e mbështesin gjithnjë e më shumë Serbinë...dhe kanë harruar se çfarë ka ndodhur këtu. Ata [serbët] ende vazhdojnë” (Schwandner-Sievers dhe Klinkner 2019, 337).

Motivimi i saj thekson tmerrin e asaj që ndodhi, ashtu edhe paralajmëron se Serbia synon ta bëjë këtë përsëri. Ag Apolloni i bën jehonë kësaj pikëpamjeje, duke argumentuar se historia e Ferdonijes ka një rëndësi bashkëkohore, sepse autorët e krimeve të kryera kundër saj, dhe shqiptarëve të Kosovës në përgjithësi, janë ende të lirë dhe paraqesin një kërcënim të vazhdueshëm: “Kriminelët e padënuar sot janë si psikopatët mes një shoqërie normale. Ata rrinë mes anëtarëve të familjes, mes fqinjëve, mes miqve, mes fëmijëve, të cilët nuk e dinë të kaluarën e tyre”. (2020, 130). Nevoja për ta kuptuar vuajtjen e duruar nga familjet e të zhdukurve, dhe për të vlerësuar, se ata që janë përgjegjës mbeten të lirë dhe paraqesin një kërcënim të vazhdueshëm, është e një rëndësie të natyrshme shoqërore; dëshpërimi i Ferdonijes shërben për të tërhequr vëmendjen ndaj kësaj dhe për të zgjuar vigjilencën e unitetin kombëtar në përgjigje të kërcënimit që fati i saj mishëron. Në të vërtetë, ajo është lartësuar vazhdimisht dhe shprehimisht si një figurë bashkuese përmes titullit si Nëna Ferdonije. Kryeministri i Kosovës e përshkroi atë si “Nëna e gjithë popullit tonë dhe vërejti: E duam si Nënë, e admirojmë si Heroinë, i falënderohemi për jetë, i kemi borxh secili”. (Kosova Press 2023b). Po ashtu, presidentja e Kosovës, kur e nderoi atë me Medaljen Presidenciale, vuri në dukje rëndësinë bashkëkohore të mesazhit të saj dhe vlerësoi “kontributin e veçantë në mbrojtjen e së vërtetës” (Presidentja e Republikës së Kosovës 2023). Kjo e vërtetë rreth së cilës shqiptarët e Kosovës nxiten të bashkohen – e mishëruar nga Ferdonija – lidhet me spektrin e vazhdueshëm të një kërcënimi të jashtëm, përkatësisht nacionalizmit agresiv serb.

“Këmbëngulje dhe qëndresë”

Aspekti i tretë i rastit të Ferdonijes që kontribuon në sigurinë ontologjike lidhet me aftësinë për të frymëzuar qëndresë. Dëshpërimi i saj përshkruhet shpesh me terma të gjallë, por kjo shoqërohet pa përjashtim nga ndjenja që lartësojnë qëndresën përballë tragjedisë së kaluar dhe të tashmes që duron; ajo ka arritur të përshkruhet në mënyra të ndryshme si “grua e hekurt” (Telegrafi 2020) dhe “grua prej guri” (Apolloni 2020, 79). Gjithashtu, Ilir Kabashi shpjegoi motivimin për realizimin e dokumentarit “Ikona e Lotëve” si nevojë për të vënë në dukje dëshpërimin e saj te të tjerët, në mënyrë që të mund të shërbente si shembull se si “një person që humb gjithçka, prapëseprapë gjen forcë me jetu’ dhe me dëshmu’” (Apolloni 2020, 82).

Ky motiv është evokuar rregullisht nga udhëheqësit politikë të Kosovës; Presidentja e Kosovës tha për të: “Dhimbjen e ka shndërruar në forcë, stoicizëm dhe në kauzë për drejtësi”. (Presidentja e Republikës së Kosovës 2025), ndërsa Kryeministri i Kosovës vërejti se “qëndresa e Nënës Ferdonije na mbanë të fortë të gjithëve, na inkurajon e na frymëzon” (Telegrafi 2022), dhe më vonë e falënderoi Ferdonijen për “forcën që ajo e ka bartur te të gjithë” (Insajderi 2023). Kështu, ajo konsiderohet ekzemplar i tipareve të brendshme shqiptare – qëndresës, forcës shpirtërore dhe këmbënguljes – të cilat lartësohen për t’i frymëzuar këto tipare te të tjerët dhe për të kontribuar kështu në narrativën se shqiptarët e Kosovës do të jenë gjithmonë të aftë ta durojnë dhimbjen dhe t’i kapërcejnë vështirësitë. Presidentja e Kosovës e përshkroi atë si “shembull të jashtëzakonshëm të ngulmimit dhe qëndresës në momentet e vështira”. (KultPlus 2023).

Përfundim: Dhimbja e saj është e jona

Meqenëse siguria ontologjike e një shoqërie formësohet nga narrativat autobiografike dhe këto narrativa mbështeten përmes dokumentimit tek ikonat, që konsiderohen se bëhen shembuj të tyre, atëherë SSO-t duhet të japin llogari për rolin që luajnë ikonat që simbolizojnë disfatën dhe tragjedinë, ashtu siç bën për ato që simbolizojnë lavdinë, nderin, heroizmin apo vetëflijimin. Deri më sot, SSO ka anuar kah ikonat dhe narrativat e tyre shoqëruese që bëjnë pjesë në kategorinë e dytë (Steele 2008; Kinnvall 2004, 755; Delehanty dhe Steele 2009, 524; Subotić 2016, 614; Steele dhe Subotić 2024, 148-58). Në këtë artikull, kam synuar ta korrigjoj këtë duke theksuar, se si një ikonë e dëshpërimit – Ferdonije Qerkezi – ka arritur të luajë një rol qendror në përhapjen e narrativës bashkëkohore autobiografike të një shoqërie.

Kur diskutohet dëshpërimi, në zhargonin popullor apo diskursin akademik, pa përjashtim shfaqet si thelbësisht negativ dhe kufizohet në mënyrë pezhorative (Steinbock 2007, 436). I konsideruar si sinonim i morbiditetit, letargjisë dhe i një fiksimi pas të kaluarës, dëshpërimi paraqitet si një prirje personale që e izolon individin nga shoqëria (Fletcher 1999, 521; Lazarus 1999, 659; Mack 1999, iii; Pecchenino 2015; DeNora 2021, 1, 56). Ndonëse dëshpërimi është sigurisht një gjendje e mjerueshme, kam dëshmuar se dëshpërimi i një individi mund të kontribuojë pozitivisht në narrativën autobiografike të një shoqërie, duke zbuluar një të vërtetë të fshehur, duke shërbyer si një katalizator gjenerativ për emocione dhe veprime që rivendosin, ose mbështesin sigurinë ontologjike.

Them se, derisa dëshpërimi i Ferdonijes padyshim zbulon një të vërtetë të pakëndshme, e cila nuk frymëzon menjëherë ndjenja sigurie, i shërben një funksioni të rëndësishëm në rivendosjen e sigurisë ontologjike kur shihet në kontekstin se si ndërtohen narrativat e sigurisë ontologjike, në një mënyrë që përfshin evolucionin transformues të emocioneve. Dëshpërimi i saj, kur gjen ndërveprim me të tjerët, e detyron shoqërinë ta njohë natyrën tronditëse të fatit të saj, por më pas e detyron të veprojë në bazë të këtij zbulimi. Dëshpërimi i Ferdonijes zbuloi një të vërtetë më të madhe shoqërore, e cila shërbeu si një katalizator për ta nxitur audiencën që të mos binte, gjithashtu, në dëshpërim, por përkundrazi, të përgjigjej ndaj dëshpërimit të saj në mënyra që kontribuojnë pozitivisht në sigurinë ontologjike të Kosovës.

Edhe pse reflektimet mbi jetën e saj theksojnë vazhdimisht se është grua e gllabëruar nga dëshpërimi dhe hera-herës inati, Nëna Ferdonije është bërë figurë gjerësisht e lartësuar brenda komunitetit të saj dhe është njohur vazhdimisht nga udhëheqësit politikë si mishëruese e të vërtetave mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Duke reflektuar mbi rolin e saj, Schwandner-Sievers dhe Klinkner vërejnë: “ajo kontribuon në aktivitetet më të mëdha të kërkimit dhe zbulimit të së vërtetës... ka gjetur një mënyrë për t’i komunikuar padrejtësitë e pësuara dhe për ta çuar përpara kujtesën-drejtësinë” (2021, 70). Fakti që Kryeministri i Kosovës e përshkroi Ferdonijen si “një simbol të qëndresës sonë kombëtare” (Telegrafi 2025) dhe Presidentja e Kosovës tha se: “Dhimbja e saj është e jona. Kauza e saj është e jona. Dhimbja dhe kauza e gjithë Kosovës” (Presidentja e Republikës së Kosovës 2025), ilustron se ajo është një ikonë e evokuar rregullisht për të frymëzuar reagime emocionale kolektive në mbështetje të një narrative kyçe shoqërore. Megjithëse, fati i saj vetjak mbetet tragjik, ai ka arritur, në procesin e sekuritizimit të narrativës, të zgjojë emocione mes shqiptarëve të Kosovës – kryesisht mbështetjen për pavarësinë e Kosovës, unitetin kombëtar dhe qëndresën kolektive – të cilat kanë kontribuar pozitivisht në ndjenjën e sigurisë ontologjike.

Ferdonija, me siguri, nuk është i vetmi shembull i një figure tragjike, fati i së cilës ka arritur të jetë pjesë e narrativës autobiografike të një shoqërie; Nënat e Srebrenicës në Bosnje dhe Hercegovinë, Nënat e Plaza de Mayo në Argjentinë, Anne Frank e shumë të tjerë, janë shembuj të ngjashëm të ikonave, ndikimi i të cilave mbi narrativat autobiografike meriton një shqyrtim më të thellë përmes lenteve të SSO-së.

Së fundi, duhet theksuar se lartësimi i Ferdonijes në statusin e një ikone u lehtësua nga fakti që udhëheqësit politikë zgjodhën t’i referoheshin publikisht gjendjes së saj, veçanërisht në dhjetë vjetët e fundit. Ndonëse shfaqi shumë qartë agjencinë e saj në themelimin e Shtëpisë Muze dhe në angazhimin e saj mbrojtës, fama e saj është, të paktën pjesërisht, një funksion i llogaritjeve politike. Përpjekjet e mëdha që ka bërë për ta ruajtur shkëputjen që iu shkaktua në vitin 1999 – siç është qartazi evidente nga mbajtja e shtëpisë ashtu siç ishte kur iu rrëmbyen burri dhe djemtë – është një përpjekje e qëllimshme për ta refuzuar shërimin, pajtimin dhe paqen shpirtërore, dhe kjo është, gjithashtu, e dukshme në vetë refuzimin eksplicit ndaj këtyre qëllimeve normative. Si e tillë, mund të supozojmë se figurat politike që zgjodhën ta nxjerrin në pah vuajtjen e Ferdonijes dhe ta lartësojnë atë në statusin e një ikone synojnë, gjithashtu, ta refuzojnë shërimin, pajtimin dhe paqen shpirtërore.

Kjo, sigurisht, shtron pyetjen pse? Njëzet e gjashtë vjet pas përfundimit të luftës pritej që ikonat që përfaqësojnë shërimin, pajtimin dhe paqen shpirtërore të nderoheshin si ekzemplarë të një prirjeje që të gjithë duhet ta adoptonin, por në Kosovë, nuk është rast i tillë. Ndonëse hapësira pengon një analizë të thelluar të arsyeve, mund të mjaftojë të spekulohet se fama e tanishme e Ferdonijes është një funksion i faktit që Kosova dhe Serbia mbeten në një gjendje konflikti të pazgjidhur. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ka bërë shumë pak për ta shlyer, apo qoftë edhe për ta pranuar, shkallën e dhunës së ushtruar mbi shqiptarët e Kosovës në vitet 1990; në fakt, mohimi dhe revizionizmi brenda Serbisë janë rritur kohët e fundit. Për më tepër, gjatë dhjetë vjetëve të fundit, aleatët perëndimorë të Kosovës i kanë bërë gjithnjë e më shumë presion qeverisë së Kosovës që të pranojë kompromise të dhimbshme me Serbinë – pavarësisht revizionizmit të Beogradit – në mënyrë që t’i normalizojë marrëdhëniet. Përballë sfidave të paraqitura si nga Serbia, ashtu edhe nga shumë prej aleatëve perëndimorë të Kosovës, nuk është befasuese që qeveria dhe populli i Kosovës janë drejtuar gjithnjë e më tepër kah nderimi i një ikone të dëshpërimit, vuajtja e vazhdueshme e së cilës shërben si një kundërargument i fuqishëm ndaj idesë se të dyja palët e konfliktit të kaluar duhet të ecin përpara.

Hulumtimet e mëtejshme në hartimin e evolucionit të përhapjes së ikonave nga udhëheqësit politikë në Kosovën e pasluftës – dhe në të vërtetë edhe në Serbi – do të ndihmonin për ta kontekstualizuar dhe shpjeguar më mirë arsyetimin që qëndron pas nderimit të ikonave specifike si një mjet për rivendosjen e sigurisë ontologjike.

Falënderime

Autori falënderon Brent J. Steele dhe Rozafa Berishën për leximin dhe komentimin e draftit të këtij artikulli dhe recensentët anonim për sugjerimet e dobishme.

Aidan Hehir është profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit. Kërkimet e tij janë fokusuar në drejtësinë tranzicionale, intervenimin humanitar dhe shtetndërtimin e Kosovës. Është autor dhe editor i dymbëdhjetë librave akademikë, përfshirë edhe “Kosova dhe ndërkombëtarët” (2024), dhe i shumë kapitujve dhe artikujve nëpër libra dhe revista të ndryshme, si dhe është kontribuues i rregullt në televizione dhe radio kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, është autor i romanit “Lulet e Srebrenicës”, i cili është dramatizuar vitin e kaluar, me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Botohet me leje të autorit.

LEXO EDHE: