Përmes një analize të rastit të Ferdonije Qerkezit – një grua kosovare e njohur si ikonë e dëshpërimit – dëshmoj se si ikonat që bëhen shembuj të tragjedisë, ose humbjes, mund të veprojnë si katalizator për emocione gjenerative në një shoqëri më të gjerë dhe të ofrojnë një shteg drejt rivendosjes së sigurisë ontologjike
Studimet mbi sigurinë ontologjike, ose shkurt SSO (ang.: OSS – Ontological Security Studies) pohojnë se grupet, shoqëritë, dhe shtetet synojnë parashikueshmërinë dhe stabilitetin përmes thirrjes dhe zbatimit të narrativave. Këto narrativa shpesh janë përhapur përmes thirrjes së ikonave, të kufizuara si mishërim i tyre. Fokusi brenda SSO-së ishte kryesisht drejt narrativave të tilla dhe ikonave të tyre shoqëruese, të cilat lartësojnë trimërinë dhe lavdinë. Roli i ikonave që mishërojnë humbjen ose tragjedinë, duke përfshirë dëshpërimin, disfatën, vuajtjen dhe nënshtrimin, është hulumtuar më pak nga SSO-ja. Përmes një analize të rastit të Ferdonije Qerkezit – një grua kosovare e njohur si ikonë e dëshpërimit – dëshmoj se si ikonat që bëhen shembuj të tragjedisë, ose humbjes, mund të veprojnë si katalizator për emocione gjenerative në një shoqëri më të gjerë dhe të ofrojnë një shteg drejt rivendosjes së sigurisë ontologjike. Kësisoj, demonstrojmë se si fati i tyre mund të përdoret për të përmbushur një funksion performativ, me anë të të cilit ato ushtrojnë veprime afektive duke formësuar pozitivisht narrativat kolektive të sigurisë ontologjike.
“Me një grua si nëna Ferdonije ne tregojmë historinë tonë, të tashmen tonë, po në të njëjtën
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuokohë edhe fuqinë për të ardhmen e cila e ka burimin pikërisht në gra si nëna Ferdonije”, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, 8 mars 2023.
Hyrje
Studimet mbi sigurinë ontologjike (SSO) pohojnë se nevoja e individit për siguri ontologjike është një përpjekje e vazhdueshme për ta reduktuar ankthin përmes rutinave, njohjes së jashtme të përkatësisë në komunitet dhe ndjekjes së narrativave autobiografike (Krickel-Choi 2024, 5; shih gjithashtu Subotić 2016; Kinnvall dhe Mitzen 2020, 612). Ndonëse fillimisht merreshin me individin, fokusi i SSO-së u zhvendos te grupet, shoqëritë dhe shtetet, të cilët gjithashtu kërkojnë parashikueshmëri dhe stabilitet përmes evokimit dhe respektimit të narrativave (Patterson dhe Monroe 1998, 321; Chernobrov 2016, 582; Delehanty dhe Steele 2009, 523–4; Edjus 2020). Këto narrativa shpesh përhapen përmes evokimit të ikonave të futura në korniza si mishërim i tyre (Hansen 2015; Steele dhe Subotić 2024, 266).
Ikonat mund të marrin shumë forma, duke përfshirë individët që konsiderohen se “kanë ndikim dhe rëndësi të madhe, të cilët pasqyrojnë, ndryshojnë, dhe/ose riprodhojnë identitete të komunitetit politik” (Steele and Subotic 2024 , 143; shih gjithashtu Hansen 2015 , 267). Ka shumë shembuj ikonash njerëzore që janë ngulitur në narrativa si ekzemplarë të pretenduar të virtytit, heroizmit dhe triumfit (Scott and Tomaselli 2018 , 17; Steele dhe Suboti´c 2024 , 148–58). Fokusi i SSO-së është kryesisht në narrativa të tilla dhe tek ikonat që vijnë bashkë me to, të cilat lartësojnë trimërinë dhe lavdinë dhe, si të tilla, përbëjnë tregime ngushëlluese në kohë të pasigurisë ontologjike (Kinnvall 2004, 755; shih gjithashtu Chernobrov 2016, 581; LaCapra 2001, 81; Delehanty dhe Steele 2009, 524; Subotić 2016, 614).
Roli që luajnë ikonat që mishërojnë humbjen, ose tragjedinë, duke përfshirë dëshpërimin, disfatën, vuajtjen dhe nënshtrimin, është hulumtuar më pak nga SSO-ja. Megjithatë, roli i ikonave të disfatës, ose tragjedisë, në ndërtimin e narrativave nacionale është i njohur përtej SSO-së (Mock 2012, 27; Subotić 2016, 613).
Gjithsesi, për ta vlerësuar plotësisht rolin që luajnë ikonat në ndërtimin e narrativës autobiografike të një shoqërie, duhet të kuptohet sesi këto ikona, që bëhen shembuj të tragjedisë ose humbjes, e jo të trimërisë dhe lavdisë, kontribuojnë në narrativat ontologjike. Ky është qëllimi i parë i këtij artikulli. Duke demonstruar këtë proces, kontribuoj në atë që Brent Steele dhe Jelena Subotić e përshkruajnë si “boshti i fundit i SSO-së”, të cilët analizojnë se si siguria ontologjike “gjenerohet, vihet në jetë dhe performohet”, dhe specifikisht se si ikonat shërbejnë si “një funksion performativ për përmbushjen e sigurisë ontologjike të shoqërisë” (2024, 143).
Lartësimi i një ikone që zgjon emocione negative, si frikë, pendesë, ose mërzi, sigurisht që nuk do ta forcojë ndjenjën e sigurisë ontologjike; të tilla si kontributi i ikonave që janë shembuj të tragjedisë, ose humbjes, duhet të përfshijnë një proces nga i cili vetë fati tragjik vepron si nxitës i emocioneve në shoqërinë e gjerë – siç janë krenaria, qëndresa, solidariteti, etj. – që fati i tyre të ushtrojë veprime afektive duke formësuar pozitivisht narrativat kolektive të sigurisë ontologjike (Chernobrov 2016, 593; Kinnvall dhe Mitzen 2020, 246; Kirke dhe Steele 2023, 910). Për ta demonstruar këtë në praktikë, po analizoj rastin e gruas kosovare, Ferdonije Qerkezi, një ikonë e dëshpërimit që, sipas nesh, është shembull i këtij procesi gjenerativ.
Ferdonija është e njohur për dëshpërimin e vet, që manifestohet në vajtimin e përditshëm dhe mirëmbajtjen e shtëpisë pikërisht siç ka qenë në ditën kur i rrëmbyen burrin dhe katër fëmijët policia serbe më 1999, të cilët nuk i pa më kurrë. Dëshpërimi i saj është dokumentuar kudo. Duke reflektuar mbi gjendjen e saj, Dritan Dragusha vëren: “Malli për të shoqin dhe katër djemtë e saj është një mall që i tejkalon limitet e çdo imagjinate, kurse mërzia thur dalëngadalë rrjetën e dëshpërimit” (2019). Ajo vetë ka thënë “dita jeme është gjithmonë e zymtë” (IndeksOnline 2021). Pavarësisht dëshpërimit, statusi i saj si ikonë në komunitetin shqiptar të Kosovës, që i drejtohet si Nana Ferdonije, është shumë i njohur dhe vuajtja e saj ka arritur të evokohet vazhdimisht nga udhëheqësit politikë (Kabashi 2005; Hoti 2017, 18; Schwandner-Sievers dhe Klinkner 2019; Apolloni 2020, 103; Isufi dhe Henry 2023, 235). Megjithëse dëshpërimi i saj është tragjik për të, Ferdonija demonstron se si një ikonë e dëshpërimit mund të angazhohet ta përmbushë një funksion performativ, në mënyrë që të kontribuojë pozitivisht në narrativat shoqërore që ofrojnë siguri ontologjike.
I përshkruar zakonisht si diçka negative, dëshpërimi shfaqet si mosveprim, një fiksim me të kaluarën dhe izolim nga shoqëria (Fletcher 1999, 521; Lazarus 1999, 659; Mack 1999, iii; Pecchenino 2015; DeNora 2021, 1, 56). Edhe në kontekstin e SSO-së dëshpërimi duket i tillë, me pak gjasë të kontribuojë ndonjë gjë pozitive në ndërtimin e narrativave sociale që restaurojnë, ose mbështesin sigurinë ontologjike. Megjithatë, duke u mbështetur në literaturën mbi dëshpërimin, e cila nxjerr në pah aftësinë për të zbuluar të vërteta të fshehura, themi se dëshpërimi i duruar nga ikonat si Ferdonija, mund të luajë një rol në krijimin dhe përhapjen e narrativave që formësojnë sigurinë ontologjike të një shoqërie. Ikonat e dëshpërimit – në saje të vetë jehonës së dëshpërimit të tyre – mund të shërbejnë për ta alarmuar shoqërinë për një të keqe të fshehur shoqërore, ose në terma metaforikë një plagë (Holvikivi dhe Reeves 2020, 135) ose vragë (Steele 2012); dëshpërimi i tyre kështu shërben për një funksion komunikues pozitiv, pasi thekson nevojën për të njohur dhe për të vepruar ndaj një kërcënimi që i sulet shoqërisë që përndryshe do të mbetej i fshehur.

Lartësimi i Ferdonijes në statusin e ikonës dhe përfshirja në një narrativë ontologjike në komunitetin shqiptar të Kosovës demonston se si një ikonë e dëshpërimit ofron një shteg drejt rivendosjes së sigurisë ontologjike. Ky proces, përmes të cilit dëshpërimi i ikonës sapo zbulohet zgjon reagime të ndryshme emocionale te vëzhguesit, përputhet me procesin e identifikuar brenda SSO-së, ku, gjatë sekuritizimit (ang.: securitization) ontologjik, emocionet negative që minojnë sigurinë ontologjike mund të transformohen gjatë fazës së formimit të narrativës (Subotić 2016, 611; Kinnvall dhe Mitzen 2020, 246; Kirke dhe Steele 2023, 910). Për ta ilustruar këtë, për të dëshmuar një narrativë thelbësore autobiografike brenda komunitetit shqiptar të Kosovës, dëshpërimi i Ferdonijes është evokuar shprehimisht nga udhëheqësit politikë dhe komentues të tjerë për të zgjuar tri reagime parësore në komunitetin e gjerë, përkatësisht: mbështetjen për pavarësinë e Kosovës, unitetin kombëtar dhe qëndresën kolektive.
Duke ofruar një pasqyrë të dëshpërimit vërejmë se, derisa pikëpamja dërmuese është se dëshpërimi është në thelb negativ, të tjerë theksojnë aftësinë për të frymëzuar disa zbulime dhe veprime. Dëshpërimi, ndonëse një gjendje e mundimshme për individin, mund të shërbejë për një funksion pozitiv komunikues duke zbuluar të vërteta dhe duke nxitur ndryshimin. Mendoj se pikërisht ky potencial komunikues i individit në dëshpërim mund të kufizohet brenda kontekstit të perspektivave të SSO-së mbi evolucionin dhe ndikimin e narrativave dhe ikonave të lidhura me to. Më pas, ekzaminoj procesin nga i cili narrativat e sigurisë ontologjike gjenerohen dhe rolin e ikonave në këtë proces. Vë në pah se narrativat që ofrojnë siguri ontologjike ndërtohen mbi bazën e ngjarjeve që konsiderohen se janë shembuj të narrativës, por gjithashtu se ngjarjet që sfidojnë ose kundërshtojnë një narrativë mund të përfshihen, me kusht që emocionet negative të nxitura nga këto ngjarje të kthehen në katalizatorë gjenerativë për emocione alternative. Në këtë mënyrë, ikonat që janë shembuj të disfatës, ose tragjedisë, mund të transformohen në ekzemplarë ikonikë të emocioneve, si krenaria, qëndresa dhe uniteti, që mbështesin narrativat mbizotëruese. Për ta ilustruar këtë në praktikë do ta trajtoj rastin e Ferdonijes; fillimisht duke ofruar një pasqyrë të fatit përpara se të demonstroj se si dëshpërimi i saj është futur në korniza nga udhëheqësit politikë dhe komentuesit në Kosovë, për të ilustruar tipare që kontribuojnë pozitivisht në narrativën autobiografike të komunitetit shqiptar të Kosovës.
Dëshpërimi: “Joproduktiv dhe i pafuqishëm”?
Analizat akademike të shpresës priren ta lartësojnë atë si pozitive; madje edhe brenda literaturës kritike, shpresa paraqitet si diçka që njerëzit duhet ta kultivojnë (McGeer 2004; Moellendorf 2006, 414; Mittleman 2009, 24; Martin 2016; Snyder 2021, 110; DeNora 2021, 1-2). Shpresa vlerësohet për faktin se frymëzon qëndresën dhe vepron si një katalizator pozitiv për ndjekjen e qëllimeve të arritshme (Moellendorf 2006; DeNora 2021, 9, 414; Snyder 2021, 89). Kësisoj, shpresa përshkruhet në mënyra të ndryshme si “qendrore për agjencinë njerëzore” (Milona 2020, 111), “një forcë jashtëzakonisht dinamike për reformë shoqërore (Elliot 2020, 134), ...pjesë e metodologjisë për ndryshimin e peizazhit shoqëror” (DeNora 2021, xi), dhe një shkëndijë që nxit “përpjekjen për ndryshim” (Freire 2004, 8).
Ata që lartësojnë vetitë e shpresës rregullisht e paraqesin dëshpërimin si alternativën e saj të zymtë (Fletcher 1999, 521). Kështu, dëshpërimi përshkruhet në mënyra të ndryshme si “e kundërta polare" e shpresës (Mack 1999, iii); shpresa është e “kundërta e dëshpërimit” (DeNora 2021, 1); dhe dëshpërimi është e “kundërta e sjelljes” së shpresës (Pecchenino 2015, 56). Në kontrast me shpresën, dëshpërimi pa përjashtim vihet në korniza si negativ; siç vëren Jakob Huber, [dëshpërimi] kudo që përmendet, qortohet dhe refuzohet (2023, 82). Dëshpërimi është përshkruar prej kohësh në literaturë si një gjendje mundimi (Pecchenino 2015, 56-7), në teologjinë e krishterë si “një mëkat...si mohimi i një virtyti, ose si plogështi morale” (Mack 1999, iv; shih gjithashtu Fletcher 1999, 523), dhe në teorinë politike si një prirje dobësuese dhe joproduktive (Nesse 1999, 429).
Siç u vërejt, veprimi i orientuar nga e ardhmja është thelbësor në reflektimet mbi atë se si shpresa mund të jetë një forcë pozitive; duke qenë se dëshpërimi paraqitet rregullisht si e kundërta e shpresës, nuk është e çuditshme që të jetë sinonim i mosveprimit vetëshkatërrues, i fiksimit pas së kaluarës, ose së tashmes, dhe i izolimit nga shoqëria (Lazarus 1999, 666). Siç vëren Rowena Pecchenino, “Shpresa është transformuese. Dëshpërimi, humbja e shpresës, është shkatërrues” (2015, 59; shih gjithashtu Lazarus 1999, 654; McGeer 2004, 113). Kështu, dëshpërimi përkufizohet si joproduktiv dhe i pafuqishëm, dhe karakterizohet nga një fokusim në mjerimet e së tashmes që vijnë nga dështimet e së kaluarës, në vend të përparimit në të ardhmen (Huber 2023, 81; shih gjithashtu Steinbock 2007, 449; Pecchenino 2015, 58).
Dobia e dëshpërimit
Të tjerët janë të mendimit se dëshpërimi ka njëfarë dobie, veçanërisht në mënyrën se si mund të zbulojë të vërteta të fshehura. Mbështetësi më i famshëm i kësaj pikëpamjeje është filozofi danez i shekullit XIX, Søren Kierkegaard, pikëpamjet e të cilit mbi dëshpërimin ishin të ndikuara nga krishterimi dhe misioni për të zbuluar se si individi mund ta kuptojë “shpirtin e vet dhe fuqinë e Zotit” (Kierkegaard 2004, 43). Kierkegaardi pohonte: “të jesh në gjendje të dëshpërohesh është një meritë e pafundme. E megjithatë, të jesh aktualisht në dëshpërim nuk është vetëm fatkeqësia dhe mjerimi më i madh; jo, është rrënim” (2004, 45). Ai e bashkërenditi këtë kontradiktë të dukshme duke e paraqitur dëshpërimin si një gjendje që pashmangshmërisht godet të gjithë ata që dështojnë ta vlerësojnë fuqinë e Zotit, por, gjithashtu, si një gjendje thelbësore që të gjithë duhet ta durojnë përpara se ta kuptojnë plotësisht Zotin (2004, 52–3). Vetëm duke u sëmurë dhe duke rënë në dëshpërim, pasi ta kuptosh që po bën një jetë pa kuptim dhe pa vetëdije për shpirtin e vërtetë, mund të zbulohet fuqia e Zotit dhe vetja e vërtetë (2004, 68). Prandaj, Kierkegaardi e përshkroi dëshpërimin si të shumëpritur, jo sepse ka një vlerë të brendshme, bile e hodhi poshtë këtë, por sepse mund të nxisë një zbulim që i mundëson njeriut të vlerësojë plotësisht shpirtin e vet dhe fuqinë e Zotit (2004, 56).
Besimi i Kierkegaardit në vlerën instrumentale të dëshpërimit, gjegjësisht, aftësinë e tij për të zbuluar të vërteta të fshehura, pasqyrohet në trajtesa të tjera që afirmojnë dobinë e dëshpërimit. Randolph Nesse thotë se në modernitet vuajmë nga tirania e optimizmit të përhapur kudo (1999, 431). Festimi i vazhdueshëm i shpresës dhe presioni për të adoptuar një prirje optimiste bëjnë që ata në dëshpërim të portretizohen si njerëz që po durojnë më shumë pasojën e një dështimi personal, sesa atij shoqëror, apo të sistemit. Kjo pamje e përhapur e dëshpërimit mbulon problemet themelore shoqërore dhe, kështu, “përjetësohen iluzione të thella, iluzione që, paradoksalisht, mund të shkaktojnë pakënaqësi” (1999, 431). Kështu, duke ndëshkuar dëshpërimin dhe duke lartësuar shpresën, deri në atë masë sa i pari ose injorohet, ose vihet në korniza si unik për individin e dëshpëruar, shoqëria vazhdon përpara pa korrigjuar të metat e sistemit. Ne, përkundrazi, duhet ta njohim dëshpërimin ndonjëherë si produkt të të këqijave shoqërore që duhen ndrequr, në mënyrë që shoqëria të mos vazhdojë të funksionojë në atë mënyrë të dëmshme (1999, 432; shih gjithashtu Bennett 2015).
Po ashtu, Huberi bën dallimin midis asaj që e quan dëshpërim episodik dhe themelor, ku i pari është një prirje kalimtare që mund të çojë në ndryshim pozitiv, ndërsa i dyti një gjendje e përhershme që pengon ndryshimin (2023, 81). Ai thotë se dëshpërimi episodik shfaqet kur një person kupton se një qëllim për të cilin ka shpresuar nuk do të arrihet; kështu është i dobishëm pasi i mundëson individit të pranojë realitetin e situatës dhe të ndryshojë qëllimet dhe sjelljen në përputhje me të, në vend që të stërmundohet nën iluzionin se mund të arrijë diçka. Dëshpërimi episodik, thotë ai, “mund të na ndihmojë të shpresojmë (dhe përfundimisht të veprojmë) siç duhet” (2023, 81). Prandaj, ne duhet “t’i japim hapësirë dëshpërimit”, pasi kjo do të na mundësojë “të kuptojmë forcën e plotë të gjendjes sonë të vështirë, në mënyrë që të mund të lindë një formë e re dhe më autentike shprese” (2023, 90).
Gretchen L. Schmelzer ngjashëm thotë se në kontekstin e traumës pas konfliktit dëshpërimi është shërues; ajo shprehet se “shpresa shpesh na pengon të jemi në gjendje të shohim dhe të përpijmë traumën që ka ndodhur”, ndërsa dëshpërimi i mundëson njeriut “ta shohë botën ashtu siç është... [të] marrë pak qartësi rreth asaj që nuk shkon”. Përfundimisht, kjo njohje e dëshpërimit personal dhe atij të të tjerëve mundëson shërimin dhe ndryshimin progresiv; “toka që është djegur nga dëshpërimi po përgatitet për farat e ndryshimit, farat e rritjes” (Schmelzer 2023).
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Aidan Hehir është profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit. Kërkimet e tij janë fokusuar në drejtësinë tranzicionale, intervenimin humanitar dhe shtetndërtimin e Kosovës. Është autor dhe editor i dymbëdhjetë librave akademikë, përfshirë edhe “Kosova dhe ndërkombëtarët” (2024), dhe i shumë kapitujve dhe artikujve nëpër libra dhe revista të ndryshme, si dhe është kontribuues i rregullt në televizione dhe radio kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, është autor i romanit “Lulet e Srebrenicës”, i cili është dramatizuar vitin e kaluar, me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Botohet me leje të autorit.