Historia e koncertit të 1942-tës në Leningrad tashmë është zbërthyer dhe rrëfyer në çdo detaj. Por koncerti i Sarajevës i vitit 1994, megjithëse shumë më i afërt në kohë, mbetet ende i mbuluar nga mjegulla e heshtjes. Prandaj, pikërisht në përvjetorin e Leningradit, le të ndalemi një çast mbi këto dy qytete, mbi këto dy koncerte; dhe të përpiqemi të ngremë sadopak perden e misterit që mbulon veçanërisht të dytin koncert…
Hyrje
Rrethimi i Leningradit nga nazistët fillon më 8 shtator 1941 dhe përfundon më 27 janar 1944. Plot 872 ditë. Nëse do të vendosnim një llupë mbi këtë pllakë të përgjakshme të historisë, ku më shumë se një milion civilë humbën jetën, prej saj mund të nxirrnim një epos të historisë universale të njerëzimit, qëndisur nga një varg ngjarjesh jashtëzakonisht tronditëse.
Një rrëfim ku përplaset, historia e së mirës dhe së keqes, e poshtërsisë dhe nderit, e madhërisë dhe përulësisë, e mjerimit dhe solidaritetit, pra historia e gjithçkaje që i përket qenies njerëzore. Një tablo sa sureale aq edhe tronditëse, një version modern i “Ditës së Gjykimit” nga Bosch, ku ngado që të hedhësh vështrimin, ravijëzohet një histori e thellë për njerëzimin.
Vetëm 50 vjet më vonë, gjysmë shekulli pas atij rrethimi famëkeq nazist, kësaj here mu në zemër të Evropës, ndodhi një tjetër rrethim. Qe pikërisht ai, rrethimi i Sarajevës, prej forcave serbe. Rrethimi filloi më 5 prill 1992 dhe përfundoi më 29 shkurt 1996. Plot 1.425 ditë. Duke u regjistruar kështu si rrethimi më i gjatë i historisë moderne.
Por lidhja mes Leningradit dhe Sarajevës nuk qëndron vetëm në kronikat e dhimbjes. As është vetëm çështje historike. Nga perspektiva e artit dhe rezistencës, të dyja qytetet janë të lidhura nga fijet e padukshme të një “farefisnie të largët”, të lidhur përmes kapilarëve të padukshëm. Ashtu siç janë të afërt, barbarisht dhe mes hijesh të errëta nazistët me çetnikët, të cilët i kanë mbushur kapitujt e tyre në librin imagjinar të “Historisë Universale të Poshtërsisë”.
Nga Dmitri Shostakoviç te Zubin Mehta, nga Karl Eliasberg te Emir Nuhanoviqi, ekzistojnë ura të nëndheshme që nuk janë shpikje e imagjinatës sime, por pasqyrim i përsëritjes magjike të historisë.
Me një ndryshim: Historia e koncertit të 1942-tës në Leningrad tashmë është zbërthyer dhe rrëfyer në çdo detaj. Por koncerti i Sarajevës i vitit 1994, megjithëse shumë më i afërt në kohë, mbetet ende i mbuluar nga mjegulla e heshtjes. Prandaj, pikërisht në përvjetorin e Leningradit, le të ndalemi një çast mbi këto dy qytete, mbi këto dy koncerte; dhe të përpiqemi të ngremë sadopak perden e misterit që mbulon veçanërisht të dytin koncert…

Në kërkim të “të njohurës së panjohur”
Ndërsa çatia e “shtetit tonë të përbashkët” (Jugosllavisë) po kërciste e qe gati për t’u shembur, po ta sodisje hartën nga lart si një zog, aty poshtë, rreth 300 kilometra larg në vijë ajrore, unë sapo kisha nisur gjimnazin në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës.
Atyre ditëve, pa rrjete sociale, jetonim plotësisht nën ndikimin verbërues të propagandës çjerrëse të regjimit të Millosheviqit mbi gjithë çfarë po ndodhte në frontet e luftës (Qorre qofsh, moj ironi historike! Ministri i ri i propagandës së Millosheviqit ndër ato vjet është sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq!)
Vite më vonë, rrethimin e kam lexuar nëpër ditarë e faqe librash dhe e pashë në filma. Sa më shumë njihesha me ata që e kishin përjetuar rrethimin, veçanërisht me muzikantët, shkrimtarët; sa më shumë i dëgjoja; i shtyja të flisnin e ua çelja me kujdes kujtimet; aq më tepër e kuptoja se gjendjet epike njerëzore të panumërta kishin mbetur pa u rrëfyer, pa u treguar, pa u ndriçuar … akoma, askush nuk ish thelluar në kujtimet dhe faktet historike të asaj kohe.
Kështu, në kërkim të “të njohurës së panjohur” zbulova peshën historike të atij koncerti të mrekullueshëm që zuri rrënjë në Sarajevë; të cilin, ani se kanë kaluar thuajse 30 vjet, akoma pak njerëz e njohin në detaje. Por tani, le ta shpluhërosim pak kujtesën e fjetur. Le të kthehemi në një shtator të largët, 83 vjet përpara, në Rusi.

“Fireman Shostakoviç”
Kompozitori gjenial i shekullit XX, Dmitri Shostakoviç, që në fillimet e rrethimit të Leningradit, kishte përfunduar dy pjesët e para të të famshmes së tij, Simfonisë së 7-të.
Ndërkohë që bombardimet naziste po përshkallëzoheshin, Shostakoviç do të shfaqte dëshirën për t’u bërë ushtar vullnetar. Por, nuk do ta pranonin! Ndoshta, ngaqë ai mbante syze me dioptri shumë të lartë! Syze që dukeshin si fundi i një kavanozi dhe pa të cilat, Dimitri ishte më i kufizuar sesa një person që kish lindur me mungesë shikimi. Lutej sikur të paktën ta lejonin që të bëhej zjarrfikës! Dhe, në një nga ato herët, Dimitrit iu pranua lutja. Madje, revista “Time” në një numër të vitit 1942, e vendosi kompozitorin e famshëm në kopërtinë, me titullin “Zjarrfikësi Shostakoviç”.
Në ditët që rrethimi po përparonte edhe Simfonia e 7-të kishte evoluar tashmë në një “Simfoni të Rezistencës” ndërkohë Shostakoviç së bashku me familjen e tij, kishin lëvizur; fillimisht duke u strehuar në një bunker, e më pas, përmes një operacioni të suksesshëm, qenë tërhequr nga qyteti i rrethuar për t’u vendosur në Kujbïshev (emri i sotëm: Samara).
Ndërsa atje, gjeniu shkruan dy pjesët e fundit të simfonisë, ne po rikthehemi në Sarajevë.

Ideja e çmendur dhe gjeniale e Irfan Lubijankiqit
Një qytet i rrethuar nga male në të katër anët, i pjerrët si një tas dhe me një lumë që e përshkon në mes; një qytet që është nënë për të gjithë! Një Jerusalem në zemër të Evropës! Një qytet që është më shumë se Perëndimi dhe më tepër se Lindja.
Ortodoksë, katolikë, hebrenj dhe myslimanë. Një harmoni e fisme njerëzore ku oborret hapeshin ndaj njëri-tjetri; një natyrshmëri që njerëzimi ndoshta e kishte arritur vetëm pas 300 vjetësh bashkëjetese.
Ndërkaq, pamja e Sarajevës pas 5 prillit 1992 ishte kjo: snajperistë të rreshtuar maleve anekënd, tanke, mortaja… Ushtarë të rregullt e të parregullt, paramilitarë, çetnikë, të shndërruar në zombi, që veprojnë si të ishin në gjendje halucinante pas ekspozimit ndaj një tymi neurotoksik. Asnjë rrugëdalje nga qyteti!
Ose duhej të vrapoje si sprinter në një shteg vdekjeje prej 100 metrash, që snajperistët e kishin kthyer në poligon, ose të ecje 800 metra në “Tunelin e Shpresës” – vetëm 1 metër i gjerë dhe 1.6 metra i lartë, nën tokë. Uji, energjia elektrike, ushqimi dhe ilaçet po bëheshin gjithnjë e më të paarritshme!
Por, çuditërisht, thuajse tek askush nuk vërehet ndonjë shenjë dëshpërimi madje dallohet një fare shpërfilljeje. Në fund të fundit, duket se të gjithë besojnë se “Sidoqoftë, bota do të ndërhyjë”, “Në këtë epokë, a ndodhin më rrethime?”, “Këtu jemi, në zemër të Evropës”...
Ky besim dhe kjo pritje vazhdojnë thuajse dy vjet me radhë, por ndërhyrja që populli i Sarajevës shpresonte nga Perëndimi nuk vjen kurrë! Spastrimi etnik, që kishte nisur bashkë me rrethimin, kampet e përqendrimit, përdhunimet sistematike; të gjitha këto, të dokumentuara me prova, u paraqiten krerëve të shteteve evropiane. Dosje të mbushura me shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare dhe ligjeve të luftës u dorëzohen autoriteteve. Por nuk ka asnjë reagim!
(Presidenti i atëhershëm, Alija Izetbegoviq, do të shkruante më vonë në kujtimet e tij: “Edhe pse i panë të gjitha, qëndruan të heshtur, të palëvizshëm, sikur të ishin të vdekur.)
Pikërisht në një çast të tillë rraskapitjeje, kur të gjitha kanalet e diplomacisë politike ishin bllokuar, ministri i Jashtëm i asaj kohe, Irfan Ljubijankiç, guxon të ndjekë një rrugë krejt të pazakontë – të ngjitej nga shkallët e pasme të diplomacisë.
Ministri boshnjak Lubijankiq ishte njëkohësisht kirurg cervikofacial, specialist i ORL-së, por mbi të gjitha, kompozitor i muzikës klasike dhe pianist. Ai dëshiron t’i drejtohet për herë të fundit, sipas mënyrës së tij, ndërgjegjes së Perëndimit: duke organizuar një koncert! Por jo një koncert dosido – një koncert që do ta copëtojë rrethimin; një përpjekje për ta arritur me muzikë atë që nuk mund të arrihej me armë! Kohë të vështira, kur çmenduria dhe gjenialiteti po shkriheshin me njëra-tjetrën…

Në Rusi, shpërblimi ishte 250 gram bukë
Shostakoviç, në dhjetor të vitit 1941 e nisi Simfoninë e 7-të në Leningrad, pra “Rezistencën” e cila do të kopsitej prej katër pjesësh, në Kujbïshev. Gjenialiteti i Shostakoviçit është i padiskutueshëm, por është dokumentuar gjithashtu se ai ishte një “i çmendur i pamëshirë!’ Imagjinoni: kërkonte që Simfonia e Rezistencës të luhej nga një orkestër me 111 (po, njëqind e njëmbëdhjetë!) muzikantë. Vetëm për frymorët kishte përcaktuar 20 instrumentistë: 8 korno, 6 trumpeta, 6 trombone!
Po kush do ta luante këtë simfoni të ndërlikuar dhe me volum të pabesueshëm? Orkestra e Radios së Leningradit, që e rraskapitur po tretej nga uria? Aq më tepër kur dirigjenti i saj Karl Eliasberg, kishte mbetur me vetëm 15 muzikantë në dorë! Eliasberg, i dëshpëruar, përpiqet ta plotësojë orkestrën. Vendos njoftime në çdo cep të Leningradit, duke bërë thirrje se kushdo që di të mbajë një instrument në dorë, të rinj e të moshuar, të paraqitej. Në fund të njoftimit shkruante: “Shpërblimi për të gjithë muzikantët: 250 gramë bukë në ditë!”

Fillimisht qe një ëndërr, pastaj u bë sekret shtetëror
Ndërkohë që dirigjenti rus Eliasberg priste me shpresë aplikimet në Leningrad, ne kthehemi te ministri i Jashtëm boshnjak, Lubijankiq. Për të bërë realitet atë që kish planifikuar, në mendjen e tij ekzistonte vetëm një njeri: dirigjenti i Orkestrës Ushtarake dhe klarinetisti, njëkohësisht major, Emir Nuhanoviq.
Izetbegoviq dhe Lubijankiq (ç’dyshe e papërsëritshme: një president shteti filozof që kishte shkruar traktate serioze filozofike dhe një ministër i Jashtëm që është kompozitor i muzikës klasike!) e thërrasin menjëherë Emirin në ndërtesën e presidencës. Në shkurt të vitit 1994 zhvillohet një takim thuajse i fshehtë. Projekti i koncertit nuk është më thjesht një ide; tashmë është bërë sekret shtetëror. Në atë takim, Izetbegoviq jo vetëm që e miraton projektin, por i jep Emirit telefonin e tij satelitor, personal. Për më tepër, me një dekret të shkruar dhe një emërim të menjëhershëm, ai e cakton Emir Nuhanoviqin si drejtorin e ri të Filarmonisë së Sarajevës!
Por çfarë Filarmonie?! Drejtori i saj i fundit e kishte braktisur Sarajevën që në syth të luftës. Muzikantët kishin dy vjet që nuk mblidheshin, bile askush nuk e dinte në ishin ende gjallë a ku jetonin, apo nëse kishin ende mundësi të luanin. Çdo gjë qe një mister më vete!
Madje, edhe sikur të arrinte ta mblidhte orkestrën, Emirin e priste një tjetër sfidë po aq e madhe: t’i bindte muzikantët për një projekt sa fantastik, aq edhe të pabesueshëm! T’i bënte të besonin se një dirigjent me famë botërore po vinte në Sarajevën e rrethuar për të dhënë një koncert madhështor, dhe se mu ky koncert do të transmetohej drejtpërdrejti në mbarë botën! Ah, sikur të bindeshin për gjithë këto!
Zaten, kush do t’i bindet një drejtori të ri, vetëm 30 vjeç? Bile, as fakti që ai mbante gradën e majorit nuk do të mjaftonte. (Dhe meqë jemi te bindja, më lejoni të hap një parantezë të gjatë për fjalën “bindje”: në komunizmin e kuq stalinist të regjimit sovjetik, bindja ishte një koncept qendror; ndërsa në vetëqeverisjen e socializmit rozë të Jugosllavisë së Titos, fjala bindje as që ekzistonte. E sidomos për artistët – krenaria, mosbindja dhe mospërfillja ishin qëndrimet e tyre thuajse të natyrshme! Pjesë karakteri!)
Emiri e di mirë këtë. Prandaj nuk kërkon të fitojë me autoritet, por me një lëvizje të guximshme shahu! Ai synon lart, shumë lart. Në mendjen e tij vërtitet vetëm një emër: Zubin Mehta. (Sot, në moshën 88-vjeçare, ende bën prova katërorëshe. Një legjendë e gjallë, një Maestro i pakrahasueshëm!)
Emiri ka dëgjuar që ky dirigjent, i lindur në Mumbai, ka edhe një damar të thellë humanist! Ndaj, do të përpiqet ta arrijë.
Por si?
Si mund të kontaktohet një dirigjent i famshëm botëror… nga një qytet i rrethuar?

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Dr. Bilgin Sait u lind në vitin 1977 në Gjilan, Kosovë. Gjimnazin e përfundoi në Prishtinë, ndërsa paralelisht, për një periudhë gjashtëvjeçare, ndoqi edhe shkollimin klasik në muzikë, me fokus në violinë. Në vitin 1997 fitoi bursën shtetërore të Republikës së Turqisë ku vazhdoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Ege-së. Ndërsa specializimin në mjekësinë interne e përfundoi në Universitetin Hacettepe. Aktualisht, dr. Sait ushtron profesionin si specialist i sëmundjeve të brendshme në Spitalin Amerikan në Stamboll. Fusha e tij e veçantë e interesit përfshin menaxhimin e rasteve klinike komplekse me probleme multi-sistemike.
Përveç mjekësisë, ai ka një pasion të veçantë për historinë e muzikës në kontekste të krizave humanitare. Prej vitesh punon për një roman dhe një monografi shkencore kushtuar koncertit të Sarajevës së vitit 1994; një ngjarje me rëndësi të veçantë simbolike në kontekstin e luftës dhe rezistencës kulturore. Ky artikull u botua fillimisht në gjuhën turke, në gazetën “Oksijen” (shih linkun: Saraybosna’nın kaderini değiştiren 'ağıt')
Përktheu në shqip: Fjolla Spanca